Profile
ÇARLS DIKENSI BRENDA DHE JASHTË VETES…
Një “personazh” i vizatuar gjallërisht nëpër romanet e tij është vetë Londra. Dikensi e përshkroi Londrën si një fanar magjik, duke frymëzuar vendet dhe njerëzit në shumë prej romaneve të tij
Përgatit: Xhahid BUSHATI
Studiues dhe kritikë kanë bërë vështrime, kanë analizuar, shpesh dhe qortuar figurën e Dikensit, edhe pse e kanë quajtur gjenial; edhe pse opusin romanesk e kanë quajtur pasqyrë e shoqërisë angleze, në të cilën jetoi dhe krijon Çarlsi i Madh. E, në këtë udhëtim vlerash që na la si testament Dikensi, po sjellim një thënie të Virgjinia Woolf: “… ne rimodelojmë gjeografinë tonë psikologjike kur lexojmë Dikensin, pasi ai prodhoi personazhe që ekzistojnë jo në detaje, jo saktësisht ose saktësisht, por një galeri tipash të pafund me zbulesa karakteresh të mahnitshme”. Ndërsa T. S. Eliot shkroi se Dikensi “shkëlqeu në karakter, në krijimin e personazheve me intensitet më të madh se qeniet njerëzore”. Një “personazh” i vizatuar gjallërisht nëpër romanet e tij është vetë Londra. Dikensi e përshkroi Londrën si një fanar magjik, duke frymëzuar vendet dhe njerëzit në shumë prej romaneve të tij. Ecja në rrugë (veçanërisht rreth Londrës) ishte një pjesë e zakonshme brenda vetes së tij njerëzore e brenda jetës së tij shkrimore, gjë që nxiste dhe bëhej promotor i krijimtarisë së tij. Dikensi dihej se ecte rregullisht, të paktën 19 km në ditë. Një herë shkroi: “Nëse nuk mund të ecja shpejt dhe larg, thjesht duhet të shpërtheja dhe të vdisja.”
Dikens-in nuk mund ta kuptojmë pa “David Koperfildin”, që konsiderohet si vepra më autobiografike e tij. Në faqet e romanit gjejmë të vizatuar portretet e shumë personazheve, që lexuesit, teksa kanë njohur romanin, i kanë njohur personazhet edhe në jetën reale. Ndaj, “David Koperfildi” konsiderohet nga kritika letrare si një autobiografi (ndoshta më e plota) e Dikensit. Skenat e rasteve të pafundme gjyqësore dhe argumenteve ligjore në ‘Bleak House’ pasqyrojnë përvojat e Dikensit si nëpunës ligjor dhe reporter gjyqësor, dhe në veçanti përvojën e tij të drejtpërdrejtë të vonesës procedurale të ligjit gjatë vitit 1844, kur ai paditi botuesit në Chacery për shkelje të së drejtës së autorit. Babai i Dikensit u dërgua në burg për borxhe. Kjo u bë një temë e zakonshme në shumë libra të tij, me përshkrimin e detajuar të jetës në burgun “Marshalsea” në Littele Dorrit. E gjitha kjo histori na rezulton e shkruar nga përvojat e vetë Dikens-it për institucionin. Lucy Stroughill, një e dashur e fëmijërisë, mendohet të ketë ndikuar në krijimin e disa portreteve të Dikens-it, dhe konkretisht: të vajzave, si: Little Em’ly (te “David Koperfildi”), Luçie Manette (te “A Tale of Two Çities”). Dikensi mund të ketë përdorur edhe përvoja të tjerë fëmijërie. Duke qenë nga natyra, pakëz i turpëruar, i mbajti “të fshehura” dhe nuk i zbuloi vend-in (apo -et) se ku i mblodhi rrëfimet e tij realiste për shumë plagë të mjerimit. Shumë pak ka informacione dhe detaje për jetën e hershme të Dikensit deri gjashtë vjet pas vdekjes së tij, kur John Forster botoi biografinë për Shkrimtarin, me të cilin krijuesi kishte bashkëpunuar gjatë. Në krijimtarinë letrare të Dikensit është i rëndësishëm edhe stili episodik, stil që është i lidhur në marrëdhënie me opinionet e lexuesve dhe të miqve të tij. Kështu, miku i tij, Forster ishte një ndihmesë besuese e tij në shqyrtimin e shumë drafteve paraprake që përgatiste Dikensi. Ai nuk kishte menduar të vriste Nellin e Vogël, por ishte në “udhëkryq”, por kur e lexoi Forster, e këshilloi t’i jepte linjën e argëtimit, si e vetmja mundësi e nevojshme për konceptimin e heroinës.
Romanet e Dikensit, ndër të tjera, ishin vepra të komentimit shoqëror. Simon Callow, shprehet: “Që nga momenti kur filloi të shkruante, ai foli për njerëzit, dhe njerëzit e donin për këtë”. Dikensi ishte një kritik i ashpër i varfërisë dhe i shtresëzimit social të shoqërisë viktoriane. Në një fjalim, ai shprehu besimin e tij, se “virtyti shfaqet po aq mirë në lecka dhe arna sa edhe tek ngjyra vjollcë apo te LIRIA e hollë (e pamjaftueshme e të jetuarit).”