Postmodernizmi qosjan është në lëvizje, është tekst polisemik, me estetikë plurale, është proces komunikues autor – tekst – lexues, është ngjarje, është efekt, është tekst që ndodh
Afrim REXHEPI
Postmodernizmi në letërsinë shqipe nuk vjen si lëvizje uniforme letrare, por vjen në mënyrë fragmentare. Kështu e përcakton ardhjen e postmodernizmin në letërsinë shqipe studiuesja Floresha Dado. Në formë të plotë e gjejmë në prozën e shkurtët të Ardian Kyçykut, Arian Leka etj, në poezi te Martin Camaj, Ervin Hatibi etj., kurse në roman e gjejmë në mënyrë të paqartë dhe konfuz. Është konfuz për shkak se lexuesi i romaneve postmoderne, ndjehet konfuz dhe i tronditur nga tekstet postmoderne që ofrojnë një poetikë e estetikë ndryshe nga tekstet realiste, socrealiste dhe moderniste. Në fakt, ky është edhe problemi esencial i nivelit të ulët të receptimit të teksteve postmoderne nga lexuesi, sepse lexuesi nuk është i informuar me kulturën e duhur për të shijuar estetikën pluraliste të romanit postmodern shqiptar. Postmodernizmi qosjan është në lëvizje, është tekst polisemik, me estetikë plurale, është proces komunikues autor – tekst – lexues, është ngjarje, është efekt, është tekst që ndodh. Teksti që ndodh është i hapur, e deshifron lexuesi, duke e bërë atë të plotë. Në funksion të estetikës letrare, shënojmë një mundësi të interpretimit të postmodernizmit qosjan përmes postmodernies sublime, që nuk nënkupton objektin sublim siç ishte rasti me estetikën moderne, por subjekti sublim, përjetimi a ndjesia subjektive e sublimes. Që postmodernia është estetike subjektive, e përcakton edhe Umberto Eko: “Vështrojmë një pikturë ku një njeri ndodhet para një hapësire pafundësisht të madhe. Ne njeriun nuk e shohim nga mbrapa, por shohim përmes tij atë që sheh edhe ai. Pra piktura, shfaq sublimen dhe nxit përjetimin tonë të sublimes”.
Nuk ekziston horizonti i pritjes të formave moderne, por piktura është e hapur dhe ne jemi pjesë përbërëse e saj. Në fakt, citati shpjegon edhe teorinë estetike të Kantit, gjithnjë sipas Lyotar, subjekti sublim është përjetësisht i ndarë nga objekti i dëshiruar. Të shfaqet ajo që nuk mund të shfaqet, të krijohet ajo që nuk mund të krijohet, është përpjekja sublime e romansierit postmodern, i cili fuqishëm mendon për një rifillim të mundshëm. Në kontekst, është me interes të theksohet eseja “Sublimja ndodh tani” e Bernard Njuman. Në studimin gjendja postmoderne e Lyotar, theksohet fakti që sublimja ndodh tani, por nuk mund të shfaqet përveç faktit që duhet të përpiqemi për ta shfaqur atë, sepse e kemi nevojën tonë për sublimen, por e kemi edhe shqetësimin tonë në raport me ndjesinë e absolutes.
Sistemi i kategorive estetike i nxitur nga Uilijem Diltaj, që funksionon sipas binomit subjekt (uni) – objekt (bota), me në qendër kategorinë e të bukurës (harmoninë e poseduar), vendos kategorinë e sublimes midis tragjikes dhe të bukurës, midis binomit subjekt (uni) dhe objekti (bota). Midis kategorive tragjika (në kërkim të harmonisë) dhe e bukura (harmonia e poseduar), vendoset kategoria e sublimes ku objekti (bota) e dominon subjektin, por jo aq sa ta shkatërrojë atë sikur që ndodh me tragjiken. Në fakt, kategoria e sublimes posedon elemente të tragjikes, edhe të të bukurës, pra është një sintezë estetike e harmonisë së poseduar dhe e harmonisë së humbur, ndjejmë lumturi në përpjekje për ta shfaqur, por edhe dhembje sepse nuk mund të shfaqet. Ky është definicioni i përgjithësuar i sublimes, i sendërtuar përmes paradigmave teorikë të P. Longinit, E. Berk, I. Kant dhe Zhan Fransois Lyotard. Ka një thënie që provokon teoricieni postmodern Lyotar, që kategoria e sublimes në epokën postmoderne, nuk ndodhet në vepër, ndodhet në spekulimet dhe teoritë paradoksale për postmodernen në art. Dhe si shpjegohet kjo, me faktin që ndjenja e sublimes, që në vete ngërthen edhe frikën e tmerrin, është subjektive dhe e ndarë nga mendja, është enigmatike, është paradoksale, është konfuze, dhe jo e kapshme për moralin. Vepra artistike postmoderne, në frymën e estetikës së sublimes, nënkupton disproporcion midis veprës artistike dhe (pa) mundësisë tonë që atë ta shfaqim dhe ta interpretojmë, nuk kemi çka të interpretojme, teksti postmodern është akt sublim, është ngjarje, thjesht ndodh.
Një ndodhi e tillë tekstuale është edhe parabola postmoderne e Rexhep Qosjes, e shtrirë në romanet që dallohen me poetikën e antirregullit apo me poetikën e paradoksit. Poetika e antirregullit, shënon shkrirjen e metanarracioneve. Në funksion është loja me diskurset, diskursi i dyfishuar parodik i intertekstualitetit postmodern, loja me fragmentet, me copëzat e të plotës, çarje të thella e ironike që, sipas R. Bartit, “krijojnë efektin e një përshkëndije që tërheq vëmendje”. Vendosen sistem i shenjave shkrimore (anagramet, kaligramet etj.), citate nga romanet e tij dhe nga romanet e traditës diku inkluzive (aluzione) e diku ekskluzive (parodia, travestia e pastishi), interakcione intertekstuale (reminishcenca) e diku ekuivalenca intertekstuale (përkthimi si formë e citatit interlingustik), dokumente historike e vepra filozofike, lojëra me zhanret, lojëra postmoderne midis autorit narrator, personazhit e lexuesit. “Unë jam rrëfimtari e rrëfimtari duhet të jetë më i padukshëm në roman, edhe se personazhi, që lexuesit t’ua sjell ofshamat”.
Floresha Dado ka të drejtë kur definon faktin “që shkrimi i Rexhep Qosjes, është shkrim postmodern (edhe me elemente ekzistencialiste)”, është një ironi me vetë letërsinë që po na çon në atë pikë, sa duhet të pranojmë faktin që e bukura po zbehet, e shëmtuara po fuqizohet deri në atë shkallë sa të themi lavdi kaosit, lavdi disharmonisë. Parabolat postmoderne të Qosjes dallojnë nga parabolat moderne. Nëse në parabolat moderne kemi ishullin dhe detin prej ku mund të shohim detin, në parabolat postmoderne ishulli është i copëzuar në pafundësi pjesëzash të imta, prej ku nuk mund të shihet deti, jemi të humbur në labirintin pa dalje, jemi të humbur në kotësi. Parabola postmoderne e Qosjes, është ironi qe mund të qeshni me botën qe shkon drejt kaosit. “Historinë e bëjnë Gebelsët, Zhdanovët..Mjerë Historia…Dhe zbres, në baltë. Me gjithë Historinë” – shënon Qosja. Ky antihero (për shembull, siç është Budin Buda, ka një revoltë të thellë për botën, është paradoksal, është antihero që e shijon lirinë vetëm kur është i pranguar, është antihero që për të qenë i lirë, kërkon edhe të çmendet. Në gjykimin tim, antiheroi i Qosjes, është larg ndjesisë të së bukurës dhe të madhërishmes. Pra, në roman kërkohet subjekti që shijon të bukurën e të madhërishmen, po që mungon, ai nuk mund të shfaqet, sepse nuk është aty. Kërkimi i një personazhi të tillë, është kërkim i asaj që mungon dhe që nuk ekziston më. Kërkimi i sublimes, sot është një mision gati i pamundur, sepse është kërkim që të shfaqet ajo që nuk mund të shfaqet. Në romanet postmoderne të Qosjes, mungon subjekti i tillë me shije, sepse subjekti i tillë me ndjesinë e të bukurës dhe të madhërishmes mungon nga bota jonë. Mungon, sepse në botë gjithçka po shkon drejt kotësisë, drejt entropisë dhe drejt zhdukjes. Pra, sublimja ekziston vetëm në teori, vetëm pse e thotë teoria, nga se sublimja nuk ndodhet në vepër. Për shembull, ju nuk keni personazhe sublime, keni antiheroin, e keni shëmtinë, paradoksin e kohës, pra sublim është vetë teksti postmodern, teksti – ngjarje, teksti që ndodh, teksti që përmes lojës e ironisë, siç thotë Lyotar në teorinë estetike të sublimes, përpiqet të shfaq atë që nuk mund të shfaqet.
Në romanet postmoderne të Qosjes, sublimja distancohet nga e plota, nga patosi dhe transcendenca, kah transparenca e përditshme e objekteve, të cilat edhe pse janë të shëmtuara e zbavitëse, përcaktohen si të madhërishme, bëhet kalimi teorik prej neoklasikës kah postmodernia sublime. Në kontekst, Vitgenshtajni dikur theksoi që gjithçka është e hapur, nuk ka mbetur asgjë për t’u interpretuar. Edhe Qosja, e edhe shumë shkrimtarë postmodern, janë të tillë me veprat e tyre, me poetikë të hapur, sepse romanet postmoderne janë tekste, janë ndodhi, ata që janë për vete, kuptimi i tyre është brenda, e jo jashtë tyre, nuk ka çka të thuhet e interpretohet. Në analogji, postmoderna sublime nuk ndodhet në artin e letërsinë bashkëkohore pse është art sublim, por sepse teoria e ka sjellë termin “postmoderna sublime” për ta ndryshuar gjendjen në art që disi është konfuze dhe jo shumë e kuptueshme. Megjithatë, nëse postmoderna sublime ndodh tani, atëherë shprehja tani i ngërthen të gjitha përcaktimet e kaluara, që janë konfuze dhe jo edhe aq të definuara. Por, romani postmodern është palimpsest dhe koha në të cilën jetojmë është e destinuar për të cituar referenca nga letërsia dhe kultura e të kaluarës, koha e reciklimeve të vlerave dhe nocioneve të vjetruara. Pikërisht për këtë gjë, sublimja që ndodh këtu dhe tani, manifestohet si postmodernia sublime, që shfaqet si pjesë e një estetike të dallimeve dhe si një paradigmë e tendencave të kapet ajo që nuk mund të kapet, të shfaqet ajo që nuk mund të shfaqet, të sublimohet ajo që nuk është sublime.
Parabolat postmoderne të Qosjes, shkrimi i tij postmodern, postmodernia sublime, na drejton kah disharmonia, kah zbehja e së bukurës, duke shënuar përpjekjen e madhe të rifillimit sublim: të kthehet lidhja e fortë midis lexuesit dhe letërsisë së bukur artistike. Pse duhet të ndodh kjo? Duhet të ndodh sepse modernia e postmodernia shkatërruan të bukurën dhe kjo është shumë e rrezikshme për njeriun dhe botën, sepse e bukura nuk është vetëm thellë e rrënjosur në natyrën tonë racionale, por siç demonstron neuroshkenca dhe neuroestetika, e bukura është edhe më e thellë se sa që e kemi menduar, e bukura është instinkt biologjik.