Skulptura e Skënderbeut, është figurë simbol, është arketip që e vë në lëvizje procesin e rikrijimit në kohën e qenies kolektive, është formë simbolike që na kthen në origjinë
Afrim REXHEPI
Sipas teorisë fenomenologjike të Hartmanit, skulptura është shpirt i objektivizuar, është lidhja midis materies dhe shpirtit, është lidhja midis reales dhe joreales, është vet fenomeni estetik. Struktura e formës së përshkallëzuar përbëhet nga dy plane: plani i parë (Vordergrund) dhe plani i dytë (Hintergrund). Plani i parë (Vordergrund) është i jashtëm, është material, është real, mund të shihet dhe preket. P.sh. në poezi janë fjalët; në pikturë janë ngjyrat dhe drita; në skulpturë janë guri dhe bronxa; në arkitekturë janë hapsira dhe masa; në muzikë janë koha dhe tingulli; në dramë janë gjestet dhe lëvizjet etj. Plani i dytë (Hintergrund) është plan metafizik, imagjinar, është joreal, nuk mund të shihet dhe preket, pra është shpirtëror. Plani i dytë është zonë metafizike ekzistenciale. P. sh. në poezi janë idetë dhe imazhet narrative; në skulpturë figurat dhe bota e tyre e brendshme; në muzikë shpirtërorja e formave; në dramë janë konfliktet dhe fatet e personazheve etj.
Për të qenë më të thellë dhe më sistematik në interpretimin estetik të figurës së Skënderbeut, objektet estetike skulptura Skënderbeu në Krujë nga JanaqPaço dhe poezia Portreti i Skënderbeut nga Ismail Kadare, do t’i analizojmë në bazë të konceptit estetik komparativ të estetit EtienSuriou. Estetika e tij, në thelb komparative, nuk merret vetëm me format e artit, por edhe me format universale kozmike. Tendenca për kapjen e formës së pastër (gjë që nuk mundi ta realizojë pasi edhe format abstrakte nuk munden pa përmbajtje) bëri përpjekje ta realizojë atë përmes katër planeve ekzistenciale:
– Ekzistenca fizike: nuk mund të bëhet skulptura pa material ndërtimor, gurë, bronz, apo nuk mund të bëhet poezia pa fjalën, shkrimin etj.
– Ekzistenca fenomenologjike: nuk mund të ketë vepër artistike, nëse akti i perceptimit nuk shkakton efekt estetik – nëse nuk funksionon estetika e kontaktit – relacioni objekt estetik – recipient. Nuk mund të ketë skulpturë që nuk mund të preket, nuk mund të ketë poezi që nuk mund të lexohet. Figura e Skënderbeut në skulpturën e Paços, është e vendosur në konturat tredimensionale, me proporcione të estetikës klasike. Shohim figurën e formësuar, të ngrirë, figura qëndron e qetë, nuk lëviz, nuk jeton. Në poezinë e Kadaresë lexojmë shkrimin diskursiv, të formësuar në katër katrena, me sistem të rimuar abcb.
– Ekzistenca figurë: materiali i shkrirë në bronz zbulon dhe evokon njëkohësisht figurën, shenjën apo qenien, apo loja me fjalë në poezi zbulon dhe evokon figurën diskursive. Relacioni estetik – percepsioni mundëson të shohim, të perceptojmë më thellë. Në skulpturë perceptojmë figurën në lëvizje, perceptojmë shpirtin e figurës, perceptojmë figurën në aksion, perceptojmë forcën, madhështinë dhe bukurinë e figurës së Skënderbeut. Vetëm forma e jashtme e aksionit është e fiksuar në figurë. Skënderbeu qëndron mbi kalë i ngurtësuar, njëkohësisht perceptojmë dinamikën e jetës së tij. Relacioni estetik objekt estetik – recipient definon figurën koekzistencëtë reales dhe joreales. Në poezinëPortreti i Skënderbeut nga Ismail Kadare, opozicionet semantike dielli – hëna, dita – nata definojnë Skënderbeun figurë oksimoron – koekzistencë e entiteteve të kundërta. ”Një emër Gjergj kish si diellin, Tjetrin si Hënën Skënderbe”. “Atë që bënte ditën Gjergji, plotësonte natën Skënderbeu”. Sikur akti perceptiv mundëson konstatimin e Niçes, “bëhu gjithçka në atë që je. Ik nga gjithçka, por jo nga vetja, sepse në të është fillimi dhe mbarimi yt”. “Të vetmen kish veç Shqipërinë”. Të qenët në qenie – definon MartinHajdeger.
– Ekzistenca transcendentale: përmbajtja e objektit estetik, ideja esenciale, kualiteti metafizik i saj. Ajo që intrigon në interpretimin psikanalitik të figurës së Skënderbeut në dimensionin estetik (objekti estetik), është dallimi midis teorisë psikanalitike të SigmundFreud, e definuar si nënvetëdije subjektive dhe teorisë psikanalitike të Karl G. Jung, e definuar si nënvetëdije objektive. Dallimi qëndron në faktin “gjithçka çka është e nënvetëdijshme, njëkohësisht është e projektuar në realitetin fizik”. Për dallim nga SigmundFreud, i cili teorinë e tij psikanalitike e betonizon brenda trupit a psikës, Karl G. Jung krijon metodën e amplifikimit, metodën që lidh format kulturore-historike, edhe atë ato forma të cilat janë me qindra a mijëra vite larg nesh. Në kontekst, projektimi i fushave të shpirtit, nënkupton zbulimin e strukturave, siç është dominanta psikike ose arketipi. Sipas teorisë psikanalitike të Jungut, vepra artistike (në kontekstin tonëfigura e Skënderbeut), është nënvetëdije kolektive, është arketip, është energji, është dinamizëm shpirtëror që entropon, duke na (ri)pozicionuar në kohë. Karl G. Jung besonte që njeriu mund të bëhet i plotë vetëm në harmoni me forcat e arketipeve. Simbolet dhe arketipet janë pjesë përbërëse e nënvetëdijes kolektive të subjektit dhe njeriu fillimisht i zbulon ato në ëndrrat e tij, pikvështrime të zbuluara, shumë funksionale në zhvillimin kognitiv të subjektit. Përmes zhvillimit të njohurive ku mundësohet që nënvetëdija objektive individuale të integrohet në nënvetëdijen objektive kolektive, subjekti ndërton personalitetin e tij të plotë. Pra arketipet janë forma simbolike që na (ri)pozicionojnë në realitetin fizik.
Sipas teorisë së arketipeve të Karl G. Jung, nënvetëdija kolektive është baza, është psika më e thellë e përbashkët për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohërat. Gjithnjë sipas Karl G. Jung, ekziston vetëdija e sistemuar apo zanafilla mitike e mendimit tonë që natyrshëm paraprin e që na nxit të mendojmë kolektivisht. Skulptura e Skënderbeut, është figurë simbol, është arketip që e vë në lëvizje procesin e rikrijimit në kohën e qenies kolektive, është formë simbolike që na kthen në origjinë.