FATOS ARAPI, DASHURITË ME EMRIN TANJA…

E shikoja Fatosin që nxirrte nga çanta e vogël ku mbante dhe dietën tonë mjerane prej pesë dollarësh në ditë, një copë letër dhe telefononte nga telefonat e rrugës

Bardhyl LONDO

Në vitin 1987 më ra rasti të shkoj në Bullgari me poetin tonë të madh e të paharruar Fatos Arapi në një takim shkrimtarësh ballkanikë. Fatosi kishte studiuar atje dhe Tanjën që e kishte dashur e që nuk e kishte fshehur asnjëherë edhe pas prishjes së marrëdhënieve. Emrin e saj e përmendte shpesh në poezi: Dashuritë me emrin Tanja, tragjeditë me emrin Tanja.

Bullgarët na pritën aq mirë sa na quajtën dallëndyshet e para, se pas shumë vitesh shkonin për herë të parë shkrimtarë shqiptarë atje. Pas drekave e darkave që vazhdonin me orë e shikoja Fatosin që nxirrte nga çanta e vogël ku mbante dhe dietën tonë mjerane prej pesë dollarësh në ditë, një copë letër dhe telefononte nga telefonat e rrugës. Pas dy ditësh e pyes: A e ke takuar Tanjën? Jo, më thotë, ku ta takoj? E marr në telefon, s’më del njeri në shtëpi.

Edhe pas dyzet e ca vjetësh, ai ruante ende numrin e saj në telefon. A e mban mend shtëpinë e pyeta. Si jo, tha. Hajde shkojmë bashkë, i thashë. Jo, se të marr në qafë dhe ty. O Fatos, i thashë, pse beson njeri se ke ardhur në Sofje dhe nuk e ke takuar Tanjën kur ti emrin e saj e ke në shumë poezi? Pastaj nuk është fare njerëzore të mos e takosh.

U ngjitëm në katin e dytë të një shtëpie dykatëshe. Ziles i rashë unë. Doli një plakë me të zeza si plakat tona të jugut. Fytyra ime nuk i thoshte gjë. Kur pa Fatosin prapa meje, “oh Fatosi”, klithi dhe iu hodh në qafë. Hajdeni brenda, tha. Kundër dëshirës sime, Fatosi nuk pranoi. Mirë tha,Tanja është në punë, vjen pas një ore. Do t’i them të vijë tek hoteli ku rrini.

Pas një ore Tanja erdhi. E bukur, shtatgjatë, bionde, sykaltër. Pas ndarjes me Fatosin, ajo kishte pasur një tragjedi më të madhe. Ishte martuar, divorcuar, ish-burri punonte në ambasadën bullgare në Budapest dhe vinte çdo verë merrte djalin katërmbëdhjetë vjeçar e mbante disa ditë në Budapest. Në një aksident automobilistik djali vdes. Tragjedia e Tanjës ishte e shumëfishtë. Nuk rri më dot në këtë vend, më tha, do iki në Kanada.

Dhe vërtetë më ra rasti të shkoja pas ca kohe në Sofje, e kërkova dhe më thanë që kishte ikur në Kanada.

Ditën e fundit që ikëm nga Sofja dolëm të blinim ndonjë gjë për të afërmit. Unë doja të blija një palë çizme për gruan time të ndjerë, që atëherë nuk gjendeshin në Tiranë.

Tanja këmbënguli të m’i dhuronte. Natyrisht që nuk pranova. Rrugës duke u kthyer në hotel i thashë Tanjas: Sot u munduam si Krishti. Pse, më tha. Se u munduam për të tjerët. Në mes të bulevardit të Sofjes, ajo më hodhi duart në qafë dhe më puthi. Ktheva sytë nga Fatosi dhe e pashë që po qeshte me të madhe. Dhe me vjen mirë ta kujtoj kështu, sepse gjithë jetën e kam parë veç me sytë që i lotonin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.