KRIMET MBI ARTIN

Lakmia e hajdutëve nuk joshet vetëm nga veprat e Rembrandit dhe Pikasos. Menjëherë pas pushtimit të Bagdadit, në vitin 2003, plaçkitësit grabitën Muzeun Kombëtar të Irakut, duke marrë prej andej një koleksion të jashtëzakonshëm antikash të Mesopotamisë

Joshua KNELMAN

Shumë prej këtyre punimeve, ku përfshihej edhe koka e një gruaje sumere e gdhendur në mermer, mbi 5000-vjeçare dhe me një vlerë të paçmuar, ishin zhdukur për t’u shfaqur më vonë në pragun e derës së ndonjë koleksionisti privat, muze dhe dyqane antikuarësh. Disa vepra artizanale të vogla, por shumë të vlefshme mbërritën në Muzeun Mbretëror të Ontarios në Toronto. Një fenomen i pazakontë për skenën e krimeve artistike në Kanada do të ndodhte në janar të vitit 2004: Pesë statuja prej fildishi të shek.18-të, të gdhendura nga artizani David le Marchand, të cilat i përkisnin manjatit të medias, Ken Thomson, u vodhën nga Galeria e Artit të Ontarios në Toronto.

Të tjera bëma

Hajdutët thjesht ngritën kasën prej xhami ku ruheshin statujat me vlerë 1.5 milionë dollarë dhe u larguan. Një kompani sigurimesh ofroi një shpërblim prej 150.000 dollarë dhe dy javë më vonë një avokat në rolin e ndërmjetësit ia riktheu statujat pronarit të tyre.

E gjitha kjo ngjan me një fund pa dhimbje si për galerinë ashtu edhe për Thomson, i cili ndjehej aq i çliruar kur policia i riktheu statujat e tij të fildishta sa i vendosi ato me përkujdesje në krevatin e tij. “Ato kishin një domethënie të madhe për mua”, do të shprehej Thomson asokohe. “Vetëm ata që janë koleksionistë dhe kanë një afinitet të veçantë me gjërat që zotërojnë dhe bëhen pjesë e tyre mund ta kuptojnë gjendjen në të cilën ndodhesha”. Por aktualisht, a konsiderohen paratë e shpërblimit të marra nga hajdutët si një haraç, i cili i lejon ata që t’i shmangen drejtësisë duke vjedhur përsëri? Një gjë e tillë nuk do të habiste aspak ata që kuptojnë sofistikimin e hajdutëve të klasit si dhe dëshirën pothuajse patologjike të galerive dhe koleksionistëve për të siguruar kthimin mbrapsht të zotërimeve të tyre të çmuara.

Luftërat kane qenë gjithnjë në favor të hajdutëve të veprave të artit. Në një prej listave të Czegledit vihet re rruga e gjatë e zhvendosjes së qindra pikturave të Matise, Monet, Chagall, Rubens, etj, nga Evropa drejt destinacioneve transoqeanike si Havana, Nju Jorku, Uashingtoni dhe Otaua, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo i kishte gjetur dokumentat ndërsa kryente një kërkim prejardhjeje për llogari të një klienti në Arkivat Kombëtare të Uashingtonit. “Mënyra më e mirë për të shkatërruar një kulturë është duke i vjedhur shpirtin e saj”, thotë ajo. “Nazistët e kishin kuptuar mjaft mirë këtë gjë”.

Më vonë, Czegledi kaloi ditë të tëra duke gjurmuar pronarët e ligjshëm të veprave të artit, të cilat u ishin shitur koleksionistëve të paskrupullt nga nazistët. Ajo arriti gjithashtu të katalogonte qindra vepra që ishin zhdukur gjatë periudhës së pushtimit të Polonisë nga gjermanët. “Mes tyre ka vepra të Rembrandit dhe mjeshtërve të mëdhenj polakë, të cilat unë nuk i kisha parë ndonjëherë më parë”. Një pjesë e koleksionit artistik personal të Hitlerit, ku bën pjesë edhe një portret i Benito Musolinit, duzina me portrete të vetë Hitlerit si dhe kartolinat e tij të firmosura të Krishtlindjeve, janë shfaqur gjithashtu në Kanada. Dy vite më parë, një grua nga Ontario, shkoi tek Czegledi dhe i tha asaj se në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, bashkëshorti i saj, asokohe një ushtar britanik, ishte dërguar në Berlin si pjesë e një brigade pararojë. Rusët kishin arritur në qytet të parët dhe nuk e kishin kursyer atë nga plaçkitja dhe djegia. Në kohën kur oficeri britanik mbërriti në kryeqytetin gjerman, ai e gjeti Kancelarinë e Rajhut krejtësisht të ngjashme me një kosh plehrash. Duke u endur nëpër dhomat e ndryshme të shtabit të përgjithshëm të Hitlerit, ai gjeti një pjesë të koleksionit privat të Fyhrerit, të fshehur mes një pirgu hedhurinash në dysheme. Atëherë ushtari bëri pikërisht të njëjtën gjë që do të kishte bërë edhe Hitleri, ai e vodhi koleksionin. Ish-ushtaraku më vonë do të emigronte drejt Kanadasë, ku kishte marrë me vete edhe koleksionin. Tanimë bashkëshortja e tij kërkonte që ta hiqte qafe. Czegledi pasi e kishte shëtitur koleksionin në të gjitha muzetë më të mëdha të vendit, vendosi që t’ia dërgonte atë një galerie në Bavari, që është edhe rajoni nga ku e ka prejardhjen koleksioni.

 Avokatët e mbrojtjes

Gjatë një dreke në bistronë franceze vetëm pak metra larg Parkut Avenue në Nju Jork, Lorenc Kaye dhe partneri i tij, Hauard Spiegler, dy nga avokatët më të njohur në botë për sa i përket mbrojtjes së veprave të artit, bisedonin mes tyre për të gjetur mënyrën se si koleksionet e veprave të artit të periudhës naziste, do t’u ktheheshin pronarëve të tyre të ligjshëm. Së fundmi Kaye kishte pranuar të merrte përsipër një çështje ku përfshiheshin më shumë se 1.300 vepra artistike, më së shumti punime të Mjeshtërve të Vjetër Holandezë, nën pronësinë e Zhak Goudstikker, një koleksionist i pasionuar, i cili kishte mundur të arratisej nga Holanda e pushtuar nga gjermanët në vitin 1940, pa mundur të merrte me vete koleksionin e tij.

Kaye kishte arritur disa suksese jashtë: Muzeu i Izraelit në Jeruzalem kishte pranuar të kthente një vizatim në karbon nga Edgar Degas, “Katër Valltare Lakuriqe duke pushuar” (1898). Ndërkohë që Muzeu i Arteve të Bukura në Montreal të Kanadasë kishte qenë më pak dobiprurës. Muzeu kishte pranuar që të kthente një nga pikturat e Goudstikkerit, “Adhurimi i Eneas”, një pikturë e shek.17-të nga Çarls Le Brun, vetëm nëse do të provohej pronësia e tij. Përpjekjet për kthimin e pikturave si dhe masat ligjore në Shtetet e Bashkuara janë ndihmuar edhe nga vendimet e gjykatave. Kaye citon si një precedent të rëndësishëm dënimin në vitin 2002 të Frederick Schultz, një matrapaz nga Madison Avenue, i cili tregtonte relike të çmuara egjiptiane. Schultz zotëronte një numër veprash të rralla dhe mjaft të çmueshme, ku përfshihej edhe koka e Faraonit Amenhotep III, të cilën ai e kishte shitur për 1.4 milion dollarë. Skulptura ishte gërmuar nga plaçkitësit e varreve dhe ishte transportuar ilegalisht drejt Shteteve të Bashkuara. Schultz u dënua me tre vjet burgim.

Pavarësisht eksperiencës së Kaye me pikturat e Le Brun, nga Kanadaja vijnë disa sinjale inkurajuese. Fakti që asnjë prej muzeve kanadeze nuk kishte pranuar të blejë vepra nga koleksioni privat i Hitlerit është mjaft domethënës. Duhet kujtuar gjithashtu se simpoziumi i parë mbi Artin e Humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore, është zhvilluar në Galerinë Kombëtare të Otavas në nëntor të vitit 2001. Sikurse shumë institucione të tjera në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, Galeria Kombëtare ka hartuar një listë në faqen e saj zyrtare të Internetit ku nënvizohen veprat më të diskutuara brenda koleksioneve të saj. Në këtë listë përfshihen 100 piktura, skulptura dhe vizatime, të cilat kanë mangësi në informacionin që shoqëron prejardhjen e tyre gjatë periudhës nga 1933 deri në vitin 1945.

Ndryshimi i mentalitetit

Majkëll Pantazzi, muratori i Koleksioneve Evropiane dhe Amerikane, shprehet se Galeria Kombëtare ishte institucioni i parë në Kanada që pranoi të kthejë në mënyrë vullnetare veprat e grabitura. Mes veprave më të njohura ajo ka kthyer tek pronari i ligjshëm, “Salloni i Madam Aron” (1904),një pikturë nga artisti francez Édouard Vuillard, e cila ishte vjedhur në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishte blerë nga galeria në vitin 1956. Në një tjetër rast kthimi të suksesshëm përfshihet një statujë kineze e një shenjtori budist. Ajo iu kthye qeverisë kineze në vitin 2001 gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar në Pekin.

Por a kanë mësuar muzetë diçka nga historia? A kanë bëra ata gjithçka kanë në dorë për të parandaluar që muret e tyre të bëhen streha e veprave të vjedhura të artit? Rahimi është i mendimit se muzetë dhe galeritë duhet të refuzojnë të gjitha punimet që duken sadopak të dyshimta. Një veprim i tillë do të thotë të braktiset praktika e “strehës së mirë”, e cila i lejon një institucioni të blejë një vepër arti me kredenciale të dyshimta në mënyrë që të parandalojë dëmtimin apo shkatërrimin e saj të mëtejshëm. “Sido që ta shohim, kjo nuk është një gjë e mirë”, thotë ai. “Ne e kuptojmë që është false dhe nëse nuk është e tillë atëherë pa dyshim ajo është përvetësuar në mënyrë të paligjshme”. Por, edhe nëse muzetë dhe galeritë do të pastronin sjelljen e tyre, tërheqja ndaj veprave të vjedhura mbetet e fortë mes koleksionistëve privatë. Czegledi e konsideron këtë si një bashkëveprim të egoizmit, parasë dhe pushtetit. “Koleksionimi i veprave artistike”, shpjegon ajo, “mund të kthehet në një fiksim. Këta koleksionistë dhe tregtarë veprojnë si një kult”. Kjo shpjegon faktin se si mundet që një pikturë aq e reklamizuar, e cila nuk ka asnjë mundësi rishitjeje, sikurse “Britma”, arrin gjithsesi të vidhet. “Nëse zotëron diçka që është e veçantë, edhe ti ndjehesh i veçantë”, shprehet Czegledi. “Ky është pushtet”, thotë ajo.

/Përkthyer nga Entela Bajraktari/

Leave a Reply

Your email address will not be published.