Tregim

Juan RULFO

THUAJU TË MOS MË VRASIN!

– Hustino, për kokën tënde, thuaju të mos më vrasin! Ec e thuajua këtë! Të më mëshirojnë. Kështu thuaju. Thuaju të mos e bëjnë, për mëshirë.

– Nuk e bëj dot. Atje është një rreshter që nuk do të do t’ia dijë fare për ty.

– Po ti mundohu ta bindësh. Bëj ç’është e mundur dhe thuaj se nga frika do të bëhem i mirë. Thuaj që ta bëjë për mëshirë të Zotit.

– Nuk ka të bëjë fare me frikën. Me sa duket, do të të vrasin me të vërtetë. Prandaj nuk dua të kthehem më atje.

– Shko edhe një herë. Vetëm edhe një herë, kushedi, mbase arrin të bësh gjë.

– Jo. Nuk dua të shkoj prapë. Unë jam yt bir dhe, nëse shkoj prapë tek ata, do ta marrin vesh se kush jam dhe do të më pushkatojnë edhe mua. Më mirë t’i lëmë gjërat kështu siç janë.

– Shko, Hustino. Thuaju që t’u vijë pakëz keq për mua. Vetëm kaq thuaju.

Hustinoja shtrëngoi dhëmbët dhe tundi kokën duke thënë:

– Jo.

Dhe vazhdoi të tundte kokën për një çast.

– Thuaji rreshterit të të lerë të takosh kolonelin. Dhe atij thuaji se jam plak tani. Lëkura ime nuk vlen kushedi çfarë. E çfarë do të fitojë ai, po të më vrasë? Kurrgjë. Por ai duhet të jetë njeri me shpirt, djalli ta marrë! Thuaji që të më kursejë, thjesht për të shpëtuar shpirtin e tij.

Hustinoja u ngrit nga pirgu me gurë ku ishte ulur dhe eci drejt derës së vathës. Pastaj u kthye e tha:

– Mirë pra, po shkoj. Ama, nëse më pushkatojnë edhe mua, kush do të kujdeset për time shoqe dhe për fëmijët e mi?

– Perëndia, Hustino. Ajo do të kujdeset për ta. Hajde, shko atje, mbase kushedi bën ndonjë gjë për mua. Ik, se nuk pret puna.

E kishin sjellë aty shumë herët. Ja, tani po gdhihej dhe ai vazhdonte të rrinte atje, duke pritur, i lidhur te një hu. Ishte shumë i shqetësuar. Kishte dashur të dremiste një çikë, mbase kushedi qetësohej pak, por gjumi nuk i qasej fare. Edhe uria i kishte ikur. Nuk kishte dëshirë për asgjë. Veçse të jetonte. Sidomos tani që e dinte mirë se do ta vrisnin, kishte një dëshirë aq të madhe për të jetuar, sa i dukej sikur do të ringjallej.

E kujt i shkonte ndërmend se do të shfaqej përsëri ajo çështje aq e vjetër dhe aq e pështirë, të cilën ai e dinte të varrosur me kohë. Ishte ajo çështja për të cilën i ishte dashur të vriste don Lupen. Ama jo ashtu siç donin ta bënin banorët e Alimas, por ngaqë kishte pasur arsyet e tij. Dhe i kujtonte:

Don Lupe Terreros, pronari i Puerta de Piedras, që, mbi të gjitha, ishte edhe miku i tij. Atij, Huvensio Navës, i kishte rënë për hise ta vriste. Po pse? Sepse ai, Don Lupeja, duke qenë pronari i Puerta de Piedras e gjithashtu edhe miku i tij, nuk donte ta linte që ky të kulloste lopët në meranë e tij.

Në fillim, u përpoq vërtet që të merrej vesh me të. Por pastaj, kur ra thatësira e gjedhët e tij po ngordhnin urie një nga një, ndërsa kumbari i tij, don Lupja, vazhdonte të mos e linte t’i fuste në meranë e tij, atëherë u dha një dru lopëve të shkreta që qenë katandisur kockë e lëkurë, prishi gardhin e i futi në kullotën e don Lupes dhe i la atje të hanin bar sa të ngopeshin. Kjo gjë nuk i paskësh pëlqyer don Lupes dhe urdhëroi ta ndreqnin prapë gardhin; kurse ai, Huvensio Nava, e paskësh prishur përsëri. Kështu pra, gardhi ndreqej ditën dhe prishej natën, ndërkohë që kopeja rrinte përherë atje, ngjitur për gardhi, duke pritur të shkonte për të kullotur; kopeja e tij që më përpara s’bënte gjë tjetër veç rrinte duke i marrë erë barit, pa mundur dot ta provonte si ishte.

Ja kështu, ai dhe don Lupja flisnin e grindeshin me njëri-tjetrin, e vesh nuk merreshin dot. Dhe një ditë Lupeja i thotë:

– Shiko, Huvensio, po fute më, qoftë edhe një këmbë lope në barin tim, ta dish se do ta vras.

Dhe ai i qe përgjigjur:

– Dëgjo don Lupe, nuk është faji im nëse lopët kërkojnë të hanë. Ato janë të pafajshme. Po ti, në ke në jetë që t’i vrasësh, ec e bëje.

«Dhe më vrau një mëzat.

«Kjo ka ndodhur këtu e tridhjetë e pesë vjet të shkuara, aty nga marsi, se në prill unë ia kisha mbathur e isha fshehur pyjeve për t’i shpëtuar gjyqit. Nuk më shpëtuan dot as dhjetë lopë që ia dhashë gjyqtarit, as hipoteka e shtëpisë, për t’u gjykuar në gjendje të lirë. Dhe më pas, ata të drejtësisë janë paguar akoma që të mos më ndiqnin, e prapë se prapë mua më ndoqën. Prandaj shkova të jetoj me tim bir në atë copën tjetër të tokës që kam pasur këtu, në Paolo de Venado. Dhe im bir u rrit e u martua me time re, Ignacian, me të cilën ka tetë fëmijë. Kështu që kjo u bë histori e vjetër, prandaj mendova se çdo gjë ishte harruar. Por me sa duket, nuk qenkësh ashtu.

«Atëherë, unë bëra hesap që me nja njëqind peso do të rregulloja gjithçka. I ziu don Lupe, tashmë i vdekur, ishte vetëm, nuk kishte askënd veç gruas dhe dy fëmijëve meshkuj, që atëherë akoma hiqeshin bythazi. Por i vdiq papritur edhe e shoqja, siç thonë, nga hidhërimi. Dhe djemtë e vegjël i çuan diku larg, te disa të afërm. Kështu që nga ana e tyre nuk kisha pse të kem frikë.

«Por njerëzit, duke përfituar nga rasti se më kishin paditur dhe kisha gjyq të hapur, filluan të më frikësonin me qëllim që të më grabitnin. Sa herë që vinte dikush në fshat, më lajmëronin:

«- Pamë disa të huaj këtej rrotull, Huvensio.

«Dhe unë ia mbathja përsëri, futesha e fshihesha pyjeve me mare dhe i kaloja ditët duke ngrënë lëpjeta. Nganjëherë më duhej t’ia mbathja në mes të natës, thua se po më ndiqnin qentë. Dhe nuk qe një vit apo dy. Kështu po më ikte tërë jeta.»

Dhe ja ku kishin ardhur ta kërkonin përsëri, pas kushedi sa vitesh, kur askujt nuk ia priste mendja dhe kur të gjithë e kishin harruar atë mesele; ai besonte se, ndofta, ditët e fundit që i kishin mbetur do t’i kalonte në qetësi. “Të paktën, – thoshte me vete, – mbase arrij e përfitoj nga pleqëria. Besoj se do të më lënë të qetë”.

E vetmja shpresë që i kishte mbetur. Prandaj nuk i shkonte kurrë në mendje të vdiste ashtu, papritur, në atë moshë të shtyrë që kishte, pas tërë asaj lufte për t’i shpëtuar vdekjes; pasi e kishte kaluar pjesën më të mirë të jetës duke u vërtitur sa andej këtej, duke u hequr branë nga frika, ndërsa i kishin mbetur vetëm kockat poshtë lëkurës, një lëkurë e bërë shollë në tërë ato ditë të zeza, kur i duhej të fshihej nga të gjithë.

A nuk i qe dashur për këtë gjë që të humbiste edhe të shoqen? Nuk e harronte atë ditë që u gdhi me lajmin se gruaja i kishte ikur, ama as që i shkoi ndër mend të dilte e ta kërkonte. As që pyeti fare se me kë kishte ikur e ku kishte shkuar, si e si që të mos zbriste në fshat. E la të ikte, siç i kishte ikur çdo gjë tjetër, pa bërë asgjë. Tani e vetmja gjë që i kishte mbetur, dhe që duhej ta ruante, ishte lëkura e tij; dhe këtë do ta bënte me çdo kusht. Nuk do t’i linte ta vrisnin. Asnjëherë. Sidomos tani.

Por ata pikërisht për këtë e kishin sjellë që andej, që nga Palo de Venadoja. Madje nuk u qe dashur as ta lidhnin që t’u shkonte pas. Ai kishte shkuar vetë pas tyre, nga frika. Ata e kishin parë se ai nuk mund t’ia mbathte dot me atë trup të rrëgjuar, me ato këmbë të holla si cipale të thatë, të mpira nga frika e vdekjes. Pra, ja tek vinte vetë, si cjapi te kasapi. Drejt vdekjes. Sepse ata ia kishin thënë troç këtë gjë.

Tani e kishte të qartë. Dhe filloi të ndiejë një djegie në fund të stomakut. Kjo djegie i vinte papritur, sa herë që e shihte veten pranë vdekjes, e atëherë nga sytë i buronte ankth dhe goja i mbushej me gllënjka uji të hidhur që i duhej t’i gëlltiste pa dashur; ndërsa këmbët i rëndoheshin dhe koka sikur i zbutej e zemra i rrihte brinjët me tërë forcën e saj. Jo, jo. Nuk mund ta pranonte idenë se do ta vrisnin.

Duhej të shpresonte ende. Diku duhej të qe fshehur pak shpresë. Kushedi, ata mund të qenë gabuar. Mbase kërkonin ndonjë Huvensio Nava tjetër, jo pikërisht atë Huvensio Nava.

Kishte ecur midis atyre njerëzve në heshtje, me krahët të varur. Ishte një agim i errët, pa yje. Era frynte lehtë-lehtë, ngrinte nga toka e thatë pluhurin, duke e tharë edhe më, një pluhur që vinte erë shurre, si pluhur rrugësh.

Sytë e tij, të fryrë me kalimin e viteve, megjithëse ishte errësirë, shihnin tokën që vinte drejt tij, aty, nën këmbët e veta. Aty, në atë tokë, ishte tërë jeta e tij. Gjashtëdhjetë vjet kishte jetuar mbi atë tokë, e kishte marrë në duart e tij për ta provuar, siç provohet mishi. Dhe për çaste të tëra fërgëllonte, duke e gllabëruar me sy e duke gëzuar çdo plis të saj, sikur të ishte hera e fundit që e shihte, sikur ta dinte se ishte hera e fundit.

Pastaj, duke dashur të thoshte diçka, shikonte njerëzit që ecnin pranë tij. Donte t’u thoshte që ta lëshonin, që ta linin të ikte . “Djema, unë nuk i kam bërë keq njeriu”, këtë donte t’u thoshte, por heshtte. “Pak më tutje, do t’ua them”, mendonte. Por vetëm i shikonte. Madje mund të mendonte sikur të ishin miqtë e tij; por nuk donte ta bënte. Ata nuk ishin miq. Nuk e dinte cilët ishin. I shikonte në krah të tij, duke u shmangur e duke u përkulur për të parë se nga të shpinte udha.

Për herë të parë i kishte parë kur po ngrysej, në atë orë të mbrëmjes, kur çdo gjë ishte pa ngjyrë, si një përcëllimë. Ata po kalonin përmes misërishtes, duke shkelur mbi filizat e njomë të misrit. Dhe ai për këtë kishte zbritur deri këtu e u kishte dalë përpara: për t’u thënë se misri sapo kishte filluar dhe ishte gjynah ta shkelje. Por ata nuk u ndalën.

I kishte parë në kohën e duhur. Gjithmonë kishte pasur fatin t’i shikonte në kohë gjërat. Edhe mund të fshihej, të ecte disa orë kodrës në pritje që ata të iknin, dhe pastaj të zbriste poshtë. Sepse, tekefundit, misri nuk do të arrinte të bëhej. Ishte koha e shirave, po shirat nuk dukeshin gjëkundi, e misri kishte filluar të fishkej. Nuk do të vononte shumë dhe gjithçka do të ishte bërë shkrumb.

Kështu që nuk ia vlente fare që të zbriste; që të binte në dorë të tyre, duke mos shpëtuar dot më.

Dhe tani, ai ecte me ta duke e përmbajtur me zor dëshirën për t’iu thënë që ta linin të ikte. Nuk ua dallonte dot fytyrat; shihte vetëm trupat e tyre që afroheshin dhe shmangeshin nga ai. Në atë mënyrë që, kur ai nisi t’u flasë, nuk e mori vesh nëse e dëgjuan apo jo. U tha:

– Unë kurrë nuk i kam bërë keq njeriu.

Kështu tha, por gjithçka ishte e kotë. Asnjë prej atyre hijeve nuk ia vuri veshin fare. Madje as që e morën mundimin t’i hidhnin sytë. Ata vazhduan njësoj, a thua qenë përgjumësh.

Atëherë, mendoi se nuk kishte më ç’të thoshte dhe se shpresa duhej kërkuar diku gjetkë. Iu varën krahët, sikur t’i qenë këputur. Kështu eci, derisa mbërriti në shtëpitë e para të fshatit, midis atyre katër burrave, që në errësirën e natës dukeshin si hije të zeza.

– Kolonel, e sollëm atë burrin.

Ata ishin ndalur përpara një hyrjeje të ngushtë, si e çarë. Ai, me sombreron në dorë, në shenjë respekti, priste të shihte se kush do të dilte. Por andej doli vetëm një zë që pyeti:

– Cilin burrë?

– Atë të Palo de Venados, kolonel. Atë që na dërguat ta gjenim e t’ua sillnim.

– Pyete nëse ka jetuar ndonjëherë në Alima, – tha përsëri zëri që vinte nga brenda.

– Hej, ti! Ke banuar në Alima? – përsëriti pyetjen rreshteri që ishte përballë tij.

– Po. Thuaji kolonelit se andej jam. Dhe se atje kam jetuar deri para ca kohësh.

– Pyete a e ka njohur Guadalupe Terrerosin.

– Koloneli thotë a e ke njohur Guadalupe Terrerosin.

– Don Lupen? Po. Thuaji se e kam njohur. Tani ka vdekur.

Atëherë, zëri që dilte nga brenda e ndryshoi tonin:

– E di që ka vdekur, – tha dhe vazhdoi të fliste, a thua sikur të bënte muhabet me dikë, atje, nga krahu tjetër i së ndarës me gardh thuprash:

– Guadalupe Terreros, ka qenë babai im. Kur u rrita dhe e kërkova, më thanë se kishte vdekur. Është e vështirë të rritesh, kur kupton se rrënja pas së cilës duhet të kapesh nuk është më, ka vdekur. Ja, neve kështu na ka bërë vaki.

«Më vonë, mora vesh se e paskëshin qëlluar me kosore dhe pastaj i paskëshin ngulur edhe një hosten në bark. Më kanë treguar se kishte ngelur plot dy ditë i humbur dhe se, kur e paskëshin gjetur të shtrirë në një përrua, ende me shpirt, para se të vdiste, paska lënë amanet që të kujdeseshin për familjen e tij.

«Një gjë e tillë, të duket se me kalimin e kohës mund të harrohet, dhe njeriu përpiqet ta harrojë. Por ajo që nuk të del nga mendja, është të marrësh vesh se ai që e ka bërë këtë, është ende gjallë, duke e ushqyer shpirtin e tij të pjerdhur me iluzionin se për të nuk paska vdekje. Këtë njeri nuk do ta falja kurrë, edhe pse nuk e njoh; por fakti që tashmë e di se ku është, më jep zemër që të mbaroj punë me të. Nuk mund t’ia fal që është ende gjallë. Madje nuk do të duhej të kishte lindur kurrë.»

Të gjitha këto që tha, u dëgjuan mirë që këtu, përjashta. Pastaj, ai urdhëroi:

– Merreni dhe mbërthejeni në një shtyllë që të vuajë ca, pastaj pushkatojeni!

– Pa më shih, kolonel! – iu lut ai. – Unë tani nuk vlej më për asgjë. Nuk do të vonoj të vdes, i vetmuar, i rrënuar nga pleqëria. Mos më vrit…!

– Merreni! – përsëriti zëri nga brenda.

– … E kam paguar tashmë borxhin tim, kolonel. E kam paguar shumëfish. M’i kanë marrë të gjitha. Më kanë ndëshkuar në të gjitha mënyrat. I kam kaluar afro dyzet vjet i fshehur si ndonjë i zgjebosur, gjithmonë duke u dridhur se mos më vrisnin nga çasti në çast. Nuk e meritoj të vdes kështu, kolonel. Më lër që, të paktën, të më falë Zoti. Mos më vrit! Thuaju të mos më vrasin!

Ai ishte aty, njëlloj sikur ta kishin rrahur, duke përplasur përdhe sombreron e tij. Duke bërtitur.

Papritur zëri që nga brenda thotë:

– Lidheni dhe jepini të pijë derisa të dehet, që të mos i ndiejë dhembjet e plumbave.

Më në fund, po prehej i qetë. Ja ku ishte, aty, i shembur te këmba e shtyllës. Aty ishte edhe i biri, Hustinoja. I biri kishte ikur, pastaj ishte kthyer prapë dhe, tani, ja ku ishte përsëri.

I biri e mori dhe e ngarkoi mbi gomar. E lidhi dhe e shtrëngoi mirë me litarë që të mos binte rrugës. Kokën ia futi brenda në një thes që të mos bënte përshtypje të keqe. Dhe pastaj, i futi nja dy thupra të mira gomarit dhe ikën me nxitim për të mbërritur sa më herët në Palo de Venado, për të rregulluar çfarë duhej për varrimin.

– Jot re dhe nipërit e tu do t’i marrë malli për ty, – thoshte Hustinoja rrugës. – Kur të të shikojnë në fytyrë, nuk do të besojnë se je ti. Do të mendojnë se të ka ngrënë ujku, kur të të shohin me atë fytyrë plot me vrima, të shpuar nga tërë ata plumba që të kanë dhënë.

(Në shqip: B. Karabolli)

Leave a Reply

Your email address will not be published.