VETMIA POZITIVE NDËRMJET PËRSOSJES INDIVIDUALE DHE ORGANIZIMIT SHOQËROR

Qeniet në gjithësi nuk janë vetëm një grumbull i gjërave pa identitet dhe esencë, ata në “fytyrën e vërtetë “ të tyre, pra subjektive, e kanë veten e tyre. Ata janë identitete individuale dhe e shfrytëzojnë identitetin e tyre për ta kompletuar funksionin e dukshëm ngjashëm siç inxhinieri i shfrytëzon pjesët e ndryshme për ta kompletuar kompjuterin

Nga Metin IZETI

Çdo herë kur provoj të shkruaj diçka në lidhje me mënyrën e të menduarit dhe ngjarjet e hapësirës dhe kohës ku jemi duke e harxhuar frymën, e përjetoj një shtrëngim dhe ngushtim të brendshëm. Disa herë përpiqem që ta kuptoj këtë shtrëngim si paaftësi ose pamundësi e shprehjes së krejt asaj që e ndiej në lidhje me mendimin dhe ngjarjet, por ama disa herë jam shumë i bindur që ky shtrëngim është rrjedhojë e pamundësisë së artikulimit të kuptueshëm të asaj që e përjetojmë ne si realitet dhe vetë realitetit origjinal. Bota e ngjarjeve edhe në kontekst të sqarimit të tyre është e kufizuar rreptësisht në lëndoren, por edhe më e rrezikshmja është se edhe mendimet që u paraprinë ngjarjeve dhe që pasojnë si analizë sistematike e tyre janë të robëruara nga hapësira shqisore. Kjo ma zgjeron pak kraharorin pasi jam i bindur që mendimi dhe ideja nuk mund të ndjekë ngjarjen, ai është kandidati kryesor për ta krijuar atë, ngjarja paraqitet si rrjedhojë e zbatimit dhe implementimit të plotë ose të mëngut të mendimit ose në skajshmërinë tjetër, si rrjedhojë e mosimplementimit të mendimit. Ta them të drejtën më pengon shumë skllavërimi i skajshëm i qenies më të përkryer të dalë në hapësirën fizike, pra, njeriut (kjo e vërtetë e pranuar nga të gjithë, janë teistë, ateistë, agnostikë) për kufijtë e syrit, të veshit, lëkurës, hundës dhe gjuhës! Kjo kështu pasi pa shumë analizë e shoh që secili prej nesh, që nga fëmijëria e deri në pjekurinë më të madhe, mendon për gjëra që nuk janë në kufijtë e të sipërpërmendurave. Bile edhe ata që skajshmërisht udhëhiqen nga kufijtë lëndorë nuk mund të jetojnë pa menduar për gjëra që në kornizat e kohës dhe hapësirës ku jetojnë janë të pakapshme.

Kureshtjen për ta kuptuar drejtë se mos vallë jam jashtë realitetit të kohës dhe hapësirës ma shton edhe fakti se të gjithë përreth meje dhe më gjerë shumë më tepër joshen nga gjërat që nuk janë lëndore se sa ata lëndore, por ama, leri ato që botën e kuptojnë si lëndore, edhe fetarët, ëndërrimtarët, surrealistët, futuristët, sihirbazët paraqiten me një dëshirë të flaktë që ta materializojnë dhe ta prekin fenë, ëndrrën, imagjinatën, ankthin, shtrëngimin e brendshëm. A mos vallë është e vërtetë teoria për shmagjepsjen e botës dhe njeriut!?

Që të jem më i qartë, nuk mund ta kuptoj si njeriu i skajshëm në lëndoren e parapëlqen artin abstrakt ose ekspresionin në vend të realizmit ose vizatimit teknik; si juritë me nam të botës së filmit e parapëlqejnë filmin pa zë në vend të atij ku dëgjohet biseda; si grafikët janë më të ekzaltuar nga portreti i deformuar/imagjinar dhe jo nga ai real; nuk i kuptoj edhe fetarët dhe folësit për fenë që më tepër kënaqen kur e dëgjojnë  leximin e bukur të Kur’anit se sa nga bisedat juridike apo apologjetike në lidhje me të vërtetat fetare. Shpesh e pyes veten a mos ky koncept i sjelljes tonë është paradoks!?

Ose edhe në çështjen e mendimit dhe ndjenjës kemi vendosur që t’ia imponojmë vetes sjelljen dyfytyrëshe, të mendojmë dhe ndiejmë ndryshe dhe të shprehemi ndryshe, duke qenë të bindur, me një egocentrizëm dhe narcizëm demonik, se të tjerët nuk janë të përgatitur ta kuptojnë dhe ta jetojnë të vërtetën tonë ashtu si e dimë ne dhe pikërisht për këtë, ata duhet ne t’i përgatitim me dekada dhe shekuj që ta kuptojnë, ndërsa në ndërkohë ne do t’i shijojmë të mirat dhe leverditë e të qenët padronë të tyre!? Mendoj që ky është realiteti në prapavijën e tërheqjes së kufijve me vizore dhe ndarjes së familjeve, kombeve, gjaqeve, pasi ata ende nuk janë të përgatitur ta kuptojnë realitetin si ne dhe si rrjedhojë duhet t’i përgatitim për këtë!

Antropologjia na mëson se njerëzit mendojnë në bazë të shprehive të tyre. Kjo kështu për shkak se nuk kanë dëshirë shumë të zgjerohen dhe shtrihen dhe pasi kanë frikë nga ndryshimi. Ky ka qenë edhe shkaku kryesor i konfrontimit të pejgamberëve me popujt e tyre, por edhe shkaku i dënimit të Sokratit, ekzekutimit të shumë shkencëtarëve në mesjetë, ndërsa ne i kemi fajësuar pandërprerë ata që kanë qenë kundër avangardizmit dhe kërcimit andej gardhit. Bisedat tona më të shpeshta janë përplot me akuza ndaj konservatorizmit dhe pengimit të mendimit ndryshe. Po mirë, kjo vlen vetëm për rastet kur duhet të sulmohet ajo që ne kemi dëshirë ta imponojmë si mendësi që nuk e përjetojmë edhe vetë, me fjalë të tjera, si dyfytyrësi ndaj vetes, ose vlen si parim i përgjithshëm? Nuk ka dyshim se çdo njeri pak i logjikshëm do të pajtohej se është parim i përgjithshëm. Atëherë, çka është avangarda e mendimit të njeriut që jeton sot, do t’i themi këtij, modernizëm, postmodernizëm, ose postpost modernizëm? A mos njeriu e ka skllavëruar vet veten e tij dhe sillet në trajtë inkuizicionale ndaj çdo gjëje që do t’ia kishte prekur, bile edhe pak, dyfytyrësinë e sjelljes në brendi dhe jashtë? Unë mendoj se, po.

Ta bëj edhe një digresion, ndoshta për ta derdhur shpirtin tim edhe pak më qartë në lidhje me këtë çështje. Njeriu i sotshëm kur bëhet fjalë për dukjen e jashtme nuk ngurron që të kthehet në të kaluarën dhe ti rikthejë në modë gjërat që kanë qenë atraktive para dyzet viteve. Kolekcioni Cruise edhe në vitin 2018, si edhe vitin e kaluar, i ka parapëlqyer mantelet e gjatë e të gjashtëdhjetave dhe pantallonat e gjera; Louis Vuitton, Marni dhe Prada, në pothuaj të gjitha trendet e tyre të fundit, kanë prezantuar pantallonat e gjera, një veshje vintage dhe mjaft elegante që krijon freski gjatë sezonit të verës.  Ata në reklamimin e tyre thonë: “….në rast se akoma nuk e keni marrë vesh, vitet ’70 janë rikthyer. Dhe fuqishëm madje….”. Si rrjedhojë, gjatë sezoneve të fundit, shumë nga emrat më në zë të modës kanë prezantuar koleksionet e tyre në pasarelat e njohura ndërkombëtare, duke u ndalur në detajet e viteve ’70.

Po, pantallonat dhe të brendshmet mund t’i rikthejmë por ama urtësinë pereniale jo, assesi, pasi ajo është rigide, retrograde, e prapambetur…! Shpirti që ngërthehet nga koha dhe hapësira, për ne, është i vjetër, dhe i mbyllur në kafazin e hekurt. Ai ka të drejtë të përdoret vetëm për poezi, ndonjë fjali joshëse dashurie dhe në margjinat e shoqërisë. Ai nuk guxon të depërtojë në universitet, në teatër, në shkollë e mos të diskutojmë në organizimin dhe udhëheqjen e shoqërisë.

Shpirti është një burim i gjerë dhe përfshirës që ka mundësi të zgjatet në të gjitha anët e jetës së njeriut. Si rrjedhojë, shpirti ashtu siç ka mundësi ta sistemojë fenë, metafizikën, filozofinë, artin, ashtu ka mundësi që të ndihmojë, madje edhe t’i qetësojë relacionet ekonomike, arsimore, shoqërore. Në traditën perenniale çështjet shoqërore zbatoheshin pas pjekjes në furrën e gnostikëve me urtësi dhe mençuri të thellë. Mendimi nuk udhëhiqej nga ngjarjet, përkundrazi pa pasur mendim nuk kishte edhe zbatim. Brend’i paraqitej në kuadër të një mendimi apo shkolle të caktuar filozofike, artistike, fetare, ndërsa tash individët bëhen “idhuj” me një këngë në të cilën përsëriten tre fjalë në 25 minuta! Praktika ishte reflektim i mendimit të pjekur me përvojë, ndërsa tash  është rrjedhojë e konkluzave të nxjerra nga sjelljet të dala në pah nga statistikat. Ky është shkaku që edhe shumica e sëmundjeve shpirtërore/psikosomatike nuk kanë shërim, por mbulohen me hi nëpërmjet medikamenteve qetësuese. Kjo kështu pasi psikologjia bashkëkohore nuk është më dije për shpirtin por shkencë e cila studion manifestimet e shpirtit.

Pse ende sot e kësaj dite ta lexojmë Hafizin, Sadi Shiraziun, Mevlana Xhelaluddin Rumiun, Platonin, Konfuçion, madje edhe të botojmë libra me tituj “Platoni i gjallë”, “ Konfuçio në vend të punës”, “Zhvillimi individual dhe Tao”, “Dyzet ditë në halvet- Ditari i halvetit i një psikologeje dervishe dhe zbërthimi shkencor i tij” (Michaela Ozelsel)?

Shpirti në konceptin e urtësisë perenniale, kështu edhe në mendimin tradicional islam, gjithnjë i ka paraprirë veprës. Kur’ani shpesh thotë: “ … që ta përkujtoni”; “ … a nuk persiatni?”; “… a mos vallë i keni të mbyllura me dry zemrat?”.  Për fat të keq kjo traditë e mendimit dhe shpirtërisë në kohën e re u zëvendësua me shenjtërim të akcionit dhe si rrjedhojë edhe në hapësirat ku duhet, doemos, të dominojë shpirti u themeluan organizata që veprojnë vetëm duke i ndjekur ngjarjet. Kjo mënyrë e sjelljes shërben vetëm për ta futur në kafaz shpirtin dhe për të mos i lejuar atij që ta përjetojë kënaqësinë e lirisë jashtë trupit, jashtë lëndës.

Mos të flasim për politikën, aty fjala e parë do të jetë “ Leri këto ideale se për ideale vdesin vetëm të marrët”, ndërsa fakti është se pa ideale lindin dhe jetojnë vetëm të retarduarit….

Qeniet në gjithësi nuk janë vetëm një grumbull i gjërave pa identitet dhe esencë, ata në “fytyrën e vërtetë “ të tyre, pra subjektive, e kanë veten e tyre. Ata janë identitete individuale dhe e shfrytëzojnë identitetin e tyre për ta kompletuar funksionin e dukshëm ngjashëm siç inxhinieri i shfrytëzon pjesët e ndryshme për ta kompletuar kompjuterin. Qeniet në gjithësi, njëkohësisht, janë edhe inxhinierë edhe makinë, pianistë dhe piano… Shpirti i  fryrë në esencën e gjithësisë është prapavija që ia mundëson gjallërinë qenieve në ekzistencë dhe “ana e vërtetë” e saj është e përfaqësuar si fushë e vetëdijes. Sa më e sforcuar është vetëdija për origjinën e gjërave aq më shumë qenia ka mundësi ta kompletojë kompozicionin e të vërtetës në ekzistencë. Pasuria e udhëzimeve për përbërjet e ndryshme- veçanërisht tek njeriu, ku kujtesa artistike dhe kulturologjike i shtohet kujtesës biologjike- e mundëson që ta zbërthejë edhe atë që nuk mund të ndahet. Në këtë rast shpirti paraqitet si një inxhinier, i njeriut shpirt në njeriun trup, i furnizuar me mijëra udhëzime për bashkime dhe ndarje përmes të cilave del në dukshmëri arti esencial i gjithësisë. Për rrjedhojë, shpirit është shfrytëzues transcedental i përmasës imanente ngjashëm siç pianisti që e shfrytëzon pianon e tij. Gnoza mbinatyrore në këtë rast imagjinon forma të gjalla dhe tejet të komplikuara, që në realitet edhe e paraqesin sfondin real artistik në gjithësi. Si pasojë e kësaj shpirti është shndërruar në një qenie vetanake, e përbërë nga llojllojshmëria e bashkimeve dhe ndarjeve të mundshme, në të gjitha format ekzistuese në gjithësi.

Feja (politeizmi, krishterimi, Islami) në periudhën paraantike dhe në mesjetë është konsideruar si modalitet i qenies dhe ka qenë një nga konceptet themelore të epistemologjisë. Egjiptasit e vjetër, hindusët, kinezët, filozofia hebreje, krishtere, islame deri në shekullin e XV përmes konceptit fetar janë përpjekur t’i paraqesin përbërjet metafizike dhe si e tillë ajo ka qenë bazë për ndërtimin e ontologjisë në kuadër të sistemeve të tyre filozofike dhe artistike. Gjithashtu, feja dhe ortopraktika në analizën dhe përkujtimet e klasikëve ka pasur për qëllim të shprehë animet e subjektit drejt objektit ose nga ana tjetër të jetë pasqyrim i emrave dhe atributeve të Subjektit në Gjithësi. Si rrjedhojë, koncepti bashkëkohor se feja dhe ortopraktika janë akcidenca të objektit në periudhat para shekullit të XV janë konsideruar si të pabaza, madje disa herë edhe qesharake. Kjo kështu për shkak se një koncept i tillë është në kundërshtim me çështjen e reciprocitetit të metafizikës me fizikën dhe me inkuadrimin e Subjektit në objektet, që mendësia klasike e ka konsideruar si të pabazë dhe në kundërshtim me konceptin e dijes dhe epistemologjinë reale. Dija e objektit në vete dhe pa asnjë inkuadrim nga më lartë e ngërthen rrezikun e përjashtimit të esencës nga vetë lënda; për shkak se lidhshmëria esenciale qëndron si relacion jashtë përmasës lëndore të objektit dhe objekti pa këtë lidhje është një akcidencë tejet e dobët dhe e pabazë. Gjithashtu, objektet metafizike para se të parafytyrohen nga arsyeja ose shija kanë edhe një përmbajtje që nuk është lëndë e epistemologjisë; pra, konceptimi i objektit pa këtë përmasë esenciale është në kundërshtim me përkapjen intelektuale dhe aksiologjike të qenies. Pikërisht për këtë  e mësipërmja është konsideruar si e pabazë dhe alternativa kryesore klasike për konceptim real të esencës së fesë dhe pragmatizimit të ekzistencës së qenies është bërë teoria e dijes metaforike, pra përfaqësimi i Qenies në ekzistencë si Veprues (Fail).

Në realitet ky koncept klasik i fesë dhe shpirtit ose vetmisë pozitive në Gjithësi është një zgjatje logjike e ontologjisë aksiologjike. Për pasojë koncepti i vlerës (value) është i realizueshëm vetëm me përfaqësimin e qenies përmes veprës në relacion me Zotin. Në një mënyrë ky konstatim është i lidhur ngushtë edhe me vetëdijen individuale. Vetëdija- ashtu siç e përdor edhe Husserl’i- do të thotë që intelekti njerëzor të jetë i hapur, gjithnjë, për diçka nga jashtë, të ketë mundësi orientimi drejt diçkaje jashtë vetes dhe që nuk ka mundësi të ekzistencës nga vetja.

Çështja e veprimit fetar si pasojë e vetëdijes në filozofinë sufike islame është emërtuar me termin vexhd. Vexhd në aspekt gjuhësor do të thotë “dalje nga vetja fizike/ekstazë” dhe gjetje e të të Vërtetës/Zotit. Ibn Arabiu do të konstatojë se mendimi i shumicës së sufive është që qenia/vuxhud është gjetje e të Vërtetës në daljen nga vetja. Këtu gjithsesi etimologjia e fjalës vuxhud, që në gjuhën arabe e ka kuptimin e gjetjes ka ndikuar dukshëm në formësimin e kësaj teorie. Ndërsa vetëdija/vixhdan është një gjendje e veçantë e gjetjes/vuxhud, por edhe e daljes nga vetja/vexhd, si pasojë e paraqet pasqyrimin e befasishëm të Zotit në Gjithësi.

Termi vexhd rrjedh nga rrënja “v-xh-d” që d.t.th.: gjetje e gjësë së humbur, hidhërim, dëshpërim, ankesë, bollëk dhe pasuri, potencial, dashuri e tepërt.

Vexhdi në terminologjinë e Tesavvufit paraqet hapjen dhe emocionimin e zemrës së udhëtarit shpirtëror gjatë vrojtimit të pasqyrimeve eterne të Allahut xh.sh., kalimin e tij prej vetes dhe qëndrimin bashkë me më të Madhin. Si rrjedhim udhëtari shpirtëror i përjeton fenanë (shkrirjen kuptimore) dhe bekanë (përhershmërinë e besimit), “gjetjen e Allahut dhe shlyerjen e cilësive fizike të tij (sufiut)”.

Në Tesavvufin islam dhe në disa sisteme tjera mistike ekstaza është mjet e assesi qëllim. Qëllimi i jetës së mistikut nuk është ekstaza por është vendi deri te i cili arrihet nëpërmjet saj. Në një anekdotë të përcjellë nga Huxhviriu thuhet: “Një ditë Imam Shibliu në gjendje të ekstazës erdhi te Imam Xhunejdi dhe e vërejti se ai ishte i dëshpëruar. E pyeti se pse ishte i dëshpëruar, ndërsa Xhunejdi i tha: Ai që kërkon do ta gjejë! Kurse Shibliu iu përgjigj: Jo, ai që e gjen do ta kërkojë. Xhunejdi kishte të drejtë, thotë Huxhviriu, për arsye se ai fliste për ekstazën (vexhd), ndërsa Shibliu bënte fjalë për ekzistencën (vuxhud) dhe pohonte se njeriut nuk i kalon dëshpërimi përderisa nuk shkrihet në Qenien të cilën e adhuron.

Pika e fundit e vexhdit në Tesavvufin islam është Tevhidi (vërtetimi i njëshmërisë së Allahut). Domethënia e Tevhidit nuk është inkarnim ose unjësim me Zotin, por është njohje e njëshmërisë së Tij. Si rrjedhim njohja e cila paraqitet si rezultat i vexhdit, njeriun e abstrahon nga vetvetja dhe bota që e rrethon dhe ai nuk ndjenë asgjë tjetër përveç Allahut xh.sh. Kështu Zoti paraqitet si i vetmi Sundues dhe i Pranishëm në arenën e ekzistencës. Kjo d.t.th., që njeriu të mos shohë asgjë dhe në mendimet e tij të mos ketë asgjë përveç Allahut.

Sa më shumë që thellohet dalja nga vetja,  aq më shumë udhëtari shpirtëror vazhdon të sillet vërdallë në luginat e mahnitjes dhe të madhështisë. Një çast  vjen dhe  e humb në tërësi dëshirën  dhe veten e sheh si një hije të dritës së qenies. Sun’ullah Gajbiu, një sufi me emër, i varrosur në Kutahja të Turqisë, në një poezi të tij shumë qartë e ka sqaruar këtë gjendje të gjetjes së qenies jashtë vetes dhe shprehjen e saj përmes veprës artistike. Ai thotë:

Mos u deh vazhdimisht me ashkun, por as mos u esëllo vazhdimisht me arsye

Bashkoji hapësirat e askezës  e  të gnosës dhe përqendrohu

Xhelali/madhështia dhe xhemali/bukuria  të bashkuara e mbajnë në këmbë këtë botë

Mos u dëshpëro pandërprerë në këtë kohë dhe as mos u gëzo pa nda

Në helmin e shumësisë është përzier sheqeri i njëshmërisë

A mos, vallë,  pastën e madhe e shijoi Gajbiu dhe u përqendrua.

Megjithatë, këta kualifikime, do të mund të vendosen më shumë në planin shpirtëror të orientimit drejt Subjektit, sesa në qortim të `shastisjes`, që ju adresohet poetëve dhe artistëve me mungesë të orientimit intelektual kontemplativ. Për më shumë, fetaria dhe veprimi shoqëror që nuk është i lidhur me Realitetin Ultimativ, vetëm se shpreh kotësinë, dhe më këtë i shkakton artistit `hipokrizinë` esenciale, duke ia pozicionuar në vetvete dy realitete të kundërta dhe të ndara plotësisht, pra: atë të “të thënit” dhe atë të `të përjetuarit` . E ndarë nga `të përjetuarit`, “e thëna” vlen jo më shumë se hiç, pra, humb realitetin ontologjik dhe atë shpirtëror dhe me këtë zbret në domenin e “të bërit të kotë”. Përderisa është e abstenuar nga cilido realitet ontologjik, atëherë kjo `e bërë e kotë`është tamam opozita e vetë objektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.