Donika Dabishevci

ULURIN DEKA…

Zani dramatik i folëses ngjeth mishnat.
Lufta ka hapë krahtë.
Emra fshatrash, qytetesh, mahallash,
pikëpjeken me shifra të vrarësh.
Pikat e kuqe n’hartë lexohen si vrima t’zeza.
Njëjtësohen.

Burra dhunshëm ndarë prej kolonash,
drejtue lugprrojesh për pushkatim.
Kamionë deng me kufoma
udhëzue drejt furrnaltash për asgjasim.
Djem t’ri, t’zgjedhun si rastësisht…
t’masakruem … diku tjetër… t’dhunueme…
t’torturueme deri n’dekë… t’coptueme…
Pleq, gra e fmi – statistika: Njiqind, dyqind,
njimijë u ban’këtë javë…

Lagje, rrugica t’përmbytuna n’gjak. Kufomat
lundrojnë lumenjve. Tmerri s’ka t’ndalun.
Pirgje t’dekunish gjetun te shtegu.
T’paidentifikuem t’therrun si berra.
T’shpërftyruem ngulun n’hunj…
Bebe t’nxjerruna prej barqesh t’shtatzanave.
Bebe t’ushqyeme me gjak gjinjsh t’nanave.
Koka t’kputuna n’rranxë t’qafës, n’gabzherr, n’zverk.
Trupa t’damkosun me hekur t’nxehtë…
Sallatë prej kockash njeriu…

Breshërimë lajmesh që t’a luejnë trunin
prej tranzistorit t’vogël me dy bateri.

Hidhet e përdridhet tek zgërdhihet, deka. Ndërron trajta.
Ban akrobacione. Trallisun e harlisun n’ekstazë merr turli forme.
Si fishkëllimë kamxhiku, teh thike, bajonetë, hanxhar. 
Vringëllimë kose. Njeriu. Militar e paramilitar. T’rreshtuem
n’komandë apo tuj ndjek instinkt shtazarak vetjak. Deka ulurin…
Kërcënuese deri n’shfarosje. N’asgjasim. Deri në zhbamje!


S’po pyetke futzeza. Ma e zezë se e zeza ish,
ma e shpejtë se shpejti. S’po i hanke kush
asht robnuesi e kush veç dertin e jetës e ka.
T’fmijve.  T’konakut. T’nji cope tokë
sa për idare. T’nji kashoreje bukë
sa me mbetë gjallë. T’dy metrash dhè
sa për nji vorr.
S’po e koklaviste mendjen,
s’po i sëmbojke gur-zemra.
Hiç!

T’mbledhun rreth zanit n’eter, burra e gra
nyjëtojnë dhimbshëm klithma ekzistenciale:
A na u kanë afrue,
Ku po granatojnë,
A po na ndihmon kush,
A po desim a po pshtojmë?

PAS MASAKRËS

Nji qetësi rishtuese mlue e ka katunin.
Zjermi gërmadhave asht shue.
T’fundmet shllunga tymi janë shkri n’kaltri.
Asnji gjurmë njeriu. Asnji za. Asnji pipëtimë.


Grumbuj trupash nji mbi nji bajnë mozaikun e apokalipsës.
Atij t’projektuem prej trunit njerëzor.
Katër S-ja n’lëvozhgë vrarëlie lisi…

Nji kambë ktu, nji krye atje, trupa si kuaj deti,
torso, pa gjymtyrë, mushkni e zorrë përziet,
sy t’ngrimë që shkëlqejnë si fosfor, fmijë t’coptuem,
mish i grimë dhe gjak. Shumë gjak.

Era shpupurit flokët e kokave të preme.
Korbat bajnë dasmë. Gosti e papame.
Mas tyne kanë me ardhë minjtë…masnej krymbat…
ushqim i bollshëm për krejt.

T’nesërmen, punë fati, fotot me trupa t’gjymtuem
mun’ dalin n’ndonji faqe gazete a agjencie t’huej lajmesh.
Ndoshta edhe n’ndonji TV. Por, publiku botnor
si zakonisht, ndrron kanal. Telepiloti o pshtim.
Pamje t’randa, pamje që nuk shkojnë me venë t’kuqe
e shandanë, pamje makabre që ta idhtsojnë darkën.

“Fundshekulli XX, hala vrahen për toka…
Njerëz t’egër, harbutë, njerëz t’mjerë!”


Trupat e gjymtuam mujnë me qenë
dëshmi empirike për do pleqnarë t’urtë,
fisnik t’huej, që mun’ ja vnojnë gishtin kresë
e me mendue se o marre për civilizimin krejt kjo,
e se kshtu s’shkon ma!

Masnej do demagogë,
me parrulla humanizmi n’kmisha
me i shtrue hartat n’tavolinë
tuj kqyrë rreptë zuzarët luftëbamës
e me ba ate që granatat se bajnë dot…

Me i kapë gërshantë
me ja pre teshat nji vendi,
me e pre fatin e nji populli.

Si gjithmonë, pas çdo lufte!

NINULLË

– Flej bir, se shalue n’t’bardhin nji bri,
shpejt ka me fluturue edhe kjo natë.
Me qilim magjik ka me ikë.
Qilim bojnabojnash lulue si ylber.

Nesër… nesër ka me u ba ditë prapë,
synin ka me e çelë ai i bukri diell,
kemi me u gzue lojnash,
hareshëm kemi me qeshë,
me e kënaqë shpirtin,
si kurrnjiherë …
Kemi me u shkrie qejfi, bir!

– Këtu n’mal, nanë, a?

– Me zogj mali, me pllumba krahshkruem
kemi me u hedhë n’valle, n’tinguj harfash
luajtun prej pemsh.
Me flutra kraharta e dallëndyshe bishtpreme
kemi me u përpjekë,
me u ndjekë.

E kur t’lodhun kemi me u shtri n’ledinë
bleroshja ka me gufue,
vrap shtigjesh prej mjedis malit
sorkadhja t’vogjlit ka me i tubue,
bashkë kanë me ardhë nëpër luleshqerre
syrrushin tem me e marrë,
me shkue te nji e akulltë ujëvarë,
kangës me ia thanë.

Shushurinte nana ninulla,
ninulla andërrndjellëse,
ninulla t’përndjekunve,
ninulla t’zhvendosunish,
ninulla refugjatësh,
ninulla tokësorësh,
ninulla vdekatarësh të zakonshëm
ninulla lufte…


– E baba, nanë?

– Masnej nji shtojzovalle flokartë
e nji zanë e bukur, zanë sykaltroshe…

– Baba s’livritke, nanë,
krejt n’gjak e kam pa babën… nanë!

– Andërr ka qenë bir, andërr…

– A ka dekë baba, nanë?

– Flej djali i nanës… flej,
andërr asht krejt kjo,
andërr… asht… bir,
andërr… andërr…
andërr…
asht!

…Flej, bir…flej…
se shpejt ka me fluturue edhe kjo natë.
Me qilim magjik ka me ikë.
Qilim bojnabojnash lulue si ylber…
Flej, i vogli i nanës,
Flej!

N’KARUSEL T’DEKËS

Edhe ato t’fundmet sekonda
kur t’bahen mishnat copë-copë,
mundohesh me u kapë n’fije andrrash.

Nji angështi t’turbullon s’brendshmi
e hala s’beson se s’ke me u përtejsue.

Trup gjymtuem, sakatuem,
pa kambë, midis flaksh përhinun,
rrethue me bajoneta…
           e shpresa çuditnisht t’brafullon shpirtit,
për ditë tjera t’shndritshme, t’ylberta.

Andrron nji kaçubë sa me e mshefë
trupin e mbetun. Ndonji guvë a shpellë
që ka me mbi para. Për nji hap tutje
beson, e me ju humbë sysh tytave mbi krye.


Beson n’t’magjishmen, n’prralla,
n’legjenda dragojsh me kuçedra,
beson n’mrekulli, humbesh n’vegime
fantazmagorike, krejt diellor
ndjehesh, n’ato t’fundmet sekonda –
n’karusel t’jetë – dekës.


Marrakotesh shprese
n’ato çaste t’fundme!


E veç nji fije kashte,
nji fije kashte e lypë,
me pasë ku me u kapë!

GJA S’KA NDRRUE!

Gja s’ka ndrrue n’egërsinë antropike,
n’etjen, n’urinë, n’dalldinë, n’babëzinë
apo thjesht n’instiktin e brendshëm njerëzor,
me i hangër s’gjalli t’dobtit. Jo për mbijetesë. Jo.
Për zgjanim pushteti e pasunie. Për dominim.

Gja s’ka ndrrue, qysh prej neandertalve!

Diçka që asht pa me mija vjet.
Diçka që s’harrohet me mija vjet.
Diçka që përsëritet me mija vjet.

Janë po këta yje t’trazuem,
po kjo hanë e mejtueme që ciklon trajta,
po ky diell i përflakun që shndrit për dit’
stuhitë e çmenduna t’instinkteve primordiale.
Asht po kjo tokë e trueme.

T’tanë janë dëshmitarë
t’’dhunuemve e gjymtuemve,
t’vorreve pa emna e t’eshnave pa vorre,
t’nanave mbetun qyqe n’themele shpijash t’rrënume,
t’nuseve me duvak t’zi e shpirtrash t’djegun jetimash,
për mija vjet…

T’tanë janë dëshmitarë
marrëzish t’shpirtnav’ t’ligë
e muranave që z’vendsojnë njana-tjetrën!

Gja s’ka ndrrue n’këtë rruzullim!

Njerëzim i nemun, shpreskallun,
mbetun ngrimë n’nji fluskë kohe –
përbotshëm gjakatare!

Leave a Reply

Your email address will not be published.