MEDIOKRITETI NË KRIJIMTARINË LETRARE

Duke i imituar idhujt e periferisë mediokritetet e periferisë me të drejtë shpresojnë se me shkrimet e tyre do ta befasojnë lexuesin e mjedisit të vet

Rexhep QOSJA

“… Numri i mediokriteteve në letërsitë e vogla kombëtare është, veçmas, i madh, megjithëse opinioni lexues mendon se pikërisht në letërsinë dhe kulturën e tyre nuk ka mediokritete. Disa prej mediokriteteve të këtyre letërsive e imitojnë me ngulmë letërsinë popullore ose, tekembramja, e shfrytëzojnë thesarin popullor me qëllim që të tërheqin interesimin e opinionit — kur shkruajnë vjersha dhe proza, apo të shikuesve — kur shkruajnë drama dhe skenarë filmi. Mediokritetet e këtij interesimi pohojnë se në atë mënyrë duan të jenë autoktonë, por meqenëse janë përgjysmë të aftë, bëhen epigonë të letërsisë popullore dhe zhyten në folklorizëm dhe në primitivizëm.

Disa prej mediokriteteve të tjera të këtyre letërsive i imitojnë shkrimtarët e huaj dhe i imitojnë kryesisht dhe përfundimisht ata shkrimtarë të huaj avangardistë, që me shkrimet e tyre kanë zgjuar interesim të madh në qarqet e huaja letrare, por janë shndërruar në idhuj në qarqet periferike evropiane të letërsisë. Duke i imituar idhujt e periferisë mediokritetet e periferisë me të drejtë shpresojnë se me shkrimet e tyre do ta befasojnë lexuesin e mjedisit të vet. Mediokritetet e këtilla, zakonisht i imitojnë format kompozicionale, teknikën e shprehjes, simbolet, metaforat, veçmas alegoritë, pikëpamjet, disponimet, sëmundjet nervore, apatitë dhe, përgjithësisht, inovacionet e shkrimtarëve të huaj. Mediokritetet, shpesh, përmbajtjen autoktone, të biberosur me biberin e thesarit popullor, e veshin në rrobet letrare të shkrimtarëve të huaj, që do të thotë se personazheve autoktonë ju presin rrobe allafranga. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse shumica e personazheve të mediokriteteve, edhe kur kanë emra nacionalë, veprojnë, mendojnë, sëmuren, çmenden dhe vdesin në mënyrën e huaj apo në ambiente, në të cilat më së shpeshti vdesin personazhet e disa shkrimtarëve bashkëkohorë të huaj. Po t’i hynte punës jomirënjohëse të krahasimit, çdo studiues i kujdesshëm do të shihte se sa simboli, alegoria, metafora, se sa format e disponimit, se sa atmosfera, se sa karakteri i personazhit të shkrimeve të shkrimtarëve të huaj janë shartuar artificialisht në shkrimet e disa shkrimtarëve të këtyre letërsive periferike. Të gjithë shkrimtarët, madje edhe ata me prirje më të madhe, janë të shtrënguar të pranojnë, apo të japin, ndikime, por ndryshimi ndërmjet tyre dhe mediokriteteve qëndron aty se shkrimtarët që mendojnë me kokën e vet i asimilojnë, i përvetësojnë ndikimet, kurse mediokritetet ju nënshtrohen plotësisht, bëhen robër të tyre; ndryshimi ndërmjet të parëve dhe të dytëve qëndron aty se të parët krijojnë vepra artistike autektone me disponim të papërtëritur, kurse mediokritetet, duke i shkoqur format e huaja prej kontekstit natyror, artistik, krijojnë kiç-literaturë, që në periferinë evropiane shpesh pranohet si literaturë „e vërtetë”. Mediokritetet e letërsisë në të vërtetë janë epigonë. Çdo gjë të huaj, çdo inovacion, që është inovacion vetëm brenda kontekstit ku është përdorur, ata e pranojnë, pra, pa kurrfarë rezerve për shkak se janë të qëruar prirjesh

dhe vetëdije kritike që t’ja nënshtrojnë gjykimit dhe vlerësimit të vet kritik. Përse mediokritetet e letërsisë zbresin në nivelin e epigonëve? Sipas të gjitha gjasave, ata vuajnë prej kompleksit të inferioritetit, që ua imponon vetëdija e aftësisë mesatare dhe, në përpjekje e sipër që ta sublimojnë kompleksin, ju nënshtrohen imitimeve të autoriteteve të huaja letrare, të cilave, në çdo rast, në çdo situatë u gjunjëzohen, ua puthin duart, ua heqin kapelat, ua mbajnë palltot, ua lustrojnë këpucët, ua brushojnë rrobet. Megjithëse shkrimet e mediokriteteve, zakonisht, përfundojnë në shportën e estetikës dhe s’mund të gëzojnë kurrë dashurinë dhe respektin e lexuesve, historianët e letërsisë interesohen për to jo për shkak të vlerës që mund të kenë, po për shkak se përmes tyre mund t’i shohin dhe studiojnë më lehtë ndikimet e asimiluara që çdo letërsi kombëtare pranon prej letërsive të popujve të tjerë e, sidomos, prej letërsive të mëdha…”

(PANTEONI I RRALLUAR, “Rilindja”, 1973)

Leave a Reply

Your email address will not be published.