KUSH THA SE KAM DY SY
kush tha se kam dy sy
dy buzë
dy duar
kush tha
m’i ke marrë ti, moj e shkalluar
kam mbetur
me një sy
me një buzë
me një dorë
dukem si gjysmagjeli i përrallës
s’të vjen keq për mua?
prej budallallëqeve e kam
prej poezive të dështuara që të kanë rënë në kokë
dhe peng m’i mban
po me çfarë të puth
me çfarë të shkruaj
ca kaçurrela që kisha si kam
dhe e blerta e syve më është tharë
dora ka zënë të dridhet
s’ka ku mbahet
më paske marrë dhe gjysmën e zemrës, moj e
shkarë
ca brinjë bosh
që therin
po vjen dimri me ngrica
dhe do të më përcjellin
dhe në qofsha atje në shish tufinë
eja
më jep ato që më ke marrë
ndoshta ngjallem
jo për vete
po për ty
bëjmë dashuri
një i vdekur
me një të gjallë
ku i dihet
ndoshta dal
bëjmë shëtitje në bulevard
po ti do të kesh tre sy
tre buzë
tre duar
si hidra
dhe me njëmijë të lutura s’do të m’i japësh të miat
kjo shëtitje e fundit më është shkruar
unë si ciklopi
nëpër tiranë
dhe ti si hidra
do të trembim shokët
moj e shkalluar