DASHURI ME SHIKIM TE PARË

Më është bërë fiksim, kam ruajtur në mendjen time që transformohet dhe mbushe-zbrazët vazhdimisht, ikonën time të parë të Heminguejt. Kërrusur mbi një makinë shkrimi. Kam bërë edhe një vjershë për këtë, por shumë më vonë, kur shprehesha nëpërmjet tyre

Grigor JOVANI

Ernest Heminguej, shkrimtari absolut, një farë perëndie. Për mua, natyrisht, të tjerët mund të kenë mendje të ndryshme. E kam adhuruar qysh fëmijë. Përpara se të dashuroja. Dashuria ime e parë ishte shkrimi. Nuk dua të them se në vazhdim u bëra shkrimtar si ai, por dashuria ndodh, e para me shikim të parë.

Më është bërë fiksim, kam ruajtur në mendjen time që transformohet dhe mbushe-zbrazët vazhdimisht, ikonën time të parë të Heminguejt. Kërrusur mbi një makinë shkrimi. Kam bërë edhe një vjershë për këtë, por shumë më vonë, kur shprehesha nëpërmjet tyre. Qysh atëherë, fëmijë, m’u mbush mendja se nuk mund të bëhesh shkrimtar, pa pasur dhe pa shkruar në makinë shkrimi. Kisha dëgjuar që edhe librat e tua duhej t’i dërgoje të shaptilografuara për botim. Në gjimnaz, kur fillova të shkruaj më seriozisht, më pak, por dhe të botoja, mendova se ishte koha të kisha edhe unë… armën time. I kërkova xhaxhait në Athinë të më dërgonte një makinë shkrimi. Ishte avokat dhe duhej të kishte ndonjë të tepërt.

“Ç’e do?” pyeti ai tim atë, shoferin, në telefon.

“Ku di unë, shkruan ca budallallëqe! Mos ia ço, se do na fusë brenda!”

Xhaxhai ma dërgoi, por nuk ma dhanë në doganë. Nuk lejohej. Mund të bëja me të propagandë.

“Dua të shkruaj me të vjershat e mia!” protestova.

“Pse, humbën nga dyqanet lapsat dhe fletoret?” më pyetën injorantët, tërë inat dhe dyshim.

“Ikim! – më tërhoqi im atë. – Thashë unë, do të na bësh gjëmën ti!”

Dola nga ajo doganë, si qen i rrahur. I yni, Loni në fshat, kur i gjuante im atë me shqelm, i kthehej hakërueshëm, biles tundte kërcënueshëm edhe bishtin. Unë nuk bëja nga këto, im atë ishte më i rreptë me mua, se me Lonin. Më tregonte vëndin.

Vite më vonë, kur mbarova filologjikun dhe isha bërë edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, mendova se më takonte tashmë një makinë. Por, ngaqë e kisha shkelur një herë, mendova të pyesja më parë. Kur u gjenda një herë në fshat, u hodha përsëri me tim atë gjer në Kakavijë. Pyeta në doganë.

“Ç’e do?”

“Shkruaj”.

“Ku punon?”

“Mësues, në malësitë e Mirditës”.

“Ku në Mirditë?” – u interesua gjallërisht doganieri polic, që nga dialekti duhej të ishte nga ato anë.

“Në Reps”.

“Aha, afër Shpalit, minierës, – tha ai dhe unë kuptova se nënkuptonte edhe burgun. – Gjej ndonjë kuadër jabanxhi atje, ka shumë, të t’i shtypi këngët në zyrën ku punon. Makinat nuk lejohen për privatët. Të ishe gazetar… rregullohej, me ca vërtetime. Ndryshe, më vjen keq…”

“Ikim! – më tërhoqi prapë im atë, si vite më parë. – Thashë unë, do të na çosh pas hekurave ti”.

Dolëm nga dogana. Turfulloja. Tani nuk kisha frikën e dikurshme nga im atë, mos më sillej ashpër se Lonit. Ishte zbutur shumë, sa edhe Loni vetë e kishte kuptuar. Nuk i hakërrehej më, duke i tundur kërcënueshëm bishtin. Me dy çunat e tij, mua dhe Lonin, babai tani sillej më butë. I kishim dalë nga duart.

Ja që e solli rasti edhe fatin tim. Pas një viti u bëra gazetar. Pa i thënë fare tim eti, i shkrova xhaxhait. Kërkesa ishte e njejtë, një makinë shkrimi. Për ta bindur, me shaka, i bashkëngjita letrës një fotografi. Të Heminguejt mbi makinën e shkrimit. Çuditërisht, kjo ide e fundit, bëri efekt më tepër se kërkesa ime e përsëritur. Xhaxhai ishte i majtë, komunist me xhep kapitalisti, domethënë.

“E kuptova, dëshiron t’i ngjasësh Heminguejt. Je në rrugë të drejtë. Edhe ai, mik me Kastron është, në Kubë jeton, është si ne. Po ta dërgoj, po shiko se mos na e hanë. Të parën nuk ma kthyen pas…”

Tani nuk mund të na e hanin. Isha bërë pjesë e tyre, në nomenklaturë. Bëja propagandë socialiste, domethënë. Mora autorizimet e duhura dhe drejt e në doganën e Kakavijës. Pasi më kishte lajmëruar xhaxhai nga Athina, se e kishte dërguar.

I njejti ritual.

“Ç’e do?”

“Të gatuaj!” u përgjigja unë, me dëshirën hakmarrëse të shlyerjes sadopak të borxheve të mëparshme.

“Shiko, nuk bëjmë lojëra këtu!” m’u hakëros polici doganier dhe sytë i vajtën qëllimisht tek hekurat që kishte hedhur në një karrige pranë, për të më dhënë mesazhin e duhur.

Më kishte ardhur në shteg. Nuk kisha edhe tim atë pranë kësaj here, të më tërhiqte jashtë. Më priste tek kafeneja në fshat, bashkë me Lonin.

“Në është të të fusin në burg, shko vetë, – më tha, – ja, unë kam Lonin…”

“Po ç’t’ju them! – iu ktheva edhe unë me inat doganierit. – Shikoni letrat një herë. Për këtë punë jeni këtu. Jam gazetar, makina e shkrimit më duhet për punë. Kam sjellë edhe autorizimet e duhura nga redaksia ime dhe Komiteti i Partisë i rrethit. Ja edhe Dëshmia ime e Gazetarit…”

Menjëherë, doganieri u bë tjetër njeri. U zverdh, u ngrit automatikisht në këmbë dhe më zgjati dorën.

“Oh, më falni, shoku gazetar! U keqkuptuam, kaq ngarkesë pune, e kuptoni, humbasim mendjen. Uluni, ju lutem, sa të bëj gati formularët. Është nder për ne, nuk na vinë përditë gazetarë…”

Kishte të drejtë ungji im në Athinë, nuk ishte keq t’i ngjaje Heminguejt, atij të Kubës që ishte mik me Fidelin, të silleshin mirë të kuqtë. Aq më tepër, kur bëje edhe punën e tyre.

Kanë kaluar kaq vjet qysh atëherë. Ndërrova pastaj disa makina shkrimi, ishte hobi im. Kur erdha në Athinë, u modernizova disi, mora makinë elektronike. Pastaj kompjuterët, që modernizoheshin herë pas here, si celularët dhe duhej t’i ndërroje, të përshtateshe me kohën. Veçse në mendjen time ka mbetur ajo makinë shkrimi e Heminguejt. Kur u njoha me të nëpërmjet fotografisë, gjatë fëmijërisë së largët. Dhe e adhurova me shikim të parë. Atëherë, kur nuk kisha dashuruar akoma…

Leave a Reply

Your email address will not be published.