Para se ta kërkoj një qasje të lirisë nga ushqimi apo, siç thotë Fromi, liria ekonomike është një nga shkallët themeltare të lirisë, më shkon mendja te Panairet e librit, të cilat nga viti në vit po shndërrohen në “tavolina suedeze të librit”
Afrim DEMIRI
Kujt si kujtohet thënia e Kadresë apo e shqiptuar për artin kadarenian se “shqiptarët( lexo: shoqëria shqiptare) në kohën kur nuk kishte ushqim të nevojshëm, ushqehej me letërsinë më të mirë”! Në ditët që u gjeta në një kompleks në vendin turistik me emrin aq metaforik, Mali i Robitnë Golem, fillova të reflektoj përtej ndjenjës së një robi, qoftë edhe turistik dhe të mendoj se çfarë lidhje ka letërsia si ushqim i mendjes, me ushqimin e ngrënshëm. Kjo dilemë mori një sërë trajtash provokuese kur u përballa me tavolinën suedeze dhe nuk më shqitej nga koka koha e taloneve për ushqim, në Shqipëri, apo rreshtat për qumështin e Zajeçarit apo për Fax -in në Kosovë, krahas kohës kur flinim me librat e Kadaresë nën jastëk. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kush e solli Doruntinën”, “Prilli i thyer” si dhe “Kronikë në gur”, na u patën bë më shumë se bestseller. Gjithsesi e para gjë që mbizotëron është kapërcimi që ka sjellëtranzicioni, i cili me gjithë efektet pozitive, për shkak të transformimit demokratik, nuk po na hiqet prej trojeve shqiptare, duke sjellë edhe një zvetënim të vlerave sa humanitare po aq edhe estetike. I vështroj njerëzit me pjatat e mbushura dhe me befason stërmbushja e pjatave, prej ullinjve të mbushur, llojeve të djathërave të bardhë deri tek ai pikant, pastaj sallatat e përziemë, mos të harroj supat, dhe frutat e detit. Kur të gjithave ua shtojmë specat e mbushur dhe rizotot me mish viçi si dhe me peshqit e fërguar, atëherë vërtetë kjo pjatë e stërmbushur nxjerr në pah kompleksin për ushqimin apo ndjenjën e kapërcimit të varfërisë. Para se ta kërkoj një qasje të lirisë nga ushqimi apo, siç thotë Fromi, liria ekonomike është një nga shkallët themeltare të lirisë, më shkon mendja te Panairet e librit, të cilat nga viti në vit po shndërrohen në “tavolina suedeze të librit”. Liria për të zgjedhur nuk di ku qëndron në raport me lirinë për të pasur pjesën e duhur, pjesën e nevojshme, që të mos ndodhë vërshimë e panevojshme! Stërmbushja e pjatave, pa asnjë kriter të përzgjedhjeve, po e vë në një peshore shijen për ushqim, me shijen letrare. Në asnjë Panair librash nuk jam ndjerë i lirë, para syve grabitqarë të shitësve që shpesh janë edhe botues, kur nuk jam parë si një blerës potencial dhe asnjëherë si një lexues me kriter. -“Çfarë po shikon, ju kosovarët vetëm shfletoni dhe nuk blini”, – ishin fjalët e një zonje që me trashësinë e saj ishte zhytur në mes librash dhe pamja ime ia dëftonte më shumë një lypës rasti se një blerës librash e mos të na shkon mendja te një krijues i mundshëm.
– “Si ta blejë pa e shfletuar”, ia kthej unë, duke krijuar një mbrojtje “intelektuale” ndaj një shitëse të rastit. – “Dua ta di botuesin, të di ma shumë për autorin, për përkthyesin eventualisht, për ndonjë parathënie apo pasthënie”,vazhdoja, derisa ajo humbte durimin me mua. Vërtet ec e përcaktohu për blerje, mes një marketingu aq të fuqishëm, kur çmimet e librave ishin proporcionalisht me famën e autorëve, kurse krijuesit e rinj ishin viktimizuar në margjinat e tavolinave të stërmbushura, kurse librat religjioz kishin stërkequr ata filozofik. Edhe aty vëreja njerëz që, për dallim nga unë, dilnin me një krah librash që peshonin, të gjitha pothuaj se me mbështjellëse të dizajnuara, shpesh pa e ditur emrin e autorëve e lëre më përmbajtjen e tyre! U shkonte për shtat anekdoda se blejnë libra me metër, varësisht sa është gjatësia e vitrinave të tyre. Në anën tjetër, dalloheshin shitësit e stendave, të cilët më përngjanin në tregtarët e vegjëlnë Çarshinë e Baku-s, në Azerbejxhan, të cilët ta zinin udhën, të tërhiqnin për krahu që të futësh me çdo kusht në lokalin e tyre të mbushur me qilima të endur. O çfarë ngjashmërie, në mes shitësve të Panaireve tona me shitësit azerë, i vetmi dallim në mes situatave ishte se librat zëvendësonin qilimat. E njëjta gjë më pat ndodhë edhe në Sarajevë, në skajin tjetër të ish- Perandorisë Osmane, kur kamarierët me fes të kuq në kokë nuk më hiqeshin që me çdo kusht të hyja në qebaptoren e tyre. Andaj, “tryezat suedeze”, qofshin të librit apo të ushqimit, i shoh edhe si një përplasje mentalitetesh, që vetvetiu nuk funksionojnë si dorë e lirë e përzgjedhjes, sepse përcaktohet nga sjellja qytetëruese çfarë duhet të jenë ato. Dhe doemos duhet të mendosh se në kohën kur dinjiteti i një sofre të rëndomtë me një zgjedhje të varfër, mbase nuk krahasohet dot me një gamë zgjedhjesh deri në plasje të plancit apo një vërshimë titujsh prej autorëve klasik e deri tek ata anonim, nuk mund të krahasohen me një moment diskret kur një libër e blerë me kujdes dhe përkushtim i dhurohej dikujt të dashur, sikundër blerja hulumtuese pas një shfletimi me plot pasion bëhej në një librari, të cilat po rrallohen nëpër qytetet tona. Andaj kah dhe si? Nëse duam, mund të provojmë ta transformojmë thënien e ndërlidhur në mes ushqimit dhe letërsisë. Ma e mira e së mirës do të ishte “ushqimi i mirë, për një letërsi të mirë”! Por, shpesh ngjanë që e mira me të mirën dëbohen dhe dita ditës po bindemi se po hahet më shumë e po lexohet më pak, dmth., po jetojmë në kohën kur “ushqimi është më i mirë, në kohën e një letërsie më të dobët”! Mbase jemi duke e përjetuar ikjen nga leximi në njërën anë, e në anën tjetër tërpinë për ushqimin.
Nuk mund të imagjinoj qëndrimin as përjetimin e Kadaresë në kohën e ” tavolinave suedeze”, por fakti që kohëve të fundit po heshtë më shumë se që po flet, po besoj se shijen letrare e ka stërholluar edhe më shumë!