Poezi: Ndue Ukaj
GJITHMONË FLITET PËR DASHURI
Të gjithë joshen pas gjërave të bukura.
Përfytyrojnë një kopsht mahnitës, një jetë pa tallaze shpirti.
Ëndërrojnë të përjetshmen, por i tradhton përkohshmëria,
Gjithmonë flitet për dashuri, por të gjithë bëjnë prapështi,
kur i trallis koha-
m’tha gruaja e pikëlluar që rrinte e vetmuar në plazhin e kujtimeve.
Ajo rrezitej me lëkurën e ëmbël dhe nxirrte sekrete nga thellësitë e saj,
siç nxjerr zhytësi kristale vezulluese nga fundi i detit.
Kjo rrugë e gjatë përpara ka shumë hyrje dhe dalje.
Amulli. Hije. Tabela orientuese, ku fanepsen dritat e dëshiruara të fatit.
Të shpejta janë kthesat për dëshpërim dhe rrëshqitëse ato ka drejtësia.
Kur dalim nga tuneli rrëzohemi dhe ngatërrohemi në livadhet e shkreta.
Pastaj pendohemi.
Gjithmonë pendohemi për gjërat që s’i bëmë.
Pendohemi edhe për gjërat që i bëmë.
Shkruajmë kujtime për ditët e lumtura ose për mungesën e lumturisë.
Për mungesën e trishtë.
Zbrazëtitë.
Shtrëngatat.
Nostalgjinë.
Humnerën.
Unë s’di t’i përshkruaj rrugët e dashurisë,
por e di se në akullnajat e shpirtit
s’ka det më të trazuar se një zemër e lënduar.
SI DIKUR EDHE SOT
Ka njerëz që dergjen në ferr
bluhen nga politika
të tillë që udhëtojnë nëpër qiejt e haresë
dhe të tillë që lidhen në litarin e pushtetit
e tërhiqen drejt botës së skëterrës.
Ka të tillë që presin para kontinentit të shpresës
dhe frikësohen t’i hapin portat e mbyllura.
Sepse frikësohen nga paqartësitë, të papriturat.
Unë pas kaq shumë vitesh bredhjesh
i shastisur shoh gjethet e mia vjeshtake
si duart e një dashurie përvëluese.
Po ç’bëhet me baltën tjetër,
atë të ndërgjegjes së atyre
që kanë lidhë litarët e mashtrimit
dhe tërheqin zvarrë nga stina në stinë.
Ata që kanë mësuar artin e ulërimave,
lavdi kërkuesit që krrokatin si korba të zinj.
Ato korba i hanë gjethet e kësaj stine;
i hanë edhe sytë e kohës – O Zot!
“Kam etje”- tha Krishti para se të vdiste në kryq.
Por atij askush s’i dha ujë.
Atij i dhanë helm.
Sa shumë helm na japin,
përditë,
o Imzot!
MOS U MËRZIT ME KËTË MJEGULL
Që vërtitet nëpër qiell tash e sa kohë,
si i hutuari që humb rrugë në një pyll
të trazuar ndjenjash dhe s’di kah ia mban.
Pa shtigje është koha, pa shtigje jemi unë e ti.
Vijmë dhe s’dimë kah shkojmë.
Në këtë zbrazëti ku krijohen mirazhe paqartësi që s’i dua.
Jo, s’i do as ti.
Është mjegull, por ti s’duhet të mërzitesh.
Gjërat do të ndryshojnë
dhe faqet e zeza të këtij libri do të kalohen.
Edhe pylli do të pastrohet
dhe ne do të ecim dorë për dore e të gëzuar si kurrë më parë.
Në gishtat mund të mbetet ndonjë njollë,
por shiu i pastrimit do të bjerë shpejt
dhe mund të shlyejë gjithçka që duket.
Por çka të bëj me ato që s’duken – thashë
dhe të këqyra në sy të ëmbël ku zbutet pezmi im,
dhe përnjëherë hapen shtigje, siç hapet qielli kur davariten retë.
Ku të arratisem unë?
E mbaj veten si fëmijën e porsa mësuar me hapat e parë të jetës.
Më duhet ta shtrëngoj,
të mos enden ndjenjat e mia si re të zeza në këtë shtegtim nate.
Trupi im është i lodhur nga bredhja.
Më duket vetja si ai burri në rrëfimet e biblike
që donte të hynte në tokën e premtuar
dhe të fillonte rrëfimin e ri.
Kah t’ia mbaj në këtë stinë zbrazëti,
kur rrugët ndahen si hija e mendimeve
në një mëngjes amorf.
SIMETRIA E GJËRAVE
Qielli është i mërzitur.
I rrjedhin lotët curril si mua kur më shtrëngon mungesa.
Ti e di që mua s’më pëlqejnë hapësirat ndërmjet gjërave që s’puqen.
Ndaj, më duhet t’i pagëzoj dëshirat e trazuara që çohen peshë
si malet kur uturinë qielli dhe pastaj të pushoj në pluskat e erës
si dora e dashur si terplote qetëson dallgë shpirti.
Përditë duhet të mësoj simetrinë e gjërave,
ecjen tënde ka qëllimi pa prekë nëpër valët e këtij oqeani pa formë.
Kam njëmijë arsye shtesë për të bërë një shtegtim nate,
edhe nëse mungon drita, udhërrëfimi, momenti.
Ndoshta gjithçka i përket tanimë së shkuarës.
Pranë syve të tu të njomë rri pema
që ti e do më shumë se çdo gjë.
Ajo pema e kujtimeve fëmijërore,
plot formula magjike,
si bredh i bukur Krishtlindjesh.
Ajo pema që të bën hije dhe t’i lidhë
ndjenjat e shpërndara nëpër flluska stinësh.
Nëpër erën e luleve. Të kuqtë e qershive.
Akullin e shpirtit. Lulet e pranverës.
Dimri këndej është i rëndë dhe bie borë e madhe.
Bie borë edhe në shpirtin tim
sa herë më mungon ngrohtësia jote,
ajo muzika e përhershme,
egërsohet diçka dhe i mbyt pemët e mia
siç bën stuhia dimërore në pranverën e vonë.
ORËT E VONA TË PRITJES
Gjërat e bukura ndodhin rrallë,
pas një shtrëngate, orëve të vona të pritjes,
kur vetja të duket hije në një tunel pafund
rrethuar me erë dhe pasiguri.
Me vete bart një mori ndjenjash të trazuara
dhe si ushtar i kthyer prej një beteje të gjatë,
ec i shoqëruar nga ndërdyshjet,
psherëtimat,
shkujdesja dhe pritja.
E kur të pushojë stuhia, shikon kupën qiellore
si një udhë pa krye dhe rënkon.
Të duhet ta kuptosh nëse ke pësuar disfatë apo ke korrë fitore.
Ndonëse humbjet s’të pëlqejnë, ato të ndjekin si hija.
Të shoqërojnë në orët e vona të natës,
kur i mbyll dritaret e ëndrrave dhe sheh përpara pyllin e zi.
Ti e vendosur si kurrë më parë u ngjeshe pas meje
dhe unë ndjeva aromën dehëse të gjoksit tënd.
Atëherë fjalët rrodhën nga goja jote
si uji i mëshirshëm nga një krua i moçëm
ku unë shërohesha nga dridhjet,
etja,
nostalgjia,
marramendja.
Në librin e jetës të gjithë duan të jenë fitues.
Mesnatë.
Yjet shkëlqejnë
dhe unë djeg fletët e shkruara me babëzi për lavdi të rreme.