Tregim

YLLI I GJENERALIT

Zija Çela

Zoti Nerali ishte një nga tre specialistët civilë që dikur qenë thirrur të punonin për nevojat e ushtrisë. Si ia dolën ta modifikonin kimikisht eksplozivin sekret NTZ-6-E, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes u nderuan formalisht me gradën e kapitenit dhe pastaj iu rikthyen jetës së mëparshme.

Nuk mund të thuhej se Gjin Neralit i kishte ecur mbarë në jetën civile. Pas divorcit me gruan e parë kishte bashkëjetuar disa vjet me të dytën, por pa e ndryshuar regjimin e tij. Lexime me orë të zgjatura, artikuj studimorë për revista shkencore, udhëtime këtej dhe matanë detit. Derisa, një ditë prej ditësh, Meri V. i la lamtumirën me arsyetimin: “Unë nuk të kërkova të bësh çfarë nuk mundesh, por u pengova të bëja çfarë dua vetë.” Dhe pa ruajtur më asnjë lidhje, me dëshirën për “mbrëmje romantike dhe ekstaze” (citim nga letra), shkoi për ta gëzuar jetën gjetkë.

Më në fund, në moshën 64-vjeçare, kur partnerja ishte 27, zotit Nerali i ndriti fati. Ai u bë me djalë. Foshnja ishte fryt i marrëdhënieve të tij me kujdestaren e vilës, e cila kishte rënë në dashuri me kapitenin nga intervistat e tij televizive. Burrë me pamje kaq fisnike nuk kisha parë ndonjëherë në ekranet tona, do t’i thoshte Janica më vonë. Ajo ishte punësuar aty pas një jete disi të bujshme, në fillim si striptiste, në vijim si modele për një agjenci reklamash, më pas duke pozuar nudo për piktorë e fotografë, ndoshta edhe duke fjetur herë-herë në studiot e tyre. I prekur në nderin e familjes, përveçse e dëboi nga shtëpia, për sjelljen skandaloze i vëllai e mohoi motrën, duke u pohuar kushërinjve: “Sa të kem frymë në këtë jetë, asaj putanës kurrën e kurrës nuk dua t’ia dëgjoj as emrin!”

Por si ndodhi që Janica u bë nënë?

Një pasdite, Gjin Nerali u ndie i drobitur dhe zuri shtratin. Në muzg, kur kujdestarja dhe gruaja e shërbimit mund të largoheshin nga vila, ato ranë në marrëveshje. Për herë të parë, për t’i qëndruar te koka zotërisë, kujdestarja do ta gdhinte natën në vilë.

Pasi kishte telefonuar dy herë në Qendrën e Urgjencës dhe në të tretën i thanë sërish që, nëse pacienti kishte dhimbje fyti, të përdorte spray propolis ose brufon, Janica e mbylli telefonin pa i dëgjuar këshillat e tjera. Pastaj iu kthye të sëmurit, që po dridhej nga ethet:

– Ka dhe një mënyrë tjetër për ta ngrohur trupin tënd, major.

– Si, si the?! – ia priti me habi tjetri. – Po unë nuk kam qenë kurrë as kapiten i vërtetë, Janica!

Ndërkaq, i kthyer në krah dhe i alarmuar nga pamjet që shihte në pasqyrë, zoti Nerali u përpoq ta ndalonte, duke i kujtuar se simptomat e sëmundjes së tij mund të ishin Corona…

–  Me kurorë a pa kurorë, të dy bashkë si burrë e grua, – ia preu e vendosur  kujdestarja e shtëpisë, e cila po merrte përsipër edhe kujdesin për shëndetin e tij.

E zhveshur lakuriq, ajo hyri nën mbulesa. Thuajse përnjëherë ia kaloi krahun nën sqetull, në mënyrë që t’ia përfshinte kraharorin dhe nisi të ngjishej pas kurrizit të tij për ta ngrohur.

Pa u mbushur dy muaj, partnerët shkëmbyen lajme. Janica tha se ishte shtatzënë, ndërsa ai tha se do të kurorëzoheshin zyrtarisht si burrë e grua.

Me t’u celebruar, çifti u nis për një udhëtim turistik. Mirëpo, kushedi përse, asnjëri nuk tha “muaj mjalti”. Gjin Nerali kishte trashëguar aq pasuri nga gjyshi e stërgjyshi, sa vetëm me qiratë e pronave të patundshme mund të bënte jetë luksi. Sado që ai nuk shquhej për dorëlëshuar, siç nuk ishte as cingun, në kthim valixhet e bashkëshortes ishin përplot me dhurata.

Gjatë lindjes së fëmijës, atij nuk i bëri zemra të ishte i pranishëm në sallë. Por në shtëpinë e tyre, teksa po e kalonte foshnjën në krahët e të shoqit, gruaja i kujtoi gjithë ngazëllim:

– Ja ku e ke tani djalin tënd, Gjin Nerali im!

– Si, si the?! – pyeti buzagaz ai.

Dhe Janica, duke kuptuar se veshët e tij e kishin dëgjuar ndryshe, i dha mbështetje pa ngurrim:

– Gjenerali im, thashë.

Ahere ai qeshi me zë. Por nuk e fshehu kënaqësinë.

– Po, me trashëgimtarin që kemi, ti më bëre gjeneral, Janica ime.

Por djalin do ta humbitnin, ndërsa trashëgimia do t’i kalonte së shoqes. Mjekët qenë të bindur për diagnozën dhe, për shkak të asaj leucemie të egër, e parashikuan fundin e shpejtë. Egzoni tashmë sapo i kishte mbushur pesë vjeç. Pak kohë para se të sëmurej, ai kishte dëshmuar se i pëlqente deti, prandaj prindërit nuk i ndaluan shëtitjet me skaf. Njëherë, skafisti nxori nga uji një gjallesë ngjyrë okër dhe, i entuziazmuar nga ylli, fëmija deshi ta merrte me vete. Por i ati i tha se shtëpia e atij ylli ishte deti, ndërsa në shtëpinë e tyre do të vinte një yll tjetër. Dhe erdhi me të vërtetë. Pas tri ditësh, fëmija e pa në fundin e pishinës dhe thirri i mahnitur: “Uaa, sa i madh ky ylli ynë!” Ishte po në atë ngjyrë si i detit, veçse diametri i kalonte edhe krahët e shtrirë të vogëlushit.

Në krye të çdo jave, zoti Nerali bënte porosi të re dhe tapicierët e sajonin yllin me moket okër, duke i rritur përmasat. Meqë prindërit i thoshin se një djalë i vogël mund të rritet kështu çdo javë, për t’u bërë i madh një ditë, ai besonte se po rritej bashkë me yllin. Por më të madhin, cepat e të cilit zunë tërë gjerësinë e pishinës, fëmija nuk arriti ta shihte. Megjithëse prindërit e mbajtën në krahë, duke i ardhur rrotull disa herë buzës së ujit, Egzoni as e ngriti kokën e varur, as i hapi sytë.

Rreth tre vjet më mbrapa ndërroi jetë edhe Gjni. Vdekja qe e papritur (një sulm i gjakut në tru), por nuk e gjeti të papërgatitur. Në prillin e atij viti, ditën që e shoqja mbushi tridhjetë e pesë vjet, në prani të avokatit të tij kishte nënshkruar testamentin, sipas të cilit pasurinë ia linte trashëgim zonjës Janica Nerali.

Vejusha nuk priti gjatë. Dështoi në përpjekjen e parë, por mbeti shtatzënë në të dytën. Meqë lindi përtej afatit nga vdekja e të shoqit, u përfol se dobiçin e kishte me dashnorin. Sepse: “Janica nuk është Maria, ajo s’mund të mbarset me frymën e shenjtë!” Doli se njeriu që shihej të hynte shpesh në vilë ishte vëllai i saj, pikërisht ai që ishte betuar për mohim të përjetshëm dhe që tashmë ishte kthyer te “putana” pasanike. Vetë Janica, ndonëse mund të sillte prova nga Banka e Spermës, nuk u mor me hamendjet që qarkullonin. Për ta mbrojtur barrën, bëri jetë sa më të shëndetshme. Veçse kësaj here lindi me cezarian.

Derisa e solli fëmijën në jetë, pati kohë ta zgjidhte edhe mëdyshjen e saj. Nuk i vuri emrin e të shoqit, por e quajti Ylli. Madje, si kaluan ca vite dhe thashethemet po harroheshin, djali filloi të njihej edhe si Ylli i Gjeneralit. Ndoshta prej atij yllit me aliazhe speciale që, kur i binte dielli, shkëlqente nga larg përmbi pllakën e varrit të Gjin Neralit.

Tiranë, gusht 2020 

Leave a Reply

Your email address will not be published.