Fitim A. Nuhiu

DON KISHOTI IM

Ora shënon 01:04.

Mesnatë.

Të gjithë njerëzit e rëndomtë

serioz e të padashuruar flenë të qetë.

Tentoj të shkruaj me dikë

kushdoqoftë

që ta thyej mërzinë

dhe vetminë që më ka pllakosur

keqas.

Jo – i them vetes, vonë është.

S’është e udhës, lëre.

Do t’ia dalë edhe kësaj here.

Kap një libër që zvarris tash e sa muaj nëpër duar.

Më irriton

s’më jep ndjesinë e shoqërisë.

Sodis kopertinat pa interes të theksuar

kush e ka botuar

redaktorin

vitin e botimit

gjëra koti, etj.

E mbyll.

E shoh nga largësia formën e tij.

I them vetes

sa mirë që kam librat

që kam me kë të flas

atëherë kur të gjithë flenë

e mua s’më zë ky gjym idiot.

Çohem

shkoj të kërkoj ndonjë libër që do t’më ngjall interes.

Më merren mendtë

kap dorezën e derës

mbahem disi

kthjellohem

vazhdoj rrugën time për në parajsë.

Ndez dritën

më shpalosen perlat e mia

kap një që kam lexuar dikur.

Më buzëqesh Don Kishoti im

më thotë eja të bëjmë ca aventura të krisura.

I bindem pa kushte.

Kthehem në shtrat

shtriqem barkas

i gjallëruar që dikush më dha dorën

në këtë natë pa shoqëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.