Tregim
PËRTEJ PORTAVE TË FERRIT MË PRET MITSUKO
Xheni SHEHAJ
Sapo kisha zbrazur kovën e fundit për atë ditë me zift dhe po bëhesha gati të lija punën kur pashë engjëllin Brajan që më priste tek Portat e Ferrit. Dukej që kish ardhur për mua ndaj nuk kisha si ta shmangia. Shkova drejt tij. Engjëlli më hoqi udhë drejt daljes. Sapo kaloje Portat e Ferrit, para syve të dilte një fushë e madhe me kapanone të gjata. Në ato kapanone unë dhe ata si puna ime bënin orët e gjumit, grindeshim, masturboheshim, qeshnin e qanim. Netët tona ferrike kalonin në këto kapanone ku Zoti ynë na vizitonte hera-herës.
Brajani, më mori me vete teposhtë, andej nga lumi i zjarrit. Në fakt e vetmja gjë që doja ishte të shkoja në hapësirën time e të pushoja. Por mesa dukej kjo nuk ishte e mundur. U ulëm në dy gurë pranë lumit. Nxehtësia ishte e padurueshme mirëpo as mua e as shoqëruesit tim nuk na bënte përshtypje. Ishim mësuar me flakët e ferrit, nxehtësinë, llavën. Brajani, për fat të mirë, nuk i ra larg e larg bisedës por doli drejt e në temë. Kish ardhur për të më njoftuar se Lordi ynë kishte vendosur të më kthente në jetë. Por këtë herë do kthehesha në një tjetër formë. Do të kthehesha si mace.
Nuk po ndalem të rrëfej shndërrimin tim (se kjo nuk ishte asgjë për Lordin) por do ndaloj pak tek ndarja ime me miqtë. Pas bisedës me Brajanin, nuk shkova direkt në fjetore por shëtita buzë lumit. Flakët ishin të shtruara, digjnin, por jo fort. Mendova të kridhesha. Pastaj mendja më ndryshoi dhe u nisa drejt fjetoreve. T.36. ishte fjetorja ime dhe e atyre që në jetën e mëparshme kishin tradhtuar. U futa brenda. Fqinja ime në të majtë ishte Mitsumi, një 28 vjeçare nga Tokio. Në të djathë kisha një bullgare me emrin Bojana. Krevatet në kapanon ishin të llojit marinar. Edhe pse ne ishim shpirtra të dënuar, Lordi na trajtonte sikur ta kishim ende trupin. Unë flija poshtë, sipër meje flinte shpirti i një gruaje rome me emrin Lena. Nga këto tri gra rrethohesha e me këto më hahej muhabeti. Madje, e thënë mes nesh, me Mitsukon kishin puqur shpirtrat. Domethënë kishim bërë dy a tri herë dashuri.
Gratë e mësuan ikjen time dhe më duhet ta pranoj se të tria u mërzitën. Lena më këshilloi ta shihja si një mundësi. Iu afrova dhe ja putha shpirtin. E doja si nënë atë grua hallemadhe. Bojana më shihte çuditshëm aq sa nisa të ndihesha në siklet. Pa thënë asgjë u shtri në shtratin e saj dhe mbylli sytë. Nuk dija ç’ti thoja. Hodha sytë nga Mitsuko dhe pashë se ajo lotonte në heshtje. U preka. E ndjeva se ajo e vuante largimin tim më shumë se të tjerat. U shtriva në pjesën time. Nuk e di sa kohë kaloi ashtu kur ndjeva shpirtin e lehtë të Mitsukos të shtrëngohej pas timit. Lena flinte. Bojana ish kthyer përmbys. Përqafova japonezen dhe ashtu ngërthyer na zuri gjumi.
Mëngjesi na gjeti shtrënguar. Agnoni, engjëlli kujdestar i fjetores i ra alarmit. Shpirtrat nisën të zgjoheshin. Një tjetër ditë i priste në flakët e ferrit. Ndërsa mua më priste një tjetër jetë. U ndava me Mitsukon duke qarë. Më puthte e nuk shkulej. I premtova se kurdoherë që të mundja apo të gjeja mundësinë do vija tek ajo për të bërë dashuri. Nuk di a më besoi por fjalët e mia e qetësuan.
Engjëlli Brajan më priste tek lumi. Bashkë me të shkuam në zyrën e Lordit. Lordi po pinte një kafe amerikane shoqëruar me kroisant me krem vanilje. U përshëndetëm. Nuk m’u duk në formë ndaj dhe nuk i dhashë gojës. Prita në heshtje e me përulësi verdiktin e tij. E teksa prisja u befasova e mend u inatosa me të kur me një të kërcitur të gishtave të tij isha kthyer në një mace krop të zezë. Po përse dreqin duhet të më bënte të zezë kur ka plot ngjyra të tjera? Teksa po shihja putrat e mia e dëgjova tek i thoshte Brajanit që të më flakte jashtë Portave të Ferrit. Ashtu ndodhi. Pa pulitur ende qepallat e mia prej maceje e gjeta veten në rrugë. Ishte një rrugë fshati e pashtruar. Nisa të ecja asaj udhe. Kish filluar kështu jeta ime prej maceje rrugësh.
Aventurat e mia si mace nuk kanë fund. Por nuk është ky rasti për t’i rrëfyer. Me shumë gjasë do ti zbuloj ato një tjetër herë. Uria, kërcënimet, dëmtimet nga njerëzit, gurët, sharjet, kotheret e thata të bukës, konservat e mishit, gjumi, e shumë e shumë ndodhi të tjera meritojnë një libër të tërë. E unë jam ende e pafuqishme të rrëfej gjithë ç’kam kaluar. Por para se ta mbyll rrëfimin e transformimit tim, dua të tregoj tentativat e mia për të gjetur një skutë për tek Mitsuko. Më mungonte shpirti i saj, më mungonte dashuria, seksi, puthjet, gjithçka e saja. Do ta pranoja sërish ferrin me flakët, llavën, vuajtjet vetëm të isha me të. Por ajo ishte shpirt, ndërsa unë mace, një mace e zezë.
Në ëndrrat e mia prej maceje, Mitsuko shfaqej çdo natë duke qarë e psherëtirë. Shpirti i saj po vyshkej pa shpirtin tim pranë. Kur zgjohesha në vend të mjaullimave dukej se rënkoja. Derisa një ditë vendosa ti qasem Portave të Ferrit. I rashë kryq e tërthor për të gjetur ndonjë vrimë, ndonjë të çarë por asgjë. Më digjte shpirti kur mendoja se matanë portave, në fjetoren T.36 ndodhej Mitsuko. Kaloi java dhe unë endesha përreth kufijve të ferrit. Atëherë vendosa të bëja atë që do më çonte pranë saj. Do ti dilja para ndonjë makine. Por para se të vetëvritesha duhej të bëja mëkate nga më të rëndat në mënyrë që shpirti im të shkonte në ferr.
Për një javë nuk kam lënë gjë pa bërë. Helmova tri njerëz, i nxora syrin një fëmije, infektova me kthetra një vajzë që po më përkëdhelte, shkatërrova shtëpinë e një çifti, shqeva divanët, bëra për në kosh gjithë rezervat ushqimore, pshurra krevatin dopio, rrëzova televizorin (që u thye çuditërisht) e plot prapësi e ngatërresa të tjera. Por ajo që më shijoi më shumë ishte kur pijanecit të pastrehë i bëra çiçin drejt e në gojë teksa flinte me gojë hapur. Ah, për pak harrova. Ky ndoshta është dhe krimi që do më hapte edhe njëherë dyert e ferrit. E ç’është tradhtia para kësaj. Një natë pa hënë i dola para në rrugë një familjeje që po lëvizte me makinë. Burri u tremb aq shumë sa humbi kontrollin e mjetit dhe u përmbysën. Asnjë nga ata nuk mbijetoi. Çova në botën tjetër burrin, gruan dhe tri fëmijë. Të nesërmen pa ngrënë as mëngjes dola në rrugë të madhe. Ajo që prisja e dëshiroja ndodhi. Një autobus shkolle më palosi në asfalt dhe për të mos llahtarisur fëmijët vijoi rrugën pa u ndalur. Trupi im prej maceje qëndroi për ditë me radhë në asfalt derisa u qelb.
E ndoqa pas engjëllin Brajan deri tek zyra e Lordit. Ai qëndroi jashtë ndërsa unë hyra. Lordi më priti buzagaz.
– Çkemi shpirt i dashuruar? – ia pat ai.
Buzëqesha. Lordi e kishte kuptuar se isha kthyer për Mitsukon. Më tha se ajo nuk e kishte marrë veten që pas largimit tim.
– Shko tani dhe bëj atë që di të bësh më mirë. Duaje!
Përkula kokën dhe dola. I shkela syrin Brajanit dhe nxitova drejt folesë ku ndodhej dashuria ime. Mitsukon e gjeta me lot në sy. U puthëm, u qafuam dhe mungesën e atyre javëve e mbushëm në shtratin e saj, në fjetoren e tradhtarëve me numrin 36. Pasi u ngopëm me njëra – tjetrën, nisa ta pyesja për mikeshat e tjera. Atë ditë qëndruam shtrënguar pa lëvizur. Të nesërmen, Bojana më njoftoi se më kërkonte Lordi. U takuam dhe nisëm të ecnim përgjatë lumit.
– Kuptova se ti ke rënë në dashuri. Kjo është gjë e mirë por ti ke bërë krime e nuk mund të dalësh nga këtu. Lordi i Dritës nuk të pranon në atë vendin e sheqerosur me emrin Parajsë. Por mua më vjen keq të të mbaj ende ty dhe Mitsukon në kapanonin e tradhtarëve ndaj do t’ju largoj nga këtu.
Unë heshtja. Lordi i Errësirës vazhdoi:
– Ti dhe Mitsuko do vijoni të jetoni në Ferr por jo mes tradhtarëve e mëkatarëve të tjerë. Do t’ju vendos në Lëndinën e Zjarrit. Ti dhe ajo mund të jetoni aty, mund të vazhdoni të punoni aty ku ishit më parë por e veçanta është se Lëndina do jetë vetëm për ju.
Kisha mbetur pa gojë nga zemërgjerësia e Lordit tim. U gjunjëzova duke i puthur këmbë e duar dhe pasi mora çelësat e Lëndinës së Zjarrit vrapova të gjeja Mitsukon. Nga ajo ditë Lëndina e Zjarrit u bë çerdhja jonë.
Kanë kaluar mijëra vjet, kemi vdekur e jemi ringjallur. Kemi marrë forma nga më të ndryshmet, jemi larguar, jemi rikthyer sërish por kurrë nuk kemi tradhtuar. Unë dhe Mitsuko qëndrojmë stoike në Lëndinën e Zjarrit. Mes shpirtrave të robëruar tashmë jemi kthyer në legjendë. Parajsën e neverisim dhe kurrë nuk do ta ndërronim me Lëndinën tonë. Vazhdojmë të duhemi, të ndjehemi, të bëjmë dashuri, të punojmë e jetojmë, vazhdojmë të jemi falënderuese ndaj Lordit të Errësirës.
Lavdi emrit të tij!