Profile: Jevrem Bërkoviq

ZËRI I FORTË I MIKUT TË SHQIPTARËVE KUNDËR HISTERISË SHOVINISTE

-Një njeri epokë, i cili do të jetojë sa me veprën e tij, aq edhe me frymën dhe filozofinë e tij thellësisht humane

Nga Daut DAUTI

Intelektuali i vërtetë nuk është pjesë e turmës, ai asnjëherë nuk bëhet pjesë e korit të indoktrinuar. Ai këndon “solo”! Nëse kori i nënshtrohet “dirigjentit”, intelektuali këndon këngën e vet, atë që ai mendon se është e drejtë, edhe kur mund të jetë gabim, por e ngre zërin për ta thënë të vërtetën e tij… Në Jugosllavinë e viteve 80-të, pas ngjarjeve të Kosovës, dalëngadalë histeria nacionaliste antishqiptare mori krahë, që kulmin e arriti pas ardhjes së “luftëtarit të pakompromis”, Sllobodan Millosheviqit. Për të qenë absurdi më i madh, pas një politike që shfaqi tendencën e vendosjes së hegjemonizmit serb të paraluftës dhe ideologjisë urrejtëse, nuk u rreshtuan vetëm komunistët serbë dhe komunistët servilë maqedonas, por dhe qarqe intelektuale serbe Akademia Serbe, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë…të rr. Francuska 7…) dhe ishin të paktë ata që mund t’i kundërviheshin fushatës së egër antikosovare e antishqiptare me shpifje e sajesa gjoja shpërngulja me dhunë e serbëve e malazezëve…), që hapnin rrugën për suprimimin e autonomisë së atëhershme. Gjykimet e grupeve a individëve, diferencimet ideolopolitike që ishte shtrirë përveç se në Kosovë edhe në viset tjera të banuara me shqiptarë, përshkuar gjithë atë periudhë dhe të paktë ishin ata që mund t’i kundërviheshin hapur. Por, për fat, as në të tilla periudha, nuk kanë munguar njerëz të guximshëm të cilët do të çonin zërin kundër padrejtësisë, edhe pse vetë kanë mundur të strehohen në heshtjen a konformizmin intelektual. Në Beograd shembulli më lapidar i zërit të guximshëm, në mbrojtje të drejtësisë dhe të së vërtetës, ka mbetur Bogdan Bogdanoviqi, i cili hapur e zhvilloi betejën kundër njëmendësisë në kuadër të LK të Serbisë, e më vonë edhe emra të tjerë për çdo respekt Vesna Peshiq, Natasha Kandiq, Çedomir Petroviq, Çedomir Jovanoviq, Nenad Çanak…, të cilët hapur kanë përkrahur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje…

BETEJA E PAKOMPROMIS E JEVREM BËRKOVIQIT

Një emër lapidar i asaj kohe, i cili vazhdimisht e çonte zërin kundër regjimit të Millosheviqit dhe i mbronte kolegët e tij kosovarë kudo që mbërrinte, është shkrimtari malazez, njëri nga poetët më të mëdhenj ballkanikë, Jevrem Bërkoviq ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare ((24 janar 2021)). I dhashë vetes këtë privilegj, që përskaj madhështisë së veprës së tij dhe njerëzillëkut të pashoq, të marr një pjesë të lavdit të tij, siç do të kishte thënë dikush, sepse këtu e tridhjetë vjet më parë, e pata pasur privilegjin të njihem me të në Tiranë, në manifestimin kushtuar 100-vjetorit të Naim Frashërit, ku kishim shkuar një delegacion shkrimtarësh nga Maqedonia Mateja Matevski, Todor Çallovski, Nijazi Muhamedi dhe autori i shkrimit). Ishte një periudhë e ndërlikuar për gjithë bllokun socialist, në disa vende veçmë kishin rënë diktaturat komuniste, ajo në Shqipëri po përpëlitej në përpjekjet se si kjo të ndodhte me më pak trauma, e si shprehje e paralajmërimeve të hapjes ishte edhe ky manifestim ku ishin ftuar edhe albanologë, shkrimtarë edhe nga vendet ballkanike dhe më gjerë. Ndër ta, edhe poeti i madh, për të cilin kisha admirim për shkak të guximit që të ngriste zërin kundër represionit ndaj intelektualëve shqiptarë, që u shpreh pikërisht atyre ditëve, kur autoritetet serbe nuk ua kishin lejuar Rexhep Qosjes, Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Din Mehmetit e të tjerëve që të vinin në këtë manifestim, u dëgjua edhe një herë zëri i Jevrem Bërkoviqit, mes tjerash duke recituar edhe vargjet e Ali Podrimjes “nëse vret qenin, kush do ta vrasë ujkun…”). Figura e tij markante, me spirituozitetin e lindur, ngado që shkonim ato ditë, tërhiqte vëmendjen. Ka mbetur edhe një anekdotë që e tillë u bë që atyre ditëve, sepse e tregonin njerëzit pak me humor, e pak me një lloj tragjizmi: në një bisedë të Bërkoviqit me nikoqirë, ai kishte thënë diçka që në atë kohë mund të kishte ndonjë konotacion të koklavitur dhe përkthyesit, atëherë një shkrimtar i ri, i bie të fiktë para se ta përkthente! Mbeti enigmë nëse ai kishte qenë i lodhur duke qenë vazhdimisht në përcjellje të shkrimtarit, apo i kishte rënë të fiktë nga fjalët që duhej të përkthente!…

Unë, si një gazetar ambicioz, nuk do të lija pa shfrytëzuar rastin për t’i marrë një intervistë, dhe shpesh e kam thënë se intervista që e bëra me të një mbrëmje në Hotelin “Tirana” (“Pesëmbëdhjetëkatëshi”), është intervista ime më e mirë që e kam bërë me këdoqoftë gjatë mbi 30 vjetësh marrje me gazetari…As kisha bërë pyetje të shkruara, as kisha bërë koncept se çka do ta pyesja, por nga ajo që dija për poetin nga paraqitjet e tij publike, nga atmosfera e rëndë në Jugosllavinë e atëhershme midis dy epokave, përplasjet ideologjike të mëhershme dhe të mëpasme, pyetjet më vinin spontanisht dhe për dy orë ia kam nxjerrë “shpirtin” Jevremit, por në fund, edhe ai edhe unë ishim shumë të kënaqur. Intervista u botua në dy faqe të “Flakës” dhe ia pata dërguar me postë poetit.

SI “U TAKUA” ME FISHTËN, NOLIN E NAIMIN?!

Kur vdekja e tij u bë shkas për këtë shkrim nga ato ditë të vizitës në Tiranë, në librin tim me tregime “Baseni i troftave në Malin e Thatë” e kam futur edhe një anekdotë ku protagonist është pikërisht Jevrem Bërkoviqi, që për lexuesit dua ta ribotoj në një version më të shkurtër:

Një ditë tetori, me gjasë 23 tetor 1990, vizituam varret e vëllezërve Frashëri në parkun “te xholi”, me ç’rast Jevrem Bërkoviqi, i rrëfen shkrimtarit Nasi Lera një ngjarje të cilën mund ta kurdiste vetëm ai dhe koha e absurdeve ideologjike. Ja rrëfimi nga goja e tij, ashtu siç e kam transmetuar në libër: “E kam një të njohur, i cili bukur mirë është i lidhur me ata të punëve të brendshme. Po të vërejë diçka të dyshimtë te dikush, ai s’pret, e ka si instinkt…drejt e në zyrën e kryeshefit të policisë. Për mua ai është një njeri simpatik. Bile-bile, jemi dofarë jaranësh, shpesh ulemi e rrimë bashkë. Është njeri që unë e di, se më denoncon po fola diçka kundër shtetit e kundër politikës, e cila, sipas tij, është e drejtë. Jam mësuar me të, është mësuar edhe ai me mua. Ku të dish ç’libër i trashë mund të shkruhet nga denoncimet E TIJ për mua. Nejse… Një ditë te unë ishin disa shkrimtarë kosovarë. I kishte rënë kjo në vesh këtij mikut tim dhe s’kishte mundur të rrijë pa u interesuar  se kush kishte qenë te unë dhe, qëtë mos më denoncoë “pa fakte”, të nesërmen takohemi “rastësisht” dhe tërthorazi më pyet për mysafirët e mi.

-Vërtet te ti kishin qenë disa shkrimtarë shqiptarë?

-Po.

-Cilët?

-Fan Noli, Gjergj Fishta dhe Naim Frashëri!

Dhe pasi “mori” listën e emrave të mysafirëve, iku që të referonte.

“Mbrëmë Jevremi është takuar me disa shkrimtarë shqiptarë!”, i rrëfen shefit të policisë, të cilit denoncimet e tij i kishin ardhur në maje hunde.

-Me cilët?-e pyet ai, ndoshta duke mos i dhënë shumë rëndësi.

-Me Fan Nolin, Gjergj Fishtën dhe Naim Frashërin!

-Si, ore, si është e mundur?!…Sa bukur ta paska punuar Jevremi!-i kishte thënë shefi i policisë!

-Pse? Vetë Jevremi më tregoi me gojën e vet!

-Sa budalla je! Të gjithë ata janë shkrimtarë të vdekur!”

Pas kësaj episode, ky “miku” i Jevremit, nga turpi, shumë rrallë do ta takojë “rastësisht” atë.

Pas atij takimi në Tiranë, kohë pas kohe, do të lexoja diçka nëpër shtyp për luftën e tij të madhe për mëvetësinë malazeze, për çka, një kohë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kur Mali i Zi mbeti në federatën e cunguar me Serbinë, i rrezikuar nga autoritetet pro-millosheviqiane, ishte i detyruar të ikte në Kroaci dhe të jetonte gati se dhjetë vjet atje. Pastaj, për t’u bërë ballë forcave antimalazeze, një kohë kishte krijuar edhe një Akademi alternative nga ajo zyrtarja, me seli në Cetinje. Në fund qe i kënaqur që nga grupi “antibirokratik” të “jogurt-revolucionit”, Millo Gjukanoviq – Momir Bullatoviq që pat rrëzuar udhëheqjen malazeze me Marko Orllandiqin në krye, i pari, Milloja, u shkëput nga ndikimi i Millosheviqit dhe trasoi rrugën e pavarësisë së Malit të Zi. Do të mbahet si mik i shqiptarëve, si njeri që mbron të drejtën për popullin e vet, por dhe të tjerëve. Një njeri epokë, i cili do të jetojë sa me veprën e tij, aq edhe me frymën dhe filozofinë e tij thellësisht humane.

Shqiptarët i ka bërë borxhli, sa qe gjallë me betejat e tij intelektuale, por dhe shqiptarët shpesh me mirënjohjet dhe dekoratat që ia kanë ndarë, kanë larë një pjesë të borxhit nëpër manifestime të ndryshme kulturore. Dikush përmendi se asnjë zyrtar i lartë nga Kosova nuk ka shprehur ngushëllime…do të ishte për keqardhje një lëshim i tillë, besoj i paqëllimtë dhe në fushatë parazgjedhore që u ka shpëtuar kjo vdekje e mikut të tyre. Shqiptarët dinë dhe duhet të dinë t’i respektojnë miqtë e tyre, por ndodh dhe ndonjë pakujdesi nga mosinformimi ose neglizhenca institucionale. Para disa vitesh një gjest jo i qëlluar kishte ndodhur në Prishtinë, kur një rruge i ishte hequr emri i Radovan Zogoviqit, një shkrimtar malazez po ashtu mik i shqiptarëve. Sigurisht nga inercia që të zëvendësohen emrat e dikurshëm të “vëllazërim-bashkimit”, ishte hequr edhe emri i tij. Por, si në rastin e Zogovoiqit, si në të Jevrem Bërkoviqit, Kosova duhet të gjejë mënyrën për respektimin e veprës dhe emrit të tyre.

(Nga libri “Ai çast frymëzimi…”,2022)

Leave a Reply

Your email address will not be published.