Tregim/Tatjanë DISHNICA
QENI NËN HIJEN E VDEKJES
Në një qytet të ngrirë nga mjegullat e vdekjes së madhe, ku çdo gjë kishte marrë një ngjyrë të dëshpëruese dhe ku çdo lëvizje bëhej si në ëndrrat e makthshme, një ngjarje e çuditshme u shfaq për të ngelur përjetë si një kujtim absurdi. Në mes të errësirës së një bote që po mbyllej në sëndukun e përjetësisë, një qytetar i zakonshëm, që nuk mund të thuhej se kishte shumë lidhje me jetën e përditshme të të tjerëve, e ndjeu se diçka e çuditshme do të ndodhë. Pati një ndjenjë të lehtë, si ai i një zogu të vogël që fluturon për here të pare përtej çerdhes së vet për të zbuluar diçka që ai nuk mund ta kuptonte ende. Një mëngjes të ftohtë, i ngarkuar me një ndjenjë të pandërprerë trishtimi, ai kaloi përpara shtyllës së betoni të lagjes së tij, një shtyllë ku gjithmonë ishin vendosur njoftime për funerale. Atë ditë, megjithatë, nuk ishte si çdo ditë tjetër. Të katër njoftimet e zakonshme e të zymta, ishin këtu. Këto njoftime vdekjeje ishin më shumë se sa thjesht një shenjë e humbjes. Nën çdo fletë, në çdo foto, fshiheshin dhimbjet e jetëve të shkurtra që ngjallnin përmbysje. Pas njoftimit të katërt mbi një te ri të vdekur, një tjetër lajmërim u ngjit në shtyllën e betontë. Lajmërimi kishte një foto të një qeni të madh dhe të pamëshirshëm, një bulldog që shikonte drejt kamerës me një shprehje të dhembshme, që as që mund të kuptohej.
Njoftimi ishte i thjeshtë: “Me dhimbje njoftojmë se kemi humbur Qenin tonë të dashur, Xhoni, 2 vjeçar. Kush e gjen dhe na njofton shpërblehet me 250 euro”! Dikush kërkonte vëmendje për një qen, në një periudhë kur njerëzit po humbnin të dashurit e tyre, kur gjithçka ishte kthyer në një lemeri. Ky lajmërim, i shpërndarë në mes të pasigurisë dhe tmerrit të pandemisë, ishte si një goditje fatale mbi një kryq të improvizuar me ashkla drunjësh të kalbur që po ngulej thellë në shpirt. Një zonjë plakë, që po kalonte aty pranë, nuk u durua pa e ngjitur në atë shtyllë betoni një kundër-njoftim. Ishte një thirrje për ta trazuar logjikën, një ngjarje që kishte nevojë për një kuptim më të thellë. Ajo shkroi diçka të thjeshtë dhe të shkurtër, një fletë të vetme që do të përmbante më shumë sesa thjesht një mesazh të zakonshëm: “Qeni juaj u gjet. Është i sëmurë me Covid dhe është në reanimacion. Mjekët e spitalit të stërmbushur me të vdekur nga pandemia rekomandojnë urgjentisht dërgimin në Turqi… Ju lutem, nxitoni!”
Ndërsa po kthehej në shtëpi, pronarit të qenit VIP i ra në sy ky kundër lajmërimi! Sakaq, e ndjeu të panevojshme çdo përpjekje për t’u shndërruar në heshtje, çdo përpjekje për t’u fshehur nga një realitet që e kishte bërë të huaj për veten. I shpërtheu një e qeshur e çuditshme, e thellë dhe e lënduar. Pastaj, iku me vrap nëpër shtigje të padukshme, si një erë që ngrihej nga dheu i shkrirë i qytetit që po shndërrohej në varrezë kolektive. Sërish, si një fantazmë e mjegullt, do të shfaqet para shtyllës së lajmërimeve mortore. Duke kërkuar të shpëtonte një jetë që nuk po kërcënohej nga askush e pa veten të ngatërruar në një luftë të brendshme. Nuk ishte një luftë mes tij dhe të tjerëve, por mes tij dhe të gjithë asaj që nuk mund ta kontrollonte më. Ishte një betejë që, gjithnjë e më shumë, ngjante me atë të një deti të paqëndrueshëm që lëvizte gjithçka në përpjekje për të arritur një port të humbur. Dhe kështu, i zbërthyer nga e gjithë kjo valë e paqëndrueshme që tërhiqte gjithçka, ai e kuptoi se kjo ishte një luftë që nuk duhej të fitohej, por duhej të përjetohej. Ishte një betejë për një thjeshtësi që shpërtheu në çdo hap të jetës, një thjeshtësi që mund të ishte më shumë se një periudhë. Dhe kështu, ai, duke qëndruar në atë rrugë të ngatërruar të qytetit të ngrirë, para asaj shtylle të zisë, e kuptoi se ndoshta një ditë, do të mund të kthehej në një jetë më të thjeshtë, në një jetë që do të kishte kuptimin e këmishës së vdekjes dhe shiritit filmik të kujtesës që ruan dashurinë që ishte më e fuqishme se çdo absurditet.