Samir Perihana
TRËNDAFILI I POETIT
Kur e varrosën
Oratorët derdhën mbi varr karvanë me elozhe dhe fjalë
“ Poet i pavdekshëm, zë bilbil “
“ Thuajse dantesk, thuajse bodler “
Mes kurorave shumëngjyrëshe kishte zënë vend një trëndafil
Në të shtatat
Nuk ja kursyen lëvdatat
Mes tyre shkarazi edhe ndonjë gabim që kish bërë pa dashje
Ndër kurora shumëngjyrëshe qëndronte i njëjti trëndafil
Si një pusullë e pahapur
Në të dyzetat
Thanë për të se ishte poet i mirë
Poet që e donte njerëzinë edhe lirinë
Edhe pse kishte bërë disa gjynahe në të ri
Mes kurorave dhe luleve qëndronte i njëjti trëndafil
Ardhur kushedi se nga ku
Kush e di sesi
Pas të dyzetave
Edhe vajza e djali i shkojnë rrallë e më rrallë
Veç trëndafili petale argjend është aty
Pa e harruar poetin asnjë çast