Mario Bellizzi
HIJE
Në Nëntor Maqedonia
është e tërë një shkëlqim
por pa dritë dhe afsh.
Në Ballkan
jetohet në dyshimin më të tejmë
ndër thyezat.
Këtu asgjë është e tërë
siç thonte Pessoa rreth Portugalit të vet.
Njëherë të mëdhenj
Ilirët dhe Leka
në librat historie paraqiten
sot me madhëri të kotë.
Gjeografia
është ëndërr e një sendi të bjerr.
BUZË STATUJASH
Do të përpjek buzë statujash
që buzëqeshin
ndërsa valltaret do të kërcejnë
me muzika ballkanike
dhe shiu
do të jetë ritmi i frymës së bektashinjve.
Ankthi dhe kryengritja
për kufijtë gjeografikë
do të jenë regëtimat e ngulëta
mbi lodrat e Lekës.
SHTIGJE KOMETASH
Lë hije prapa
në këtë gjeografi të mallkuar të shpirtit
shtigje kometash
që ari i ikonave kurrë
do të fshehë.
Në kodër
i ndëjtur ndaj atyre peizazheve
Koha dhe rrjedhat e kryengritjes
bërtasin trupin tim
FUSHË KOSOVË
Grumbuj mbeturinash të djegura
në Fushë Kosovë
një radhë biblike kamionash
të mbushur me speca të verdhë
makina, autobusë plot njerëz
që kthehen në shtëpi
Së largu mbi kodrën e ëmbël
Dielli do të arrijë Hënën.
Shpejt do të perëndojë Dielli
nga ai Apokalips tymi, pluhuri,
vapë e jashtëzakonshme.
S’ka më fuqi të jetë i soditur!
Nata
do ta kapërcejë ditën!
I kuqi i Onufri-t
lyen sytë-ikona të Evës.
(Fushë Kosovë, 26. 8. 2000)
FËMIJËT E PEJËS
Fëmijët e Pejës
dalin nga të gjitha anët
nëpër rrugica me filigranë
këndeve të praruara
nëpër pazaret
prapa ëmbëlsirave
prapa specave të gjelbër dhe domateve
një shkrepëtimë ngjyrash!
Gjithçka
këtu është Ngjyrë!
Materia është Ngjyrë
(Vërmicë, 20. 8. 2000)
GJAKOVA
Kupola kishash
jo në qiell
as mes resh
as në dritën e Lindjes
po përdhe
rrethuar me tela gjemborë
të ruajtura si relikte
nateditë ditenatë
me pushkë në duar
nga larg dëgjohen myezinët
dhe zëri kryengritës i Rap-it
hapin
rrugën midis autoblindave të KFOR-it
(Gjakovë, 20. 8. 2000)
GJEOLOGJIA E BRENDSHME
Në gjelogjinë e brendshme
nuk shikoj më katundin tim
hithra u mbiu kudo
e ka përmbysur.
Fëmijëria
derdhet nga ëndërrat.
Të vdekurit
lot që piksen
bëhen det guri