Kujtimi për Nolin
NË MOSHËN 81 VJEÇARE MËSONTE PËR PROVIME
Fan Noli ishte i orientuar politikisht dhe i interesuar për nacionalizmin shqiptar dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Por nuk flisnin ndonjëherë për sportin, edhe pse burri më thoshte se peshkop Noli kishte qenë notar i shkëlqyer dhe shumë i fuqishëm
Sara PANARITI
Ishte i zoti t’ia dilte po aq mirë në botën amerikane, sa edhe në botën shqiptare. Ai ishte paksa vetmitar. Nuk kishte familje. Në jetën personale nuk interesohej për gjërat materiale
“Nuk e njihja peshkop Nolin derisa u martova. Nuk e kisha takuar kurrë më parë. Burri im ishte mik shumë i mirë i tij dhe ata kishin lidhje të ngushta. Zyra e “Vatrës” ndodhej në Huntington Avenue në Boston dhe apartamenti i peshkopit ishte pranë saj në Blagden Street, kështu që ai e vizitonte shpesh Fan Nolin. Apartamenti i tij ishte shumë i hallakatur dhe i mobiluar thjeshtë, shumë pak mobile, por shumë libra”. Kështu rrëfen njëra nga bashkëkohëset e Nolit, Sara Panariti, gruaja e botuesit të gazetës më të vjetër shqiptare në Botë, “Dielli”, Qerim Panaritit.
-Peshkop Noli na vizitonte dy herë në vit. Ai e kishte të vështirë të ngjiste shkallët, sepse çalonte pak dhe e kishte akoma më të vështirë të zbriste. Fakti që ai dhe burri im ishin aq miq, ishte shumë i çuditshëm sepse burri im ishte mysliman, megjithatë, ai ishte shumë i afërt dhe i devotshëm ndaj peshkopit. Ai e çmonte aq shumë peshkopin sa, edhe pse ishte mysliman, shkonte shpesh në kishë. Peshkop Noli kishte sens të shkëlqyer humori. Duke e ngacmuar burrin tim i thoshte: Pse nuk bëhesh prift? Do të ishe prift i mirë dhe gruaja jote ka karakter të këndshëm, kështu që do të bëhej priftëreshë e mirë”. Ata kishin shumë gjëra të përbashkëta. Qëllimi i tyre mbizotërues ishte përkushtimi ndaj çështjes shqiptare, nacionalizmit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Që të dy ishin të interesuar për shtimin e koleksionit të literaturës shqiptare, sepse kur erdhën shqiptarët në fillim në Amerikë, nuk kishte asgjë. Peshkop Noli përktheu shumë libra, mes të tjerash Shekspirin dhe “Rubairat” e Omar Khajamit. Ai shkroi “Historinë e Skënderbeut” në shqip dhe në anglisht dhe përktheu shumë poezi origjinale; shkroi edhe shumë pjesë liturgjike. Përmes përpjekjeve të burrit tim dhe të shoqërisë “Vatra” u organizua një banket dhe të ardhurat iu dhanë peshkopit, që t i përdorte për botimin e librit “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”. Libri për Skënderbeun u botua nga “Vatra”, kur burri im ishte botues i “Diellit”.
Në artikujt që ka shkruar burri im, theksonte se Noli vajti në Harvard, sepse vendosi të krijonte një bazë të mirë në anglisht me qëllim, që të kryente atë punë që donte të bënte. Fan Noli mund t’ia dilte në të dy botët. Shumë herë anëtarë të klerit të huaj ose gazeta të huaja mund të funksionojnë vetëm në gjuhën e tyre, por peshkop Noli dhe burri im mund t’ja dilnin po aq mirë në botën amerikane, sa edhe në botën shqiptare.
Fan Noli kishte aftësi dramatike dhe ndoshta mund të ishte bërë aktor shumë i mirë. Grupi teatral ku kishte marrë pjesë u shpërnda, pasi mbeti në mes të katër rrugëve në Egjipt, pa para. Ai duhet të ketë pasur aftësi dramatike, ndryshe nuk do të mund të mbante të mbërthyer për një kohë aq të gjatë ata që e dëgjonin. Ishte shumë tërheqës, kur fliste ai, ti e dëgjoje. Disa herë kam ndjekur shërbesat e kishës vetëm për të dëgjuar zërin e tij, sepse duke mos qenë shqiptare, nuk e kuptoja gjuhën. Ai shprehej bukur. Ai ishte në formën e tij më të mirë, kur fliste para auditorit. Bënte që çdo gjë të dukej e gjallë. Kishte një zë të mrekullueshëm, të fortë dhe kumbues (tingëllues). Kur flisnin me njëri- tjetrin, im shoq, Qerimi dhe Noli, bisedat e tyre kalonin nga filozofia te letërsia, nga arti te historia, por subjekti për të cilin flisnin më shumë ishin Shqipëria dhe problemet shqiptare. Fan Noli ishte i orientuar politikisht dhe i interesuar për nacionalizmin shqiptar dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Por nuk flisnin ndonjëherë për sportin, edhe pse burri më thoshte se peshkop Noli kishte qenë notar i shkëlqyer dhe shumë i fuqishëm. Megjithatë, ai nuk kishte shumë kohë për gjëra si kjo, sepse vazhdimisht lexonte, studionte dhe krijonte diçka. Kjo ishte e mrekullueshme!