Poezi: Sadik Krasniqi

PERGAMENË E HIRTË

Në pergamenën e hirtë prej drite

Pikturon karafila të zi

Dhe përfytyrimin e fytyrës së saj të bukur

Atë shëmbëlltyrë që kurrë s’e pa

Vetëm zërin ia dëgjoi

Atë zë të djegur

Në të qeshurën e saj

Me një jehonë deri te veshi i zotit

I zotit që harroi t’i bëjë

Bebëzat me dritë

Piktorit

Që pikturon në pergamenën e hirtë prej drite

Karafila të zi

PERTEJ TERRIT*

Me qepalla

lëvizi hënën yjet

natën e vdekur

përtej territ të zi

drita çelet në sy

me përtesë

dielli lind i kuq

si syri i zotit të përgjumur

*Dita e shtatë unë dhe Blendi me Kovid 19, si duket do e mundim?!

ORA

Kohën e ngujoj në orë
në orën time me gurë të djegur
pres akrepat e fjetur
t’i bien ziles
të më zgjojë
para se bryma të bie
mbi lule
mbi ato lule të egra
që kurrë nuk çelin

Ajo pip e re
duart m’i zgjat
qe dymijë vjet

BALONAT*

Ato balona të shumta në qiell

Si bulëzat e ylbertë

Janë prej meje

Tërë natën i kam fryrë

Me frymën time të sëmurë

Mezi i kam qitur nga dritarja e ngushtë

Me kujdes që të mos pëlcasin

E ta prishin ëndrrën tënde të bukur

Me mua përdore diku anë një lumi

Mbylle dritaren

lëshoji perdet e errëta

S’dua t’i shoh duke rënë

Të përdredhur në ajër

Si pëllumbat që u çelet vetëm një krah

I lëshoi fryma ime e ligë

Po bien

S’’dëgjohet më muzikë

U prish festa

A s’i dëgjon sesi qajnë fëmijët

*Nga një bisedë e dëgjuar përafërsisht kështu, në mes të një vocërraku dhe një nëne në një dhomë spitali në Gisen!

KA KOHE  E DASHUR

Ka kohë e dashur

Ngjitemi në bregun e blertë

Shikojmë përmallshëm perëndimin e diellit

Bredhim bulevardeve me erë

Nën drunjtë që u bien gjethet

Dëgjojmë kambanat e vdekjes

Muzgu na zë tek të heshturit

Pranë një varri pa emër

Vendosim lule të gra

E bëhemi terr

ONIRIKE

Sa u ktheva nga të vdekurit

Gjeta vdekur të gjallë

Kumti vetëm

Një pergamenë e bardhë

SPARAGMOS*

Ku i kam sytë e blertë

gjuha e buzët e afshëta

ku janë

krahët e përmallshëm

duart e gishti me unazë

ku mbetën

këmbët

e thembrat e shpejta mbi rërë

m’i pa kush

bisedojnë në mes vete

një kafkë e thyer e një asht i bardhë

që i lëpin një qen nate

mbi hirin e zi

*Sparagmos do të thotë copëtimi i pjesëve të trupit flijues!..

o të thotë copëtimi i pjesëve të trupit flijues!..

PROFESORI

Profesorit që kishte ligjëruar

në amfiteatrot më të famshme botërore

një ditë ia grisën pasaportën

tani e dyzet vjet

ulur në një gur të bardhë buzëdetit

flet vetmevete

e zë peshq

me një shkop kallami

me tojë të këputur

Sarandë, gusht ‘21

NANËS

Nënës ia hoqëm

vathët verdhë prej hëne

unazën e hollë si fije bari

edhe telat e flokëve prej kane

u bë frymë e lehtë

për fluturim në qiell

s´kemi për ta parë kurrë më

veç si kujtim

në çaste mërzie

e engjëll

në parajsë prej ëndrre

LULET E DIELLIT

Mihën një ditë

në lëndinën te lumi

Ku çdo verë çelin

Lulet e diellit

Gjetën një skelet 

Me dy plumba në kafkë

Ishin eshtrat e vogëlushes

Që shiste fara të zeza

Para kinemasë

Lagjja nuk ia dinte emrin

Në mermerin  e zi pa fotografi

Skalitur me të bardha

Këtu pushon jetimja e vogël

Që e vranë n’ luftën e Kosovës

Nën epitaf

Vizatuar bukur

Një lule dielli

BORHESI

Në librarinë e madhe në Frankfurt

u shtanga kur pashë Borhesin

Borhesin me mantelin e gjatë

me mantelin e hollë të shiut

mbante në duar libra të çuditshëm

duke lëpirë gishtin e hollë

shfletonte faqet e verdha

faqet e verdha pa asnjë germë

sa i çmendur ky gjeni

edhe pas vdekjes ëndërron

ëndërron se është në jetë

e lexon libra

librat që ende nuk janë shkruar

PO IKIN

Po ikin

për ditë

përtej perdes prej dheut

ata që më duan

ata që gëzohen e pikëllohen për mua

vdekja ime

s’do t’i bie ndërmend askujt

arkivoli do të kalojë si përmes shkretëtirës

pa heqjen e ndonjë kapele

pa vënë ndonjë dorë në zemër

vetëm fëmijët e lagjes

ndoshta për një çast

do ta ndërpresin lojën

e do të thonë të habitur

shikoni shikoni

një i vdekur pa kortezh

loja prapë do të vazhdojë

FLUTURIM I ZI

Zogu i mekur

bie në pëllëmbën e beftë

pi lotin e verbër

fluturon në qiellin e zi

të syve me pikëllim

të syve

që s’panë kurrë pranverë

INDIFERENCA

Sa dimër në ata sy

me dy vetëtima t’zeza

buzët brigje t’allta

pa asnjë cicërimë zogu

me atë shikim

heshtje thikë

pemë

me zemër tigri

je ti

EPITAF

Ti

tymi

flaka

prushi

hiri i heshtur

në urnë

në urnën

me emrin tim

Leave a Reply

Your email address will not be published.