15 NËNA RRËFEJNË 15 DHIMBJE KRENARIE 

(Rreth librit “Ato gdhendin dhimbjen” të autores Alketa Gashi Fazliu)

Zymer KUQAJ

15 nëna shqiptare të Kosovës, janë ato që gdhendin dhimbjen më rrëfimet e tyre para gazetares, poetes dhe shkrimtares Alketa Gashi Fazliu. 15 nëna shpalosin dhimbjen dhe mallin për bijtë dhe bijat e tyre që gdhenden lirinë e Kosovës më jetët e tyre të njoma. 

15 nëna nga mijëra nëna tjera kosovare shpërfaqin zemrat dhe shpirtrat e tyre të pastër, por të lënduar para autores së librit të A. G. Fazliut më titull “Ato gdhendin dhimbjen”. Janë këto 15 nëna të djemve dhe vajzave të Kosovës që u rreshtuan në radhët e UÇK-së për të dëshmuar lavdinë e tyre, që kjo lavdi të jep frytin e vet më emrin, liria e Kosovës. Tregimet e nënave në këtë libër janë të lirshme dhe të natyrshme. Nënat flasin më zemrën e tyre të lënduar duke u shpreh lirshëm më gjuhën e përditshme. 

Fazliu i shkruan këto tregime ashtu siç i dëgjon, pa kurrfarë korrekture gjuhësore, pa zbukurime dhe pa stërmadhime. Autorja nuk e bën këtë pa qëllim. A mund të bëhet përmirësimi gjuhësor i një nëne që flet më fundin e shpirtit të vet? A ka kush që mund të zbukuroj më shumë tregimin se sa nënat kur flasin për fëmijët e vet, heronj të Kosovës? A ka diçka më madhore dhe më sublime se jeta e njeriut për lirinë e popullit që i takon?

Janë këto arsye që autorja na sjellë “15 rrëfime nënash zemërshpuara” krejt autentike dhe pa kurrfarë censure. Në 15 rrëfimet e nënave pasqyrohet koha e luftës së fundit në Kosovë. Vuajtjet e kësaj kohe nën okupimin serb dhe lëndimin e zemrave të nënave me shkrimin e emrave të bijve dhe bijave të tyre në altarin e lirisë. Janë rrëfime të nënave krenare në kohën lirisë. Krenaria e nënave në lirinë e Kosovës, ka edhe mungesën dhe dhimbjen e madhe për fëmijët e tyre që sakrifikuan jetën për këtë liri që e gëzojmë sot. 

Rrëfimet e nënave janë të ndryshme, por është ngjashmëria që dominon në rrëfimet e tyre. Të ngjashme janë dashuria e pakufishme e nënave për fëmijët e tyre dhe zbrazëtia që ata kanë lënë në zemrat e tyre. E përbashkëta tjetër e madhe është frika dhe ngurrimi i tyre që fëmijët e tyre të bëhen pjesë e luftës. E përbashkëta madhështore është kur nënat kuptojnë vendosmërinë e fëmijëve të tyre, i urojnë më gjuhën e nënave. Me hajr u koftë rruga që keni nis. Zoti qoftë më ju. U kthefshi faqebardhë. 

Përkundër asaj që dihej dhe paralajmërimeve për nënat se kjo rrugë ka edhe sakrificat e veta, zemrat e nënave nuk mund të paramendojnë më të keqen për bijtë dhe bijat e tyre. Ato, megjithatë shpresonin në kthimin e tyre faqebardhë.

15 rrëfimet e nënave është vështirë të përshkruhen në mënyrë të veçantë. Është vështirë dhe e padrejtë të përmendet një emër nëse nuk i veçon edhe 14-të të tjerë. Është e përbashkëta veçanti e rrëfimeve të tyre në këtë libër. Libri nuk do të përfundonte më bukur se sa më heroin e fundit të personazheve të këtij libri. E bukura në historinë e shqiptarëve e ka pashmangshëm edhe dhimbjen. Libri përfundon më ketë fjali. “Nuk ishte i martuar, por trashëgim ka lënë lirinë e Kosovës”.

E përbashkëta e 15 heronjve që vjen nga rrëfimet e 15 nënave, është se ata/ato trashëgim kanë lënë (gdhend) lirinë e Kosovës, bashkë më lotin dhe dhimbjen e nënave zemërshpuara.

Libri i Alketa Gashi Fazliut “Ato gdhendin dhimbjen”, është një vepër që përshkruan luftën dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Autorja kryen një obligim qytetar dhe kombëtar karshi qëndresës tonë për liri. Pjesë e kësaj qëndrese janë edhe nënat shqiptare të Kosovës. Ajo e kryen edhe një obligim tjetër kombëtar, duke i bërë personazhe kryesore të librit nënat shqiptare, që historikisht kanë mbetur padrejtësisht nën hijen e burrave përkundër kontributit dhe para së gjithash, vuajtjeve të tyre gjatë gjithë historisë tonë më plotë vuajtje dhe sakrifica.

Leave a Reply

Your email address will not be published.