Tregim
PLOTËS QË MË LËNË
Alda Taçe SHPATA
Djaloshi më takoi në rrugë, kujtova se do t’më pyeste për diçka dhe ndalova.
Më kapi dorën dhe e afroi te sytë e gështenjtë; për një çast u befasova nga lëvizjet e mirëllogaritura dhe iu dorëzova veprimeve të tij. U ngrit në majë të gishtave dhe më preku flokët, i futi duart mes ondeve të mia dhe më drejtoi me mollëza të ulesha; unë e kuptova qëllimin dhe u ula në gjunjë para tij. Kokat tona me këtë rast u barazuan dhe, sapo i kërkova shkëlqimin në sy, më hodhi duart në qafë dhe iu lëshua një përqafimi të përmallshëm. Nuk pyeti për mua, po merrte ç’i deshi shpirti në ato çaste. Në fillim shtanga, por më pas i ndjeva impulset e para për t’u shkëputur nga ata krahë të njomë. Dhe ai e ndjeu.
U shkëput për pak dhe pa m’i ndarë sytë më tha që t’ia ktheja mbrapsh të gjitha frymëmarrjet që ia mora. Deri këtu nuk kishte asgjë për t’u çuditur.
“Do të jem fëmija yt, po të më lindësh,- më tha,- Po qe se nuk do të jesh ndonjëherë gati për t’më bërë ti, do të të bëj unë.”
Mendova se isha sëmurë nga trutë e kokës, ndërkohë që ai po fliste, ia mbatha nga sytë këmbët. Aq shumë e humba kontrollin e hapave të mi, saqë alarmova të gjithë lagjen me zhurmën dhe poteren që po shkaktoja duke shkelur kuturu. Më mirë mos i kisha veshur atë ditë sandalet që më kishte blerë im atë; iu këputën rripat dhe më pengonin e rrëzonin, saqë m’u bënë gjunjët copë.
Deri këtu prapë mirë duket.
Kur pashë më herët, deri kur kisha fuqinë dhe nevojën të shihja, djaloshi që m’u shfaq paska qenë im atë.
Doli nga shtëpia duke e thyer derën, hyri në një xhip të zi, ngriti dorën në këndin e sipërm të xhamit të errët. Në anën e majtë futi dorën dhe ma shkuli zemrën bashkë me fëmijërinë.
Në një gjendje jermi e ndoqa, iu bëra hije dhe pashë kur nënshkroi diku, nxori armën që mbante të futur nën rrip të pantallonave, gjuajti dhe ma vrau djaloshin që takova më sipër, atë që mund të ishte im bir.
Pak kujdes desha për veten. Mbaj mend se të gjitha ishin veprime të pakthyeshme. I humba të gjitha lidhjet me meshkujt që duhet të ishin të mitë.