(Rreth veprës VITO të Bashkim Hoxhës)
Agim BAJRAMI
Ajo që të bën të përjetosh njëherësh dy gjendje të ndryshme në këtë roman të Bashkim Hoxhës, është jo vetëm subjekti intrigues, por edhe auto-alegoria e jetës së protagonistëve, të cilën ata nuk ia besojnë askujt tjetër, përveç vetvetes. Edhe përkundër spontanitetit të saj, një veprim i tillë është kaq spontan dhe mjeshtëror, sa narratorit s’i mbetet të bëjë tjetër gjë përveç rolit të regjistruesit. Vëzhgues dhe hulumtues i kujdesshëm gjer ne detaje, ai është i vetëdijshëm se duke pasqyruar protagonistë të tillë, është duke pasqyruar njëherësh edhe fragmente të një kohe cinike, kur jetën dhe vdekjen mund t’i merrje fare mirë si zëdhënëse të njëra tjetrës. Është ky shkak që gjatë shfletimit të jetës së tyre të ndihesh i pushtuar nga i njëjti ajër dhe makth ekzistencialist si ai që i ka munduar gjatë gjithë kohës edhe jetët e personazheve që je duke lexuar. Veprimi i heroinës së romanit me të njëjtin emër, Vito, ka një funksion të dyfishtë (çka është edhe mjeti intrigues i kësaj vepre). Të vajtojë jetën e të tjerëve, duke vajtuar njëkohësisht edhe mjerimin e jetës tënde. Në këtë kontekst kjo vepër i ka të gjitha të shkrira në një të vetme, makthin ekzistencialist, rebelimin, por mbi të gjitha ironinë dhe sarkazmin, ndaj fajtorëve të veshur me pushtet dhe paprekshmëri, veprime mjaft sinjifikative këto në një shoqëri ku shpresa ka lindur e vdekur. Në një kuptim më të gjerë “Vito” është një roman kumtesh, ku më mbizotëruesi prej tyre është: Ka njerëz për të cilët jeta ka ngjyrë të zezë, ndërsa për individë që bëjnë sikur jetojnë, vdekja mund të ketë edhe ngjyrë të bardhë. Shtatë plaka, katër pleq dhe një vajzë, që lexon libra, përbëjnë një simbolikë interesante, ku komikja dhe tragjikja shtyjnë pareshtur njëra tjetrën, duke i dhënë narrativës romaneske intensitetin dhe energjinë e nevojshme. Personazhet që lëvizin në të janë të lidhur ngushtë mes tyre dhe në një farë mase ata plotësojnë njeri tjetrin me parimin e enëve komunikuese Vito dhe Niko, Qanija dhe Roza, Vito përbëjnë një tipologji interesante qoftë me botën e tyre të brendshme, ashtu dhe me veçantitë e tyre karakteriale. Pasuria dhe larmia e dukshme e frazeologjizmave dhe shprehjeve gjuhësore të tyre apo sentencat filozofike për përvojat dhe kuptimin e jetës, përveç se mjet identifikimi, janë në një farë mënyre edhe mjete artistike për të shprehur sa më fuqishëm revoltën dhe pakënaqësitë e tyre ndaj shoqërive të mbyllura dhe aspak tolerante, siç ishte shoqëria dhe sistemi diktatorial në vendin tonë. Është ky tipar që i bën më origjinal jo vetëm këta personazhe, por edhe krejt prozën e gjatë të Bashkim Hoxhës, në raport me krijuesit e tjerë bashkëkohorë. Jo më kot gjatë njohjes me historitë e çuditshme të tyre lexuesi model ndihet si i pushtuar nga ideja se: Të gjithë njerëzit jetojmë të njëjtën histori, por të ndryshëm na bëjnë rrethanat dhe mënyra se si lëvizim ata në trajektoret e jetës. Në pasqyrimin e personazhit kaq kompleks siç është Vito, kemi një bashkëveprim të ndërsjellët mes zërit dhe figurës. Nëse në momente të zakonshme zëri plotëson figurën, në momente të tjerë ndodh e kundërta. Në kohën kur ajo filloi detyrën e saj si vajtojcë dhe zuri të qante një të ri, figura nisi të kryente funksionet e saj plotësuese “Të gjithë arrinin prej zërit të saj të shikonin sytë, duart, trupin që grisej dhe ato copëza letre që treteshin në erë. Që nga faqja e parë dhe gjer tek e fundit, qëllimi parësor i veprës është zbulimi i sekretit të qenies dhe alegoria e fundit të saj. Vita arrin ta realizojë këtë nëpërmjet vajtojcës rivale Qanije. Konkluzionet e saj filozofike rreth individit të pavarur dhe prishjes së ekuilibrave të tij me turmën, janë kaq tragjike dhe tronditëse. Kombinimi i jetëve në lojën e ruletës së madhe, edhe pse në pamje të parë, nuk kanë asgjë të përbashkët me njeri tjetrin, në fund i bashkon fakti se në finale të gjithë, duam s’duam, ndajmë të njëjtin fat. Esenca e narrativës së këtij autori është ekuilibri mes raporteve të së dukshmes dhe së padukshmes, si dhe shumëkuptimshmëria e shprehjeve, që nëse do të përdorja një citim nga John Foss: “Më shumë se informim janë kuptime më vete”. Kjo ndodh ngaqë autori nuk shkel dy apo më shumë herë në të njëjtin shteg, duke ia kursyer kësisoj lexuesit të tij përshkrimet e gjata dhe të lodhshme. Me fraza të prera dhe pothuajse telegrafike, ai e çon atë, pa e sorollatur shumë në thelbin e rrëfimit. Dialogët e personazheve, të pasur, të thellë dhe plot ngjyresa filozofike janë asete të vyer. Për shembull: “mos ia bëj shtëpinë kazermë byrazerit tim” (nga biseda e Nikos me Vitën). Ose “mua nuk më është tharë ende trëndafili, që më solle para ca ditësh. E mbaj në një kavanoz, që ka pasur turshi kastravecësh”. Kësaj proze i mjafton një regjistër fjalësh dhe shprehjesh të caktuara frazeologjike, për të pasqyruar më së miri gjendje të caktuara jetësore, por më së shumti edhe filozofi të caktuara për individë dhe rrethana historike. Vetëm në kapitullin e nëntë mund të hasësh një duzinë prej tyre. Ja disa: “Serioziteti u takon murgjve dhe filozofëve. Jeta nuk është festë, festa zgjat një ditë, fishekzjarrët shuhen dhe harrohen etj. Po kështu edhe përdorimi efikas i alegorisë. Kjo është një armë me të cilën autori depërton gjer në skutat më të thella të personazheve të tij, duke i zhburrëruar dhe bërë qesharakë ata. Një alegori të tillë Milan Kundera e rreshton në dhjetë tiparet esenciale, drejt të cilave duhet të priret romani i sotëm. Jam shumë i bindur se interesi i lexuesit dhe kritikës ndaj romaneve të fundit si “Duartrokitësit”, “Kronikat e mjegullës”, “Asnjëherë të martën”, “Dimri i librave” nuk do të kishte qenë kaq i dukshëm, pa praninë e saj të fuqishme. Nëse në planin moral mjeti alegorik i shkatërron dhe shpërfytyron personazhe të caktuar, në planin artistik ai arrin të krijojë me ta modelin estetik të së keqes, çka është edhe një dëshmi e pjekurisë dhe forcës artistike të këtij autori. Si zgjatim të kësaj alegorie mund të merren edhe refleksionet antidiktaturë, të cilët edhe pse zënë një numër të kufizuar faqesh, flasin shumë. “Turma e zhurmshme, që përplaste hapat me zhurmë, e përfshiu atë brenda vetes. Simoni ecte me ritëm tjetër. Ata e futën brenda vetes, që Simoni të ecte me ta me një hap. Por, Simoni donte të dilte dhe turma e shkeli me çizmet e saj dhe e la të vdekur. Të njëjtin emocion provon edhe te momenti i martesës së fantazuar të Nikos me Rozën, të cilën autori e sendërton me pluhurin mitik të baladës së fjalës së dhënë dhe valsit të vdekjes. E prirë nga filozofia se asnjë individ nuk mund ta ndërtojë individualitetin e tij në kushte depersonalizuese, individët e këtij romani mundohen t’i zgjidhin në mënyrën e tyre format e mbijetesës. Ata perfeksionojnë artin e komunikimit dhe qëndresës së heshtur me kundërshtarët dhe të keqen e madhe. Mbyllen brenda kullës së alegorisë, nisin t’i marrin jetët e tyre me shaka, ashtu siç nisin të marrin edhe vdekjen. Nëse do t’i hyjmë thellë thellë një veprimi të tillë kemi të bëjmë me një lloj rebelimi të pashpallur ndaj kultit të së keqes, përballë të cilit ishin gjunjëzuar shumica. “Ti përgatit vdekjen i thotë Niko Vitos, ndërsa unë po përgatis dasmën”. Kjo është arsyeja pse midis Nikos dhe Vitos ekziston gjithmonë një urë e padukshme simpatie dhe një kod i heshtur mirëkuptimi. Personazhe të tillë i mundon pengu, se edhe pse në moshë të madhe, akoma nuk kanë mundur ta gjejnë shkakun e ardhjes së tyre në jetë dhe pse -të e shumta të saj. Me gjithë vramendjet dhe përsiatjet e tyre të shumta, ata e ndjejnë se më pak se gjithçka kuptimi i tyre për jetën është dhe mbetet absurd. Ajo çka mbetet për t’u shijuar më pas, s’është gjë tjetër, përveç shijes së athët që të lë zhgënjimi.