Xhevat Latifi
KAFENË QË NUK E PIMË
Ca fije argjendi ranë kresë në vjeshtën e kuqe si buzët tua
E nuk i humbet shkëlqimi i bardhë stinës që po vjen
Strukem nën një batanije ne ballkonin që shikon kah lindja
Zogjtë vijnë, qëndrojnë pak. Ikin, kanë frikë macen.
Silueta tymi, mjegulle e hukame ngrihen me avujt e Prishtinës,
rrugica pa drita, të qullura në pluhurin e termoelektranës.
Nuk bëhesh se je diku, nuk bëhesh se ke kuptuar stinët
Është matematikë e thjeshtë në orën pa akrepa 11:11.
A i lutemi njëjtë gjethes së fundit që hamendet
Të bjerë e të shënojë një epokë
E duam njëjtë atë lis, ahtet hedhur të humbur e të vegjël
Në shumëkatëshe ku mbahen leksione për psikologjinë
E njerëzit paguajnë me para që të jenë të lumtur- thua ti se
Lumturia është mall i dalë në tezgë nga llumpa e kafesë.
Pse bëhesh se këndej nuk pati Covid-19
A nuk e pamë se si vdes frika, më pas vjen vdekja?
Po pra, vdekjes pa frikë i humbet kuptimi
Është si të ndërrosh dhomën e gjumit
Si të ndërrosh çarçafët ose të bësh të recertifikatën e kurorëzimit.
Mos harro: ne do të kuptosh mirëfilli vdekjen, mbyte frikën nga ajo!
(Heronjtë në bronz e thonë këtë)
Tash mos mi mbaj më duart në gji
As mos i shtrij si Eva, të mbash bregun e Venerës
Gënjejmë se vuajmëpër dashuri tëpështjellur me cipë të hollë plastike
Sall njëpërqafim jeshil është, asgjë më shumë
Behar në tullat me myshk panelesh neoni
Ku reklamohen veshje që nuk lëshojnë të ftohtit
Që nuk lejojnë trupit t’i shkojnë mornica
Kafenë që nuk e pimë, pikë strehe ra në kurriz
Unazë pas unaze lëshohetnjëvijëz si ashensor deri ne bodrumin e braktisur
mbushur me zarfe të hedhura nga një postier që nuk diti se çkaështë pritja…
(telefonifluron dritë që shtrihet murit; lowbatery; fiket e s’mund tëkthejë përgjigjen)
UDHËZIME PËR TË KALUAR MBRËMJEN I VETMUAR
Merr me vete birra mbështjelli me gazeta të zverdhura
Se kush e di ndoshta i lexon më vonë
Mos i numëro shishet e zbrazëta numëroji të mbushurat
Dhe ki kujdes me frymëmarrjen dhe gjoksin që të gulçon
Jepi duq duhanit dhe mos shiko tavanin
Mund të shohësh diçka atje lart….
Telefonin përkëdhel por kësaj here telin e shkyçurhidhe në kënd
Numri i vjetër kurrë nuk cingëron në vetmi
Nuk ke nevojë ta dyfishosh vetminë tënde
Me një JO të madhe ik vagabond gënjeshtar…
Mos ke dert nëse nuk ka rrymë dhe ujë
Ke dhomën tënde me muret që këtë herë do ti gëlltitje
Numëro të rrahurat e orës nëse nuk ke harruar si bëhet kjo gjë
Kthehu sërish te masturbimi i parë
Kur qaje dhe nuk guxoje ta pyesje kënd
Çka nuk është në rregull ….
E tash duart prapa dhe ktheju gazetave
Shiko kush ka vdekur e kush i vdekur ecë
Mos lexo politikë dhe mos beso se tash do të vijë vdekja
Ajo për fat sonte të ka harruar
Ik edhe nga kjo temë mund ta bësh këtë
Hape dritaren dhe hidhi shishet e zbrazura
Mos ke frikë nga numrat numëro yjet që i ke parë tek bien
Dhe dëshirat që ke menduar se do të plotësohen
Kujto puthjen e parë në buzë dhe të parën herë ….
Zhvishu lakuriq po të duash dhe shëtit nëpër dhomë
Nuk ka gjë nëse ke qime ujkonje në lëkurë
Hap dritaren dhe ulëri si egërsirë lagjja të uturijë
Mos kërko ndjesë nuk ke nevojë të të kuptojnë
U mbetët vetëm ta njohin mbretërinë tënde
Kjo është dhoma jote dhe ke shumë për të thënë
Por tashmë veç të zuri gjumi
Për një ditë te re të ecjes vertikale
ROBËRI ARTISTIKE
Dashurisë i vjen era epsh
qenosesh edhe vetë në kohë qensh
poetët bëjnë punë mbi letra t ‘zverdhura
këndojnë këngë të qivitosura i falen parave të pista
automobilat luksoz vrasin lejdi Dajanën
shtohen lutjet për krakëllime qindarkash
Me mjete të sofistikuara të shekullit atomik
Vërtetohet se Liria nuk ekziston
u postua dhe u bart në Marsin e mistershëm
civilizimi e shpuri duke u zgërdhirë
Për të mbetur bursa e numrave ku njeriu është malli më i lirë
në ekspozitë kolektive
ARRESTI
anemia e qiririt shihet qartë
nga sytë e ajturdalur duq
shpirti i gjorë kapet në rrjetë
pa shpresë përpëlitet
buzë e kuqërremtë vyshket në lutje
klyshi i qenit kolorizon shikimin
njeriu vizaton bardh e zi llahtarinë
bulëzon koka e qepës në kokë
mbushet si stacion lakuriqësh
në mesnatë barku të të pëlcasë
të vjen të vjellur nga gjurmët
që i lanë
o Zot
njerëzit…
LYPSARË TË DASHURISË
S’përtojmë me shtri dorën si me prek diçka të butë,
që dhemb!
Djersijmë ca kokrra të kuqe që biejnë si shegë,
në pikla faqesh.
Eh, marrim frymë thellë…
na ther diçka e kërkume n’vazhdim.
Gjumi harliset si hergele i’a jep malit,
rrufe e pafund vranë n’kthjelltë!
Tuj pritë në stacion të braktisur me ardhë treni i andrrave!
Shtrihemi në shtrat që nuk bëzan;
Çarçafët e pështjellur keq,
ndiej frymëmarrjen tënde, që ikën në shllunga pluhuri n’tavan.
Bahesh me fole vetë me vete!
Lypsar i një rruge të shkelur, ndjehesh i vetmuar,
lypsar i një meteliku të argjendtë,
që don me shtrëngue në dorë…
Me e hudhë përpjetë, me e kthye përsëri,
përsëri e përsëri,
e pret me t’u kthye kangë e vjetër,
si me pas dëgjue për herë të parë,
simfoni përpëlitjesh,
bëhesh tuj këndue një herë vetë me vete,
më pas me zë,
si petk që rrahet në vig nga era e thahet me luhatje bari,
me e vesh si flutura lavrën për njëzetë e katër orë…
Del, pret, një takim ku shikon akrepat tuj hangër me njëri-tjetrin
…deri më dymbëdhjetë!
Euu lypës i përjetshëm i azilit n’shpirtin tënd!
Deri në frymë të fundit do dikë, më të dashtë e me dashtë, me pa në sy
e tokëzohesh!
Në zemër mbetesh lypsar i përjetshëm!