UDHËTARI

Tregim

Fatmir Minguli

Ai nuk kishte udhëtuar kurrë në jetën e tij dhe çuditërisht kishte udhëtuar në shumë vende të botës. Kishte lexuar shumë nga “Udhëtimet e Guliverit” të Xhonatan Suiftit, dhe kishte përpirë pothuaj të gjithë librat e Zhyl Vernit që nga udhëtimet e nëntokës, të qiellit dhe udhëtimet e kapitenit Hateras. Por, në jetën e tij, asnjë udhëtim nuk kishte bërë. I vetmi udhëtim ishte ai nga Durrësi në Kavajë kur e fejuan me një kavajase. Ishte një udhëtim me tren i atyre viteve. Po ishte në moshë krejt të re dhe peizazhet që shfaqeshin anëve të dritareve të vagonit ai pothuaj se i kishte harruar.

Por tani në një moshë pak a shumë të mesme, apo si të thuash në majën e parabolës së jetës ai vinte çdo ditë te “Xhoni Kafe”, jo për të pirë kafen e mrekullueshme që bëhej aty, por për një fakt që ndoshta vetëm ai e kishte zbuluar. Bari ndodhej në zemër të sheshit të autobusëve, brenda hapësirës fatlume që përcillte udhëtarë, udhëtarë që kishin zgjedhur dikush autobusët, dikush tragetet e dikush ndonjë mjet tjetër.

– Sot po nisem për në Firence – tha ai i vendosur katërçipërisht – i kam marrë të gjitha që nga pasaporta dhe veglat e rrojës, edhe bllokun e ditarit që do të mbaj sidomos te muzeu Uficci, edhe pastën e dhëmbëve e kam futur me kujdes…

Njerëzit që kishin prenotuar për në Firence, ishin grumbulluar pranë derës së autobusit dhe i tregonin biletat dhe tregonin bagazhet që prisnin me padurim t’i sistemonin në pjesën e poshtme të autobusit. Disa bërtisnin dhe udhëtarit i vinte plasje. Përse duhet të bërtasin këta njerëz, kur ata do të hipin në këtë autobus si aeroplan, ah, aeroplani, kur do të vinte dita apo radha që udhëtari të hipte në një nga avionët jo të Air Albania, por tek ato të Swiss Air ….Dikush e shtyu udhëtarin dhe mbas një sekonde e gjysmë i kërkoi falje. Po hipnin të gjithë në autobus. Shoferi mbylli derën pneumatike të përparme dhe të prapme dhe autobusi u nis.

Udhëtari po rrufiste kafenë në tavolinën e tij të preferuar dhe shihte gjithë kënaqësi se si autobusi doli nga sheshi i stacionit të trenit dhe mori drejtimin për nga hyrja te sheshi i trageteve.

Ai psherëtiu dhe papritmas kërkoi t’i sillnin një raki. Qazimi, kamarieri që kish mbi tridhjetë vjet që i shërbente, i solli teken e rakisë me gotë të madhe uji dhe i uroi udhëtimin për në Firence.

Udhëtari bashkë me pasagjerët që zbritën nga autobusi u drejtua te policia e kufirit për të vulosur pasaportën. Policja bionde e pyeti se ku do të shkonte dhe pse. Ai i tha se do të shkonte ne Firence te Uficci.

-Ou, sa mirë, bëji të fala xhaxhait tënd – tha ajo dhe e goditi fort fletën e pasaportës, duke e vulosur përjetësisht.

Duke pirë rakinë udhëtari po mendonte për atë policen se ku e njihte xhaxhain e tij. Me të vërtetë ai e kishte një xhaxha, po ai jetonte në Shkallnur të Durrësit. Për një moment mendoi me vete se edhe policia sot kishte arritur suksese të mëdha në botën kibernetike. E punë e madhe se i dha të fala, rëndësi ka që ai kaloi dhe postin e doganës.

Koha e mëngjesit po kalonte dhe arixhiu i vogël, Xhixhi, kërkoi atë pesëlekshin e përditshëm dhe udhëtari ia dha, ndërkohë që trageti ishte nisur dhe së shpejti do të mbërrinte në Ankona.

Udhëtari nuk e shijoi aspak kafenë në barin e tragetit dhe para se të hipte në autobus iu lut shoferit që ta pinte një kafe në interieret e portit të Ankonës.

– Vetëm në Durrës dhe në Ankona e bëjnë ekspresin ashtu siç duhet – tha me vete udhëtari.

-Kur u ktheve nga Firence?- po i thoshte Qazimi me një buzëqeshje të lehtë.

-Ja sapo u ktheva – i tha udhëtari me gotën e rakisë përpara që kishte shkuar gjer në gjysmën e nivelit të një tekeje – u ktheva me avion.

Qazimi e dinte fare mirë problemin e udhëtarit, por pse ta shqetësonte.

-Pse me avion – e pyeti me ngadalë ai udhëtarin.

Po, në fakt ndodhën ca gjëra dhe u detyrova të vija sa më shpejt, ja siç e sheh këtë rakinë, prandaj e porosita se ai kamarieri i aeroportit në Firence më mori pesë euro për një grapa që ishte tridhjetë gram dhe jo pesëdhjetë. Në aeroportin e Rinasit është më keq…

-Ej, këto aeroportet – tha me vete udhëtari duke menduar për disa syresh.

Kishte kaluar gati një gjysmë ore te Bar Xhoni dhe udhëtari po mendonte për udhëtimin e të nesërmes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.