SHKRIMTARI NDËRTON LIRINË E VET NË VEPRËN E TIJ

Për Shkrimtarin sot, edhe Metafora e djallit mund t’i shërbejë për ta krijuar Veprën e Djallit që i rri kundruall dhe ia zë hisen e tij të Diellit

Beqir MUSLIU

Metafora e Jetës sime është Ëndrra për Lirinë. Këtë orvatem ta bëjë sa më të lirshme, sa më të lehtë, meqë Ëndrra edhe si Metaforë është më afër realitetit tim jetësor, edhe krijues. Por shumë gjëra i mbesin ditës tjetër për t’u realizuar, jo vetëm si Metaforë, por edhe si sendërtim të një ideali jetësor, kombëtar, por edhe artistik. Siç thotë në një varg miku im dhe poeti i mirënjohur Teki Dervishi: ”Dhembja na u bë punë që lihet për nesër”,andaj, edhe metaforat sikur i palojmë thellë në dhembjen tonë (timen) për t’i shpalosur Nesër, meqë ajo Nesër mund të jetë krejt afër, apo, mos o zot,edhe larg. Krijimtaria krejt atë që e posedon, nuk është vetëm një shpalosje, nga ajo mund të dalin shumë fashe dhe kjo shpalosje mund të zgjas edhe më shumë. Shkrimtari ndërton lirinë e vet në veprën e tij, por një shtresë nuk e heton, apo thënë më mirë, nuk është në gjendje që ta absorbojë, kështu që krijohet një divergjencë ndërmjet Shkrimtarit si prodhues i Veprës artistike dhe lexuesit dhe ç’është më tragjike, ndërmjet studiuesit. Andaj, “shpikën” Metaforat si stade të refuzimit për t’i “qëruar” llogaritë me të gjithë ata që janë jashtë konvencave të konzumentit ditor. Shkrimtari (andaj edhe unë) “Lirinë” time prej shkrimtari mund ta konsideroj atë që arrijë ta pushtojë me veprën time, dhe vetëm ajo është në gjendje të më peshojë ç’luftëtarë i madh qesh-jam-isha. Është çështje në vete realizimi i Veprës, thënë pak më ndryshe, ofrimi i Veprës përpara opinionit, e më pastaj vjen vlerësimi i saj. Është vështirësuar një “kanalizim” i tillë, pikërisht për shkak të rënies së krejt asaj që ishte njëherë si format institucional. Tash, kur Krijuesit e mirëfilltë janë më të ngathtë në plasimin e Veprave të tyre, mediokrët plasojnë hiçet e tyre dhe “përzihen” edhe “konceptet”, ç’është ajo që vlen dhe s’është e publikuar, ndërmjet asaj që s’vlen dhe e ke para hundëve. Sikur të krijoheshin mundësi të tjera,që Vepra, akëcila Vepër të jetë e hapur, publike dhe të garojë edhe me atë që nuk është edhe gjithaq vlerë, atëbotë, një çlirim do të ishte edhe më i madh, se kriteri i zgjedhjes dhe shijes artistike do të jetë primar për t’u pranuar, për t’u rivalërizuar Veprat, e jo ky që ekziston (me pak përjashtime) sot, kur shundi, shkarravinat dhe pseudo-veprat letrare i mbushin raftet tona për t’u lexuar dhe për t’u vlerësuar (po qe se vlerësohen). Vërehet te ne pak i sforcuar një politizim joproduktiv. Edhe Shkrimtarët më pak merren me vetvete e tyre, shumë më tepër me atë që ngjanë rreth tyre dhe botës përreth. Kjo është e kuptueshme, por një energji e shfrytëzuar vetëm në këtë mënyrë, droj se mund t’i bëj dëm si politikës, në përgjithësi, por se edhe vetë artit, në veçanti. Mungesa e Lirisë nuk duhet të keqpërdoret vetëm si “slogan”. Po të ishim të lirë të gjitha do t’i rregullonim, shkasi duhet kërkuar arsyen, për ndryshe do të jetë qëllim i vetvetes. Andaj për Shkrimtarin sot, edhe Metafora e djallit mund t’i shërbejë për ta krijuar Veprën e Djallit që i rri kundruall dhe ia zë hisen e tij të Diellit. Por, Metafora e Jetës Sime Është Vepra Ime, po qe se është Vepër- Metaforë.

(Beqir Musliu, 1945 – 1996, ishte poet, romancier dhe dramaturg. Musliu është autor i shumë veprave dhe shquhet për mjeshtërinë e madhe të përdorimit të metaforave dhe simboleve, ndaj me të drejtë është konsideruar edhe si shkrimtar i simboleve).

Leave a Reply

Your email address will not be published.