MBI UNIVERSIN POETIK TE FATOS ARAPIT

“Universi…” e trajton Arapin në mënyrë poliedrike, duke paraqitur profilin e tij sa në poezi, aq edhe në mendimin etnologjik, në kritikën letrare, në prozë, dramaturgji dhe fushën e përkthimeve

Nuri PLAKU

Monografia “Universi poetik i Fatos Arapit” i autorit Bardhosh Gaçe është një prurje e re në botimet kushtuar poetit dhe një dimension i ri i vlerësimit të figurës dhe krijimtarisë së tij të gjithanshme. “Universi…” e trajton Arapin në mënyrë poliedrike, duke paraqitur profilin e tij sa në poezi, aq edhe në mendimin etnologjik, në kritikën letrare, në prozë, dramaturgji dhe fushën e përkthimeve.

Libri hapet me një analizë të hëollësishme të zhvillimeve në letërsinë shqiptare të viteve‘60 të shekullit të kaluar, duke krijuar kështu sfondin e plotë historik, për të inkuadruar profilin krijues të Arapit. Nëpërmjet kësaj analize, Gaçeristrukturon kontributin e brezit të ri të krijuesve të kësaj periudhe, të cilët u shfaqën si një “bum”letrar shoqëruar me reaksione dhe kundërshti të brezit paraardhës. Në këtë analizë të bie në sy fakti se ai nuk e veçon Arapin nga kolegët e tij, por e shoqëron atë gjithnjë midis tyre. Në këtë mënyrë, autori rikonfirmon mendimin kritik për hierarkinë e vlerave tona letrare, të cilat e vendosin Arapin në treshen më të mirë të krijuesve shqiptarë krahas Kadaresë dhe Agollit.

Monografinë Gaçe e pasuron me referenca nga të gjithë kritikët dhe studiuesit e letërsisë shqipe që janë marrë me Arapin, duke e kompletuar mendimin e tij me vlerësime të gjithanshme dhe elitare. Kjo tregon për një punë të thelluar, e cila e kthen librin në një botim serioz e mjaft të rëndësishëm. Por, ajo që të bije më shumë në sy, është dashuria e tij për poetin, të cilën e përdor si një “aureolë”pas çdo mendimi e çdo reference. Kështu, kur shkruan për tematikën e poezisë së Arapit, Gaçe veçon “me hatër” temën e detit e të vendlindjes dhe hedh dritë shpirtërore mbi interpretimin e saj. Ai citon pjesë nga studiuesi kosovar Sh. Galica, i cili jep inversin poetik të lamtumirës së Arapit “pa lamtumirë”, duke evidentuar pejëzat mikroskopike të lidhjes së poetit me Vlorën; jodin dhe kripën, të cilat i qëndrojnë në plasaritjet e buzëve. Pikërisht këtyre “pejëzave” Gaçe iu mbivendos “pikturën” poetike të Zvërnecit në ciklin “Perëndim dielli në Zvërnec.” Në interpretimin e Gaçes elementi poetik i Arapit merr më shumë dritë, e cila bie mbi vendlindjen e tij si një brerore që e shenjtëron atë. Kështu,  p.sh., tek poezia e dashurisë, krahas interpretimit të zakonshëm, ai krijon edhe një shtresim të ri të panjohur më parë për Arapin, sidomos te poezia “Tana”,ku përcakton karakterin e saj ekzistencial. “Poezia Tana në të vërtetë është e natyrës ekzistenciale, – thotë ai, – pasi brenda saj ka diçka hyjnore, apoe thënë ndryshe, diçka shenjtërore.”

”Tana,” një poezi e ngarkuar me mall e dhimbje të thellë njerëzore, është në të vërtetë një nga perlat e Arapit, një nga ato që e nxjerrin krijimtarinë e tij nga mjegulla soc-realiste në lirinë e epërme emotive. Gaçe e pasuron interpretimin e tij edhe me pasazhe nga intervista e Fatosit me Tanjën në vitin1987 dhe kjo e deshifron edhe më shumë kuptimin e saj. Madje, me këtë shtojcë, Arapi del më hyjnor se vetë poezia e tij.

T’i shtosh poezisë së Arapit shtresime të reja interpretuese, do të thotë të dëshmosh se ajo është burim i pashtershëm vlerash. Nga kjo pikëpamje, Gaçe me librin e tij sjell një kontribut të ri në mendimin kritik shqiptar, i cili duhet konsideruar një “mbivlerë” që i vendoset profilit krijues të Arapit.

Në monografinë e tij, Gaçe jep peizazhe interesante nga poezia e Arapit, duke “luajtur” me impulset energjike të mendimit. Ai analizon, komenton, interpreton në mënyrë lineare e befas shkëputet nga ky plan e del mbi kumtimin e vet. Kemi një hapësirë “bosh” të mendimit të tij, e cila i lë vendin e duhur perspektivës poetike të Arapit. Kështu, p.sh., kur shkruan për poezinë intime, ai thotë: “Janë poezi të një vokacioni të veçantë, një qasje e epërme në gjithë poezinë shqiptare, që kërkon analiza të veçanta interpretimi tekstual dhe estetik.” Ndoshta me këtë “analizë të veçantë interpretimi”autori presupozon një tjetër përmasë të munguar të Arapit, atë të relacionit me poetë të tjerë ballkanikë e europianë, që i kanë kënduar aq shumë detit dhe vendlindjes së tyre. Ky rrafsh krahasues do të hidhte më shumë dritë mbi potencën artistike të poezisë së tij dhe do ta zgjeronte rrezatimin e saj në universin e vet poetik. Një nga poetët ballkanikë që i kanë kënduar më shumë detit, është Ricos. Cili është relacioni poetik midis tyre? Po me poetët e Luftës së Dytë Botërore? Ka ardhur koha që poetët shqiptarë duhet të vihen në balancë me sivëllezërit e tyre bashkëkohorë, sidomos me ata europianë. Mjafton të veçojmë metaforën interesante:“Pulëbardha e ngjeshi gjurmën/ mbi zërat e bardhë të kaltërsive”ose: “Mu në mes të emrit Vlora vetë,/ futa një çafkëz që loz me rrufetë”për të nënkuptuar vendin e nderit që zë Arapi në këtë korrelacion. Ky impuls energjik i mendimit të Gaçes, kjo shkëputje nga plani i tij i gjykimit linear, është në fund të fundit një shprehje potenciale e poezisë së Arapit që dëshmon thellësinë dhe vazhdimësinë e saj në kohë e që ai, me thjeshtësi, nuk e konsideron aspekt të shteruar nga puna e vetë, por një mundësi interpretimi të së ardhmes.

Gjithsesi, Gaçe në monografinë e tij nuk e përjashton këtë dimension të Arapit. Ai e vendos poetin në kuadër europian, duke dhënë ndikimin e tij nga shkollat e zhvilluara letrare dhe rrymat e ndryshme, sidomos ajo e ekzistencializmit francez, strukturalizmit, apo ndikimit filozofik nga Shopenhaueri, Kiekergardi etj., kryesisht në poezinë e pabotuar apo atë të pasdiktaturës. Ai sjell gjithashtu edhe studimin korrelativ të Prof. Gradilone, i cili e kundron Arapin në pika takimi me disa prej poetëve më të mirë të letërsisë botërore. Ndërsa studiuesja E. Ymeraj sjell korrelacionin poetik me  “Fjalët” e Jose Saramango dhe “Ditë tiranase”të Fatos Arapit. Por, këto natyrisht janë fragmentare përpara sistemit metaforik të Arapit dhe korrelacioneve me poetë të tjerë, që hedhin më shumë dritë mbi poezinë e tij.

Një tjetër prurje e Gaçes në këtë monografi është edhe ndërtimi i “kurbës” poetike të Arapit. Kulmi i saj arrihet me ciklin kushtuar Vllasit. “Është cikli më i bukur dhe më me peshë në poezinë e Fatos Arapit,” pohon autori dhe ky konstatim harmonizohet edhe me mendimin e përgjithshëm letrar. Ky cikël e ngre Arapin në një dimension të paarritur më parë dhe as më pas. Te ky cikël “monument poetik” siç e quan Podrimja, Arapi e zhyt thellë e më thellë plugun poetik dhe nxjerr prej thellësisë perlat e mendimit të vet filozofik. Është pikërisht ky cikël që shpalos në mënyrën më të plotë e të kompletuar dimensionin europian të krijimtarisë së tij poetike. Këtu, ashtu si te “Tana”, Arapi thith të njëjtin ajër artistik me sivëllezërit e tij bashkëkohorë kudo që të jenë nëpër botë.

Një pikë takimi me letërsinë europiane janë edhe përkthimet e Arapit. Sjellja në gjuhën shqipe të Safos, Nerudës, Vapcarovit, Matevskit, Popovskit etj. tregojnë shijet e tij poetike dhe shërbejnë si piketa për orientimin e tij drejt artit botëror.

Një vend të rëndësishëm në monografi zë edhe mendimi letrar dhe etnologjik i Arapit. Ky kapitull hedh dritë mbi këndvështrimin kritik e letrar të poetit dhe trajton një tjetër dimension të tij. Ai analizon prurjet poetike të krijuesve të rinj, si I. Zhupa, B. Mustafaj, P. Zogaj, I. Duraku, E. Ballauri, F. Myrtaj, Xh. Tosku, B. Xhaferri, M. Buçpapaj etj., të cilët i mbronte dhe i nxiste për prurjet e tyre të reja, për elementin qytetar dhe modernitetin e spikatur për kohën. Ajo që thekson Gaçe qëndron në faktin se është fisnikëria dhe guximi i  këtij poeti që motivon vlerësimin dhe mbështetjen e poetëve të rinj.“Arapi, – thotë ai,- ka mbajtur një qëndrim të guximshëm në mbështetje të tyre”. Mbi të gjitha ky guxim i Arapit dëshmon shprehjen e lirisë së mendimit të tij në diktaturë. Jemi në vitet ‘70 dhe ai orienton letrarët e rinj për liri krijimi brenda tematikës që ata njohin, duke kundërshtuar mendimet socrealiste, se një poet duhet të ketë larmi tematike. Ndërsa për mjeshtërinë artistike në poezi, ai këshillonte figuracionin. Me këtë mbështetje Arapi ka dëshmuar orientimin e tij artistik, njësh me mendimin më të përparuar të të gjitha kohërave, të të gjithë shekujve që nga Aristoteli deri te babai i semiotikës ruse, Juri Lloitman se “poezia flet me gjuhën e figurshme.”   

Mendimi etnologjik i Arapit, profilohet në studimin “Këngë të moçme shqiptare.” Gaçe jep informacion të bollshëm mbi këtë fushë, duke e rivlerësuar Arapin si studiues dhe njohës i Ciklit të Veriut. “Arapi, – shkruan ai, – ka sjellë një perceptim të veçantë të studimit me anë të koncepteve filozofike, duke i krijuar lexuesit dhe studiuesit mundësi perceptimesh”. Më tej ai evidenton edhe veçorinë individuale të Arapit si studiues, praktika e të cilit shmang hiperbolizimet dhe elementet fantastike të mitit, duke u përpjekur t’i ofroj lexuesit “një praktikë eksploruese, më tokësore dhe më komunikuese.”

I tillë ka qenë Arapi. Një mendje elitare që “urdhërohej” nga një shpirt i kaltër, ngjyrosur me blunë e ujërave të Jonit. Kjo duket edhe në analizat moderne që u bën aiSafos, NaimFrashërit, Ali Asllanit, VoreaUjkos dhe PetroMarkos. I madhi për të mëdhenjtë. I ngjashmi me të ngjashmit. Në trishtimin dhe dëshpërimin e Asllanit e të Markos, Arapi shihte vetveten. Ishin të njëjtat ujëra ku notonin shpirtrat e ndritur të kombit. Vrasja e mistershme e të vëllait, Vllasit, presioni partiak që kulmoi me akuzat për hermetizëm, dekadentizëm, simbolizëm dhe ndalimin e dramës së tij, “Drama e një partizani pa emër”, dëshpërimi i thellë për ndarjen e imponuar nga Tanja, e dashura bullgare, i bënin ata “vëllezër Hamlet” të një vendi, të një atdheu, të atij atdheu “plot diell e pa dritë”, siç thotë në një nga poezitë e tij.Nga kjo pikëpamje mendimi letrar dhe etnologjik i Arapit plotëson breroren e tij poetike dhe më shumë se kund, kjo shfaqet në faqet e këtij botimi.

Në fund autori e përfundon monografinë me një vlerësim të drejtpërdrejtë e tepër të ndier për figurën e Arapit. Në këtë kapitull ndihet dhimbja që lidhet me 11 tetorin 2018, datën e ndarjes së tij nga jeta. Ndihet rënkimi i Gaçes si një gjëmim dallge nga ato të brigjeve të ashpra të Jonit. “Letërsisë shqipe, – thotë ai, – do t’i mungojë petku blu”.Dhe është pikërisht “petku blu” ai që e bën ikjen e poetit pa ikje. Sepse, nëpërmjet tij ai do të shfaqet sërish e sërish midis nesh.

Kështu do të mbetet poeti Fatos Arapi, i gjallë e gjithmonë pranë nesh. Por, më pranë se kurrë atë e sjell Prof. Bardhosh Gaçe me monografinë e tij “Universi poetik i Fatos Arapit,”një vepër që e ngre në piedestalin e nderit poetin dhe njëherazi edhe vetë autorin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.