Luljeta Lleshanaku

DUKE NDJEKUR FILMIN E MBRËMJES

Duke u përkundur
në kureshtjen e filmit të mbrëmjes
të katër, ne , ngjajmë me copëzat e të njëjtit objekt
të mëdha e të vogla,
mbi një sitë të imët arkeologësh.
Brinjë, bërryle, supe, gjunjë
të mbështetur tek njëri- tjetri lirshëm
dhe një iluzion që projektohet dridhshëm
nga ekrani
në arkitekturën tonë jonike prej mishi.
“Ne mund të kishim qenë të lumtur” thua ti
me të njëjtën dhimbshuri
si të ishte fjala për qenin e shtëpisë, të lidhur në oborr,
në një natë të frikshme kur vetëtimat ecin këmbëzbathur mbi thëngjij.
Fikim dritat. Bëhemi gati për gjumë.
Mendjet tona zverdhin si dy limonë në errësirë
Të thartë, të hidhur, të pakënaqur nga vetja
“Ne mundet të…, sikur…..!
E fshihemi në një përqafim të pafrymë
thjesht për të mos folur
thjesht nga frika se do të na duhet të tregojmë
një histori që ende nuk e njohim,
ndërsa nuk ka asnjë të lehur qeni, në oborr.

Leave a Reply

Your email address will not be published.