Letër nga diaspora

TA NJOHIM VETEN EDHE PËRMES EMRAVE TË RRUGËVE

Brezat e rinj, pavarësisht se mësojnë edhe historinë shqiptare, është fare pak e besueshme se dinë se kush kanë qenë shumë figura, emrat e të cilëve i mbajnë rrugët tona. Sidomos, fëmijët e bashkatdhetarët tanë që janë lindur dhe shkolluar jashtë atdheut të prindërve të tyre

Neviana SHEHI/ ITALI

Emrat e rrugëve kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm për orientimin dhe funksionalitetin e jetës së përditshme, por edhe për ruajtjen e historisë, ruajtjen identitetit kulturor dhe përforcimin e lidhjeve shoqërore. Janë një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës urbane.

Shumë shtete, kur bëhet fjalë për emrat e rrugëve, kanë krijuar dhe zhvilluar forma të ndryshme dhe interesante të karakterit informues e sqarues. Në Itali, për shembull, ka edhe tabela, në të cilat krahas emrit dhe mbiemrit të personalitetit që emërton një rrugë të caktuar, kalimtarët kanë rastin të lexojnë edhe sqarime të shkurtra, përkatësisht me dy – tri fjalë tregohet se kush ka qenë ai personalitet. Për shembull, të paktë janë ata italianë që e dinë se kush ka qenë, bie fjala, Michele Novaro (1818 – 1885). Por, kur e lexojnë sqarimin plotësues nën emrin e tij, atëherë kuptojnë se personaliteti me emrin e të cilit është emërtuar rruga, pra Michele Novaro, është kompozitori i himnit të Italisë.

Tek ne, brezat e rinj, pavarësisht se mësojnë edhe historinë shqiptare, është fare pak e besueshme se dinë se kush kanë qenë shumë figura, emrat e të cilëve i mbajnë rrugët tona. Sidomos, fëmijët e bashkatdhetarët tanë që janë lindur dhe shkolluar jashtë atdheut të prindërve të tyre. Është shumë normale që ata të mos e dinë se kush ka qenë Pashko Vasa, Shtjefën Gjeçovi, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Gjerasim Qiriazi, Jeronim De Rada, Jusuf Gërvalla, e shumë e shumë të tjerë. Prandaj, që të bëhet një lëvizje e vogël, është mirë që në tabelat e rrugëve tona, aty ku figurojnë emrat e shquar të historisë e kulturës shqiptare, të shënohen edhe dy-tri fjalë që japin një sqarim më të plotë rreth atyre figurave. Në këtë mënyrë, para se gjithash, shqiptarët do të mësonin më shumë për galerinë e madhe të personaliteteve të shquar të kombit, por edhe të figurave tjera që i kanë kontribuar mbarë njerëzimit.

Emrat e rrugëve, siç dihet, janë të domosdoshëm për udhëtimin dhe lëvizjen në qytete dhe zona të ndryshme. Ata ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjeve dhe ndihmojnë njerëzit të orientohen, qoftë për të shkuar në një vend të caktuar, qoftë për t’u njohur me një qytet të ri. Emrat e rrugëve, në fakt pasqyrojnë ngjarje historike, personalitete të rëndësishme, apo elemente të kulturës lokale. Ata mund të jenë të lidhur me periudha të ndryshme të zhvillimit të qytetit, si dhe me ngjarje që kanë formuar identitetin e një kombi ose një zone.

Në qytetet që kanë popullatë të përzier, në shumë raste emrat e rrugëve shfaqen në disa gjuhë, duke u siguruar që ata që nuk flasin gjuhën lokale, të mund të kuptojnë dhe të orientohen. Kjo është një gjë e mirë dhe dëshmi qytetërimi.

Emrat e rrugëve në një mënyrë sikur japin një ndjesi të lidhjes dhe përkatësisë me një komunitet apo komb. Përdorimi i emrave të figurave historike, heronjve kombëtarë, apo ngjarjeve të rëndësishme kontribuon në forcimin e identitetit kolektiv. Disa emra mund të jenë të lidhur me legjenda, ngjarje mitologjike ose tradita të lashta që kanë një rëndësi të madhe për kulturën dhe historinë e një vendi. Emrat e rrugëve gjithashtu mund të ndihmojnë në krijimin e një identiteti të përbashkët për banorët e një zone. Kur një rrugë merr emrin e një ngjarjeje, një vendi apo një simboli të njohur, banorët ndihen më të lidhur me historinë dhe kulturën e tyre.

Nevoja për ta njohur vetveten është një çështje e përhershme dhe kjo mbase reflektohet edhe në emërtimin e rrugëve me personalitete të njohura, ngjarje historike apo me vendndodhje gjeografike. Ndër breza është ndjerë, ndjehet dhe do të ndjehet kjo nevojë e njohjes së indit kombëtar. Këtë, për të mos u harruar kurrë, sot duhet ta bëjmë ne, kurse nesër ata që vijnë pas nesh. Pra, edhe përmes emërtimit të rrugëve, ta bëjmë atë që na takon ta bëjmë për të mirë e të gjithëve, sidomos për ata që nesër do të krenohen për rrënjët e prindërve e gjyshërve të tyre.

Viktor Hygo me një rast pati thënë: “E çfarë është historia? Një jehonë e së kaluarës në të ardhmen; një pasqyrim i së ardhmes në të shkuarën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.