(Prof. dr. Mehmet Ahmetaj, KUNDRIME GJUHËSORE, Instituti Albanologjik – Prishtinë, 2023)
Dr. Faton KRASNIQI
Ky vëllim i profesor Mehmet Ahmetajt përmban varg punimesh studimore, shkencore, kumtesash, artikujsh, thesaresh leksikore, materialesh onomastike, etnografike, terma etnografikë dhe toponomastikë. Në këtë libër janë përfshirë punimet e botuara më parë në revista të ndryshme shkencore, si: Gjurmime albanologjike – seria e shkencave filologjike; Gjuha shqipe; ASHSH, IGJLSH-Konferenca shkencore “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”; Studime historike – ASHSH, Instituti i Historisë; revista “Lemba”(Art Club-Ulqin); Gjuha jonë – ASHSH, IGJLSH; Fjala jonë; Koha-revistë për art, shkencë, kulturë dhe çështje shoqërore; Rilindja; Koha Ditore; Jehona-Shkup; 50 vjet studime albanologjike-IAP; Meshari i Gjon Buzukut monument i kulturës shqiptare/ Material nga sesioni shkencor, Ulqin, 1995; Dija-revistë për shkencë, kulturë, art – Ulqin etj. Studimet e profesor Mehmet Ahmetajt paraqesin një kontribut të rëndësishëm shkencor për gjuhësinë shqiptare. Në këtë libër kanë gjetur trajtesë edhe një numër kritikash, kronikash, recensionesh, ekspeditash kërkimore – shkencore si një veçanti në fushën e dialektologjisë shqiptare. Në trajtesat e tij shkencore, e në veçanti për toponomastikën e territoreve etnike shqiptare, në Mal të Zi, profesor Mehmet Ahmetaj ka bërë një punë studimore disavjeçare, shkencore si në rrafshin historik, gjuhësor etnik e gjeografik dhe ka sjellë rezultate shumë të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare. Për t`i realizuar punimet e tij shkencore dhe trajtesat në fushë dialektologjisë, për subjekt vështrimi profesor Ahmetaj zakonisht i ka marrë pleqtë dhe plakat, e sidomos femrat e lindura e të martuara përbrenda trevës, përkatësisht bajrakut të Anës së Malit, sepse, sipas profesor Ahmetajt, gratë janë më konservative se burrat, meqë nuk kanë lëvizur jashtë krahinës së atjeshme dhe e ruajnë shumë më besnikërisht gjendjen e moçme të gjuhës së gjallë të folur, me të gjitha tiparet, specifikat e veçantitë e saj të gurrave dialektore autoktone. Profesor Mehmet Ahmetaj për të realizuar veprat e tij si dhe punimet shkencore, në vazhdimësi ka realizuar ekspedita kërkimore – shkencore ku tradicionalisht ka mbledhur lëndë dialektore në më shumë se 17 pika vendbanimesh të krahinës së Anës së Malit, trevë kjo veriperëndimore e truallit gjuhës të shqipes. Vlen për t`u theksuar se për realizimin dhe argumentimin veçorive të fushave të ndryshme gjuhësore të shqyrtuara në punimet studimore të tij, profesor Ahmetaj ka pasur një material shumë të pasur dialektor. Në studimet e tij, ai ka bërë një përshkrim sinkronik, e herë – herë diakronik të ligjërimit popullor të Anës së Malit, që i ka pasur objekt studimi dhe trajtimi të veçantë në të gjitha sferat, përkatësisht rrafshet e saj. Si studiues dhe gjurmues i përkushtuar e i palodhur, ai në vazhdimësi ka sistemuar materiale të rëndësishme lëndore e shpirtëror, me vlerë të shumanshme, nga fusha e etnografisë, mitologjisë, folklorit, historisë, arkeologjisë, ilirologjisë e paganizmit. Nga veprat e tij, studimet e tij, veç tjerash, lënda leksikore e këtyre trevave, pothuajse në mënyrë tërësore, përveçohet për origjinalitetin, ngjyresën e ligjërimit popullor, figuracionin stilistiko – gjuhësor, përkatësisht autoktonitetin vazhdimësor të birësisë iliro – shqiptare. Në fokusin e studimeve të tij profesor Ahmetaj kryekëput ka pasur arealin truallsor etnik të ligjërimeve shqiptare të Ulqinit, të Anës së Malit, të Shtojit, të Bregut të Bunës, të Tivarit, të Shestanit, të Briskut, të Krajës, të Tuzit, të Hotit, (Trabonit të Moçëm), të Grudës, të Trijepshit, të Kojës, të Plavës e Gucisë, të Rozhajës. Gjithashtu në studimet e profesor Ahmetajt, kanë gjetur trajtesë të thellë dhe të thukët një mal i tërë antroponimesh, toponimesh, topleksemash, ojkonimesh, hidronimesh dhe tumash. Profesor Mehmet Ahmetaj, përpos kësaj vepre ka botuar edhe disa vepre me rëndësi për dialektologjinë, frazeologjinë dhe onomastikën shqiptare, si: 1. Studime gjuhësore II (Dialektologji), bashkautor, Prishtinë, 1996; 2. Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të Zi, Prishtinë, 1996; 3. E folmja e Plavës dhe e Gucisë, (monografi), Prishtinë, 2002; 4. Gjurmime Onomastike (përmbledhje punimesh), Prishtinë, 2009; 5. Fjalor Onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi, Prishtinë, 2017.
Shënime për autorin: Mehmet Ahmetaj u lind në Vuthaj të Plavës dhe të Gucisë më 1946. Shkollën fillore e kreu në Vuthaj – Guci, kurse të mesmen në Pejë. Fakultetin Filozofik, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, e mbaroi (1974) në Prishtinë. Gjithashtu në Universitetin e Prishtinës u magjistrua (1974) dhe u doktorua (2000) në shkencat filologjike (në fushën e dialektologjisë shqiptare). Ai që në krye të herës punoi në arsimin e mesëm si profesor i gjuhës shqipe, në Podujevë, në Prizren dhe në Lipjan dhe si bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik – Prishtinë.