Artur Spanjolli

MONNA BIATRIÇES, VAJZËS SË FOLKO PORTINARIT

(Nga një letër e Dantes)

Kur e hasja të ndjerën nënën tënde, Monna Bella, ndërkohë që me sytë plot padurim, ankth dhe një tmerr të fshehtë, të kërkoja (doja thjesht t’ju shihja, kaq më mjaftonte) sytë e saj, në ecje, kur e hasnim njëri tjetrin mbi kalldrëmin e gurtë; ato sy, më hidhnin ca vështrime si shigjetë, kurjoze. Pastaj një nënqeshje e lehtë e bënte të lëvizte cepin e buzës. Se di. Nuk e njihnim njeri tjetrin. Por, ka raste kur njeriu, edhe pse s’njihet, mund të shprehë, mund të komunikojë aq shumë fjalë, mendime, ndjenja, thjeshtë pa e hapur gojën fare. Më shihte edhe me admirim (natyrisht, i pëlqeja vajzën. Cila nënë nuk do të ishte e lumtur), pastaj më shihte me kureshtje (një kureshtje e mistershme – ajo sytë i kishte plot mister, të zinj, me një ëmbëlsi prej kokete me pak malizie), pastaj se ç’më fliste në ecje e sipër. Nuk mi ndante sytë, të cilët zakonisht i mbulonte me një tyl të errët për t’u mbrojtur prej diellit dhe prej njerëzve. Seç më thoshte: “Oh ti i gjorë. Më vjen keq, por ja që nuk mund të bëhet asgjë. Asgjë s’bëhet. Se në radhë të parë ajo nuk do. Por, edhe sikur të donte, në këtë ambient patriarkal dhe feudal ku jetojmë, me të gjithë sytë e lagjes dhe të botës mbi ne, do të bëhej hataja. Do ti dilte nami (ç’ishte nami për mua?!) Ndaj, më dhimbsesh, o i gjorë që lëngon, por s’të ndihmoj dot. Askush nuk të ndihmon dot. Je i vetëm ne mes të udhëve të botës. I vetëm me dhimbjen tënde, me britmën, me klithmën, me ulërimën. Të gjithë jemi vetëm. Si ti, në një mënyrë a në një tjetër, të gjithë kemi vuajtur në jetë.

I lyente flokët e zeza korb, ishte krejt e dobët në vitin 1283-84. Aq e dobët sa dukej se nuk hante fare. Lëkurën e kishte të bardhë, vishej me fustanet e modës të atyre kohërave dhe kur më haste në rrugë, i dëgjoja takat e saj mbi kalldrëm. Kërcisnin fort, fort, fort. Ecte me një elegancë prej gruaje fine dhe plot shije, e rafinuar dhe me gjithë atë sharm. Aq shumë e doja, se di, unë i mjeri Durante Alighieri. Po, aq shumë e doja! Jo vetëm atë. Doja gjithçka që kishte lidhje me ty. Babain tënd, Folko Portinarin, motrën tënde, miqtë e tuaj, me gjithë Krishtin, të cilin ende se njihja. Doja rrobat e tua që vishje. Doja pallatin tënd madhështorë ku shpesh organizoheshin festa gazmore dhe ku unë nuk isha kurrë i ftuar. Doja shoqet e tua. Doja rrugën e heshtur.

Pastaj Monna Bella, nëna jote e mirë, kalonte. Vështrimet tona, si një feksje dielli mes dy reve të zeza, kryqëzoheshin. Unë me fytyrën si meit, krejt të bardhë nga tmerri i dashurisë, pa frymë, krejt i frikësuar, ajo me buzëqeshjen e saj të ëmbël, pak malicioze, e cila kur më shihte në ecje, më fliste, oh sa fjalë dashurie më fliste. Një Zot e di. Paqe shpirtit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.