Nën thjerrë

SHUARJA E FESTIVALEVE PARTIAKE

Kohë më parë kryetari i Komunës së Çairit (Maqedonia e Veriut), z. Visar Ganiu, paska pritur u.d. drejtoreshën e Teatrit shqiptar të Shkupit, aktoren Vjollca Bekteshin, e cila kryetarin e komunës e paska informuar me pjesëmarrjen e Teatrit në Festivalin “Teatri Shqiptar Moisiu”! Askund nuk i kapet fija këtij lëmshi…

Nga Avni HALIMI

Vitin e kaluar (2023), pas një marrëveshje në mes të tre drejtorëve të teatrove të kryeqyteteve tona (Tiranë – Prishtinë – Shkup) u organizua Festivali “Teatri Shqiptar Moisiu”, për të cilin drejtorët u zotuan se do të ketë karakterin lëvizës dhe do të organizohet edhe në Tiranë dhe Prishtinë. Pra, në Shkup do ta kemi sërish pas tre viteve! Deri atëherë do të ketë kohë që me këmbë në tokë t’ia mendojmë më të mirën këtij eventi kombëtar që mbahet në prag të festave të Nëntorit!

Në Shkup ky event u organizua nën përkujdesin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive Etnike? Në fakt, ishte fat që kjo iniciativë u ngrit në momentin kur në krye të kësaj ministrie ishte një shqiptar (Atan Grubi). Megjithatë, për një event të tillë nuk është fare e thirrur kjo Ministri, por Ministria për Kulturë! Ai nuk duhej të ishte aq shumë i entuziazmuar se ia dolëm ta përcjellim një festival teatral, por duhej që ta shfrytëzonte pozitën e lartë dhe të urdhëronte Ministrinë e Kulturës që urgjentisht të ngrejë iniciativë për themelimin e Institucionit Kombëtar “Festivali i Teatrit Shqip – Moisiu”! Dhe, a duhet të jetë festival apo manifestim? Çka është njëra e çka tjetra në syrin e Ministrisë për Kulturë!

Festivali si OJQ dhe si institucion nacional

Në bazë të konceptit të politikave kulturore që janë ngritur prej kohësh në këtë Ministri, manifestimet  janë evente kulturore ku marrin pjesë më shumë subjekte kulturore, që mund të zgjasin disa ditë dhe që mund të organizohen nga subjekte të ndryshëm. Përkrahja financiare e Ministrisë nuk është e plotë, mund të jetë modeste apo simbolike. Mund edhe të mos e ndihmojë fare duke e konsideruar si manifestim jo të denjë apo jashtë politikave të shprehur në strategjinë kombëtare për kulturë!

Festivalet janë evente më serioze, mund të organizohen edhe nga subjektet fizike apo edhe nga ato juridike, por që janë private! Festivalet e vërteta, për të cilat gjithmonë ka një buxhet të sigurt shtetëror, i cili asnjëherë nuk guxon të zvogëlohet më pak se buxheti i vitit paraprak, janë ato festivale që janë të ngritura në Institucione Nacionale! Një institucion i tillë, pavarësisht se kush është në krye të Ministrisë së Kulturës (shqiptar apo maqedonas), pavarësisht se çfarë sistemi politik do të zhvillohet në shtet, ai gjithnjë do të jetë institucion nacional për buxhetin e të cilit kujdeset ministria gjegjëse, respektivisht, vetë shteti! Institucioni nacional ka të punësuar, ka zyrën e vet, ka drejtorinë, bordin drejtues, ka xhirollogarinë e vet, ka buxhetin, ka kompetencat dhe përgjegjësitë e veta. 

Festivali “Teatri Shqiptar Moisiu” duhet të jetë në nivel të Institucionin Nacional “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, apo të IN “Mbrëmjet Operistike të Majit”, apo IN “Vera e Ohrit” etj. etj. Vetëm Festivali “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” ka buxhet që Institucionit ia mundëson shpenzimet vjetore sa të gjitha shpenzimet që ndahen për një vit për projektet kulturore shqiptare.

Ndryshe, shqiptarët kanë plotë manifestime private e gjysmë private, nëpër të cilat drejtuesit zgjidhen vetë drejtorë e vetë arkëtarë, vetë organizatorë e vetë shoferë. Është koha që subjektet tona të jenë më të ndërgjegjshme, më seriozë në punë dhe mos të tallen me projektet madhore kombëtare në sferën e kulturës. Ish-zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Sistem Politik, z. Artan Grubi, do të bënte mirë që menjëherë të ngrehte iniciativën e themelimit të këtij Festivali në Institucion Nacional, sepse festivale si ky i “Moisiut” shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë plot. Nuk i duhet edhe një, aq më pak një të atillë të cilës, në mënyrë naive, zot i del një parti politike! Të bëhemi seriozë dhe të themelojmë të paktën një festival teatral me “themele në tokë”, dhe jo të bëjmë diçka që vit për viti vjen duke u zbehur e duke u shuar, apo edhe më keq, të kemi edhe një “festival lypës”, sepse në mungesë të buxhetit stabil edhe do të kërkohet lëmosha! U.d. drejtoresha e Teatrit, Vjollca Bekteshi, do të duhej të takonte fillimisht zv.kryeministrin e parë aktual, z. Izet Mexhitin dhe t’ia përcillte atij kërkesën e të gjithë artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që të kërkojë nga Ministria e Kulturës që sa më parë të inicojë ngritjen e këtij Festivali nga “OJQ” në Institucion Nacional.

Festimi i “Marrëveshjes” pa kornizë

Një ngjarje me peshë historike, data e së cilës festohet çdo vit, ka karakterin ose të ngjarjes kombëtare ose ndërkombëtare. Si e tillë nuk guxon të ngulfatet në lukthin copë-copë të interesave partiake, sepse e ka të garantuar dështimin dhe harresën! Ngjarjet e tilla shënohen ekskluzivisht nga institucionet shtetërore, sepse gëzojnë autoritetin e institucionit nacional! Pavarësisht se nga cili pushtet drejtohet shteti e shoqëria, ngjarjet e tilla do të shënohen përjetë, nën organizime profesionale dhe gjithëpërfshirëse!

Nëse shënimi i ngjarjeve me peshë historike bie “në kompetenca” partiake, nëse organizohen tribuna shkencore, debate publike, manifestime kulturore të drejtuara nga ndonjë “këshill kombëtar” partiak, atëherë ngjarja është përdhosur dhe devalvuar deri në shuarje dhe në hedhjen e saj në harresë. Përkujtimi i ngjarjeve kombëtare nuk mundet dhe nuk guxon të ketë karakter partiak, siç nuk mund të ketë peshën kombëtare asnjë ngjarje partiake!

“Marrëveshja kornizë e Ohrit” është një ngjarje kombëtare dhe shtetërore, e arritur nën garancitë e faktorit ndërkombëtar! Përgjatë këtyre dy e më shumë dekadave ,kjo ngjarje, fatkeqësisht, jo njëherë u personalizua, për më keq, u partizua, ndonëse u ngrit në nivelin e dikasterit më vete, në institucion shtetëror! Nga një peshë kombëtare, degradohej në rëndësi partiake duke u përimtësuar deri në kotësi, sidomos përgjatë fushatave partiake.

Kjo ngjarje është shënuar çdo vit, qoftë përmes tubimeve partiake, qoftë përmes tubimeve shkencore (edhe këto partiake), ku vazhdimisht raportohet për sukseset e partisë që i ka arritur falë kësaj Marrëveshje!

Vitin e kaluar, “Marrëveshja e Ohrit” iu dedikua rinisë shqiptare dhe u shënua me një koncert madhështor ku morën pjesë emrat më të famshëm të muzikës sonë argëtuese. Te Sheshi i Skënderbeut para një numri të madh të të rinjve performuan Noizy, Mc Kresha, Lyrical Son, Ledri, Ylli Ilmani, Tuna dhe Bardhi. Ky “Peace Festival” dy vite radhazi u organizua nga ana e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive që udhëhiqej nga Artan Grubi. Të gjithë yjet e muzikës sonë argëtuese sapo ngjiteshin në skenë kërkonin që ky festival të jetë i përjetshëm, sepse “Shkupi e meriton një festival të këtillë”, dhe e falënderonin z. Grubin për organizimin e manifestimit! Ja që, “padashur” koncerti-manifestimi mori ngjyrime partiake! Artan Grubi ishte zëvendëskryeministër i RMV-së, ndërsa ministria e tij nuk do të duhej të ishte produksion që merret me organizimin e festivaleve, manifestimeve dhe eventeve kulturore e shkencore. Nëse merret si e tillë, atëherë kjo do të përbënte një “kundërvajtje”, sepse ky organizim paraqet konflikt të hapur interesi. Veç kësaj, festivali mbarëkombëtar zbret në nivelin e një manifestimi partiak, në vend se të rritet e të marrë karakterin ndërkombëtar: dhjetëra yje botërore të vijnë e të të performojnë për “Marrëveshjen e Ohrit”! Tani i ngelë pasuesit të Artan Grubi, zv. kryeministrit të parë aktual, Izet Mexhitit, që në një nga mbledhjet e Qeverisë, veç tjerash, këtë manifestim, për hir të të rinjve tanë, urgjentisht ta ngrejë në Institucion Nacional, i cili do ta ketë të garantuar buxhetin vjetor nga Qeveria, pavarësisht subjekteve politike që do ta drejtojnë pushtetin! Manifestimi duhet ta ketë drejtorinë e vet, duhet ta ketë këshillin organizativ përtej strukturave partiake, sepse manifestimi partiak nuk mund të shitet si “festival kombëtar”! Partitë shkojnë e vinë, ngelin eventet kombëtare. Eventet partiake vdesin ditën kur ikin partitë. E sa evente partiake që i patëm, sot as që mbahen mend! 

Sjellja kulturore dhe marketingu partiak

Sa mund të jetë kulturë (aktivitet kulturor) takimi i një lideri politik, qoftë ai i nivelit të lartë apo lokal me një krijues, me një artist, me një përfaqësues të denjë të kulturës shqiptare! Marketing politik do të thotë, shkurt, çdo aktivitet, çdo ndërmarrësi, që shkon në funksion të partisë e cila synon ngritje apo shtim të elektoratit të vet! Në këtë kontekst, gjithsesi që mund të mbahen evidencë edhe sjelljet kulturore të liderit apo të funksionarit partiak, të tipit “sot lideri takoi X artistin”, apo “sot kryetari takoi Y aktorin”, apo, “filan lideri ka takuar organizatorët e festivalit që u mbajt…”! Çka ka këtu kulturë? Çka ka këtu diçka përmbajtësore nga programi partiak për kulturë? Ku është këtu nderi që i bëhet artistit, shkrimtarit, piktorit, tenorit, balerinit etj.? Është problem më vete pastaj fjalia që tregon arsyen e takimit: sepse lideri na e paska sponsorizuar akcilin aktivitet të artistit? Pse a mos ishin paratë nga xhepi i liderit partiak?

Këto lloje të takimeve formale e të bezdisshme asnjë milimetër nuk e bëjnë më të madh as artistin dhe as “liderin”! Në fakt, më tepër manifestohet afiniteti i liderit për t’u tallur me personalitetin a artistit si dhe naiviteti i artistit për t’u bërë mjet manipulimi gjatë një marketingu partiak!

Ngjarje kulturore dhe informacion që do të duhej të ngjitej në rubrikën e kulturës në çdo media të shkruar apo elektronike, do të ishte gatishmëria e “liderit” për ta organizuar një pritje në formë të eventit kulturor! Nëse “lideri” takon një shkrimtar, le të jetë kjo një ngjarje kulturore e merituar, e shoqëruar me një agjendë ngjarjesh kulturore: me një promovim të krijimit të fundit, me një debat mbi krijimtarinë e shkrimtarit, e shoqëruar me ndonjë ekzekutim nga muzika klasike. Pra, takimi mos të jetë i formatit politik, por të jetë i formatit kulturor, në të cilën ngjarje, shkarazi mund të theksohet edhe ndonjë kontribut i liderit, i komunës, i ministrisë (pse jo, edhe i partisë!) që paska pasur në sukseset e shkrimtarit!

Nëse një funksionar partiak takon një artist nga muzika serioze, kjo nuk përbën asnjë lajm përveçse që flet për një sjellje kulturore të funksionarit, të cilën e aktivizon apo e shpreh sa herë të ketë nevojë për “vetë-madhërim”, sa herë që të hetojë se nga komuniteti i artistëve me një sjellje të tillë “kulturore” mund të sigurojë qoftë edhe vetëm një votë! Paradoksi arrin kulmin kur liferohet “lajmi” se ky takim qenka realizuar me dëshirë të artistit, me qëllim që t’ia dorëzojë një kopje të veprës si dhe ta falënderojë për përkrahje financiare! Në këtë markting politiko-partiak kemi një rrëshqitje të tmerrshme në “propagandë të zezë”! As në “takimin formal” dhe as në “financim nga subjekti juridik” nuk kemi asgjë kulturë! Kulturë do të ishte sikur “subjekti juridik” me paratë e taksapaguesve shqiptarë, të organizonte një promovim madhështor të veprës (letrare, muzikore teatrale, filmike…) së artistit të cilin do ta takonte dhe i cili do t’ia shprehte publikisht falënderimet si për sponsorizim ashtu edhe për eventin kulturor për nder të krijimtarisë së tij. Kjo po që është kulturë! Pse jo, le ta quajmë edhe si “marketing politik”, por ama do të jetë me një ngjarje kulturore, e cila, mbi të gjitha, flet për angazhimin partiak në kulturimin e vet, flet për sinqeritetin e funksionarit partiak që e ka në raport me artin, krijimtarinë, kulturën, rrjedhimisht, me artistët e mirëfilltë të kombit.

Si kurrë më parë sot është bërë jetike kulturimi i marketingut partiak! Jo takime me artistë, jo prezantime të “facave partiake” nëpër evente kulturore, jo sponsorizime të eventeve kulturore, por mbi të gjitha, për ta brumosur sa më shumë kulturimin partiak, duhet sa më shumë vente kulturore në shenjë respekti ndaj artistëve të kombit! Takimi i funksionarit partiak, për shembull, me aktorin e madh të Kombit, Reshat Arbanën, do të ishte përpjekje për të manipuluar politikisht mbi figurën e tij, kurse respekt e nder do t’i bëhej sikur të organizohej një recital i tij në mesin e elektoratit ku vepron politikani, apo lideri politik, e që takimi me artistin do të përbënte një “ngjarje sporadike”!

Leave a Reply

Your email address will not be published.