SI E NJOHA PINO CACOZZA-n

Kur lindi Pino, zoti i përqafoi shpirtin dhe e pagëzoi me kordat arbërore, të cilat i mbajti të akorduara deri në momentin që mbylli sytë

Ornela RADOVICKA

Giuseppe Cacozza, emri i artit Pino\Zef\Cacozza, mësues poet, shkrimtar, publicist, autor tekstesh, muzikant u lind më 27 shtator 1957, në një qytezë të vogël arbëreshe, San Dimetrio Corona\Shën Mitër, në Kalabri, Itali. Këtë artist, pata rastin ta njihja për herë të parë, në njërin prej edicioneve të konkursit Miss Arbëreshe zhvilluar në Spezzano Alba nese (Kozencë, Itali). Në mendjen time, ngeli ai vështrim i butë, malinkoni leopardiane, me një shpirt të gjerë, ngjyrosur me ngjyrën e qiellit, me bardhoshen parajsë dhe shkëlqim bizantin. Vura re se dikush i thërriste Pino, ndërsa dikush tjetër Zef. Prania e tij e paqtë, e thjeshtë, përkushtimi si dhe gatishmëria ndaj punës, ishin veti që të binin menjëherë në sy. Fjala e tij kryesore ishte: koha, të cilën e konsideronte si faktorin kryesor për një “ringjallje të vër tetë”, një “Arbëri të Re”, me gjuhën, traditat dhe ritualet e saj. Vizitat e tij konstante në botën arbërore, ishin të shoqëruara gjithmonë me emocione të thella, me faktorin “kohë”, të cilat formonin substancën e një historie prej më shumë se 600-vjeçare, sintetizuar në vargjet e tij, përqendruar në çdo shesh e qytezë, ku kishte frymëmarrje arbëreshe. Një pasdite ishim ulur të dy pranë amfiteatrit Vicenzo Pesce, dhe ndërsa bisedonim i bëra një intervistë të shkurtër. Si fillim e pyeta se si i pëlqente ta thërrisja dhe ai m’u përgjigj: Pino – për miqtë e mi, Zef – në veshjet e artistit arbëresh, por më pëlqejnë që të dy këto shkurtime.

Ju z. Pino jeni shkrimtar, poet dhe artist. Si mbrohen nga institucionet në Itali traditat dhe kultura arbëreshe?

Në radhë të parë, dëshiroja të mos më drejtoheshit me “Ju”. Unë jam mik, vëlla i kujtdo, kështu që jam edhe mik me ty, prandaj është mirë të më drejtoheni me “Ti”, m’u përgjigj Pino. Ne arbëreshët jemi të shpërndarë në zona të rajoneve të ndryshme: Campania, Molise, Puglia, Basil icata, Sicilia dhe, mbi të gjitha, Kalabria, ku është edhe komuniteti më i madh, me mbi 58,000 banorë. Në Itali, popullsia arbëreshe shtrihet në 52 komuna të shpërndara në shtatë rajone të Italisë qendrore dhe jugore. Po kështu shumë arbëreshë jetojnë në Veri të Italisë, shpërngulur për shumë motive. Statistikat flasin që komuniteti abëresh në Itali përbëhet nga një popullsi me mbi 100,000 banorë. Është një mrekulli e vërtetë, po të kemi parasysh se gjuha që më ka dhënë mëma, është një idiomë që ka qëndruar për gjashtë shekuj dhe është transmetuar vetëm gojarisht, dhe jo vetëm gjuha, por edhe një seri e tërë traditash fetare, kulturore dhe gastronomike. Jemi një identitet që ende bazohet në rite, shumica e pesëdhjetë komuniteteve ende e ruajnë ritin bizantin gjatë liturgjisë. Ne, arbëreshët, jemi prej 600 vjetësh dëshmi e integrimit shoqëror midis popujve, si edhe simbol i identitetit dhe i pranimit, e megjithatë ne arbëreshët nuk e kemi të lehtë mbijetesën dhe për këtë luftojmë, për të ruajtur zakonet, traditat, gjuhën, ku kjo e fundit flitet pak shumë pak. Jemi në rrezik asimilimi. Ekzistojnë shkëmbime midis dy institucioneve asaj shqiptare dhe Italiane, por nuk janë aspak të mjaftueshme, ose më mirë të them nuk kanë qenë aspak rezultative në ringjalljen e identitetit. Nuk ekziston deri më tani asnjë platformë konkrete midis këtyre dy shteteve dhe të them të drejtën e pa frikë ndihemi si “jetimë”. Para pak kohësh na vizitoi Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, i cili erdhi në San Demetrio Corona, për t’i bërë homazhe figurës së heroit Giorgio Castriota Skënderbeut, në ditën e 550-vjetorit të vdekjes së tij. Ai me këtë rast takoi homologun e tij shqiptar, Ilir Meta ardhur nga Shqipëria, ku së bashku përuruan një pllakë përkujtimore kushtuar Skënderbeut dhe fjalimi i Presidentit Matarella ishte dinjitoz për komunitetin tonë, ku midis të tjerash tha: “Diaspora shqiptare e identifikoi Skënderbeun si simbolin për të mbajtur gjallë lidhjen me atdheun e origjinës, duke u integruar në mënyrë paqësore dhe efektive në zona të ndryshme të Ital isë”. “Arbëreshët, – nënvizoi kreu i shtetit, -përbëjnë një histori integrimi dhe mirëseardhjeje që ka rezultuar plotësisht e suksesshme, një shembull sesi njohja e ndërsjellë dhe respekti i ndërsjellë për kulturat janë një mjet për rritje për realitetet territoriale dhe për vendet në të cilat komunitetet e ndryshme jetojnë”. “Ruajtja e origjinës së lashtë, ndikimi i ndërsjellë, shkrirja harmonike e gjuhës, kulturës dhe traditave, sipas Mattarellës kanë qenë ndër shekuj dhe janë edhe sot “vlera e shtuar” e këtyre komuniteteve. Realitete që luajnë një rol thelbësor si një urë lidhëse mes “dy popujve përballë”, siç përmenden shpesh si shqiptarët dhe italianët”. Por takime të tilla, nuk janë të mjaftueshme, duhen gjëra konkrete, duhen projekte dhe platforma konkrete për shkollat ku ka popullsi arbëreshe, për mësuesit që të japin mësim në gjuhën shqipe, dhe duhet sensibilizuar brezi i ri që e ka lënë gjuhën, dhe nuk e flasin më atë. Ekziston edhe një ligj specifik (ligji 482/99), por deri tani është shpërfillur për shkak të politikave deri më sot, dhe si rrjedhojë kultura arbëreshe nuk ka pasur kurrë një mbrojtje të madhe prej institucioneve; artistët dhe letrarët veprën e tyre e kanë lidhur më tepër me pasionin e madh që kanë për artin dhe traditat arbëreshe. Jemi gjithmonë në pritje të njohjes të një ligji i parë nga ky këndvështrim, e cila duhet të shërbejë për t’i dhënë forcë kësaj pasurie të madhe. Kemi një prani letrare, në të gjitha lëvrimet e saj. Ekziston gama letrare, por ka nevojë për ndihmë dhe subvencione. Ne kemi nevojë për një kontribut të vlefshëm ekonomik për të siguruar që kjo trashëgimi e pasur dhe e bukur të shfaqet, të jetë e dukshme dhe të divulgohet në fushën kulturore.

Kur e vizituat për herë të parë Shqipërinë?

Ishte viti 1973, dhe pikërisht muaji tetor kur zhvilloheshin festivalet në Gjirokastër. Unë erdha me grupin “Zjarr”, emrin e së cilës mban edhe revista, me drejtorin e asaj kohe priftin Giuseppe Faraca. Ishte edhe prifti që më dha frymën arbërore. Tek ne nuk ka shkolla arbërore dhe këtë rol e bënin priftërinjtë. Edhe De Rada prift ishte.

Pa shkuar ende në shkollë çfarë gjuhe flisje?

Unë shkova në klasë të parë në moshën gjashtë vjeç. Kujtoj si sot që ditën e parë të shkollës kisha në klasë vetëm një djalë që njihja, sepse ne arbëreshët e kishim zakon që nuk dilnim larg gjitonisë dhe flisnim të gjithë arbërisht. Gjitonia ishte një shesh i vogël ku shtëpitë përqark mblidheshin bashkë. Nuk dija as edhe gjuhën italiane. I thashë mësuesit se a mund të shkoja pak në shtëpi për të parë se çfarë bënte mëma ime. Isha mësuar që ta shikoja gjithë ditën dhe më dukeshin shumë orë që nuk po e shikoja dhe nuk isha i qetë. Isha shumë i prekur. Mësuesi më dha leje dhe më tha mos të vonohesha. Shkova, e pashë dhe u ktheva menjëherë. Dalëngadalë mësova edhe gjuhën italiane.

Arbëreshët janë modeli më i mirë i integrimit. Çfarë mund të na thuash rreth kësaj teme?

Arbëreshi nuk i mbyll kurrë dyert. I kemi mbajtur gjithmonë hapur, sepse vet ne jemi një etni e emigruar. Të gjitha kulturat janë të bukura. Mua më pëlqen kultura italiane, se jam Arbëresh. Por jemi edhe gjak i fortë dhe këtë e tregon se jemi 600 vjet që rrojmë, durojmë, rezistojmë. Arbëreshi është resilient. Ne arbëreshët jemi për integrim, por jo për homologim.

Kur filluat të ndiheni artist?

Në universitet, kur u mora seriozisht edhe me gjuhën arbërishte fillova veprimtarinë time si artist. Fillova të shkruaja poezi të cilat i transformoja në këngë. Tradita e letërsisë arbërore është pikërisht që poezia të kthehet në këngë. De Radës i cili mblodhi këngë, krijoi këngë, pastaj ua jepte këngëtarëve t’i këndonin, dhe në orët e vona i dëgjonte ato interpretime si serena. Pikërisht në ndërthurjen poezi këngë gjendej suksesi i këtij arti.

Cili prej poetëve arbëreshë të Kalabrisë iu ka frymëzuar më tepër, dhe cilët iu të pëlqejnë më shumë?

Ashtu siç e kam shprehur edhe herët e tjera, De Rada ishte ai që më frymëzoi. Figura e De Radës është për të gjithë ne figurë madhështore. U linda në një qytezë, shumë afër me fshatin e De Radës, Maqin. Studio va liceun “Shën Adriano” ku studioi edhe De Rada, dhe më pas edhe e drejtoi De Rada. Fama dhe puna e tij ishte madhështore, ai është dhe do të mbetet në zemrën e arbëreshëve, edhe pse vdiq i varfër dhe i harruar. Vdiq në praninë e një çobani me dhënë. De Rada ishte për arbëreshët, por arbëreshët vonë e kuptuan kush ishte De Rada për ta. Figura e tij më ngeli si një ndjeshmëri dhe jo vetëm, por edhe si detyrë, prandaj edhe në koncertet e mia recitale, unë jo vetëm nuk e harrova por e mbajta në një cep të zemrës. Ka shumë poetë arbëreshë shumë të mirë, janë të shumtë. Ne arbëreshët dallohemi si filo poetici, por midis atyre shumë të mirëve nuk mund të rri pa përmendur në mënyrë të veçantë Seremben, ishte poeti ynë romantik. Ishte “Folle” siç kanë shpirtin të ndjeshëm dhe impulsiv të gjithë artistët e mëdhenj. Ai i këndoi natyrës, njerëzve që emigronin, jetës që shuhej, por edhe vetes, dhe këtë e kishte pasqyruar edhe në poezinë e tij “Il mio ritrato” kur thotë: “Digjen nga malinkonia /sytë e mi nëse do të dish ti vështrosh”. Në Strigari gjendet një cep ku hapësira dhe horizonti është i dukshëm dhe pikërisht prej andej Serembe vështronte anijet që emigronin për në Brazil, dhe ku shkroi edhe poez inë: “Më e bukura e Strigarit”, të cilën ia dedikoi një vashëze me të cilën u dashurua, por që ajo vdiq pak ditë më vonë nga mbërritja e saj.

Çfarë është Arbëria për Pinon?

E kam shprehur edhe herë të tjera që, Arbëria për mua është një kon cept i madh, është një komb që ka një traditë të madhe kulturore dhe gjuhësore. Jemi me gjuhën e lashtë arbëreshe, dhe kemi një trashëgimi të madhe të traditës, folklorit, muzikës, letërsisë dhe historisë.

A mund të shpresojmë se do të ruhet gjuha arbërore?

Po, me siguri, është një çështje parësore, sepse një kulturë shprehet në thelb me anë të gjuhës. Gjuha është transmetuesi thelbësor i një kulture në të gjitha aspektet e saj. E dua gjuhën arbëreshe dhe dua absolutisht që ajo të mësohet në shkolla, të jetë e pranishme në vendin e punës dhe gjithashtu të jetë e pranishme në institucionet ku mbizotëron popullsi arbëreshe.

Epoka në të cilën jetoi Pino, është epoka që po kalojmë ne, një kohë të vështirë, e cila kërkon që vështrimi human të përqendrohet drejt globalizimit, gjë e cila, është një risk për asimilimin e popullsisë arbëreshe.

Po është e vërtetë, jemi në një agoni, si shumë etni të tjera, por mendoj se tani ka ardhur momenti që ti drejtohemi “faktorit-etni”, ku nëpërmjet artit, muzikës, poezisë, folklorit, etnografisë, teatrit si edhe gjuhës, të ketë si një medium edukativ, e cila të ndihmojë si për shpëtimin ashtu edhe për ringjalljen e identitetit arbërore.

Si ka mbijetuar deri tani popullsia arbëreshe në komunitetin tuaj?

Rëndësia e një komuniteti kaq të lashtë qëndron pikërisht në strukturën e tij kozmike, ndjeshmëri dhe racionalitet. Kjo “arushë” (kështu e kam quajtur unë arbëreshin) në dicoteminë e tij sa qiellore (sistemi as tronomik, arusha e madhe dhe e vogël) por edhe aq tokësore, përbëjnë ligjin e bukurisë, harmonisë, të këtij komuniteti legjendar, epik, unik në botë, stoik, falë sakrificave të tyre, sepse askush nuk e ndihmoi arbëresh in deri më sot, kjo është vetëm falë punës së tij, përpjekjeve të tij, që u reziston stuhive në pavdekshmërinë e tij.

***

Kur lindi Pino, zoti i përqafoi shpirtin dhe e pagëzoi me kordat arbërore, të cilat i mbajti të akorduara deri në momentin që mbylli sytë.

Në skenë Pino lëvizi në një dimension emocional, tingujt shoqëronin muzikën, imazhi i tij mendor i zgjatur, fonemat e gjuhës arbërore, si edhe gjuhës së folur përcjellë nga brezi në brez, apo diksioni prej artisti, gjithçka, përfshihej me njerëzillëkun që e karakterizonte. Muzika dhe poezia që përdori Pino, në shërbim të komunitetit të tij, janë emocione që sensibilizojnë rendin hierarkik midis ndjenjës dhe ndërgjegjes. Identitet ky, që në fund të fundit është ajo harmoni e një komuniteti, brendia e një ambienti ndryshe. Në vitin 2012, me rastin e Vitit të Ri, Pino për Arbitalia shkruan: Ata që përpiqen të ndalojnë Arbërinë e projektuar në të ardhmen janë gjithmonë të njëjtët: politikanët, egoistët, karrieristët, të eturit për pushtet dhe pasuri, vrasësit e ëndrrave dhe ata që u afrohen për interesa, për kotë si, për biznes të errët, sepse kanë ligësinë në sy. Shoqata jonë është krenare që ka punuar përkrah popullatës arbëreshe, me njerëz të thjeshtë me sy të kthjellët, me njerëz që ende përdorin gjuhën dhe traditat nga dashuria spontane, pa ëndërruar aspak të kthejnë shpinën. Dashuria nuk luan me para, dashuria ime është, Arbëria. Cacozza, ishte bartës i shëndetshëm i kulturës, udhërrëfyes i një grupi etnik, i brishtë, por krenar, që i ka rezistuar kohës, dhe i ka kapërcyer vështirësitë e shoqërisë moderne, të cilët kanë mundur ta mbajnë zjarrin gjithmonë të ndezur pa kërkuar asgjë, pa ndonjë përfitim. Ndodh, kur në jetë hasim njerëz të tillë, nuk jemi në gjendje të kuptojmë madhështinë e tyre, sepse modestia që i karakterizon na bënë të vihemi e të ndihemi paralele me ta. Pino iku kështu i heshtur, me flatra të arta, nën notat e një “Nabuko” të një Arbërie, që ai i këndoi me aq shumë dhimbje, por edhe me aq dashuri. I dashur Pino, kujtimet në gjoks mbledhim për kohën që ti na rrëfeve me artin tënd.

(Marrë nga libri I THEM BOTËS JAM ARBËRESH nga Ornela Radovicka, botuar nga DRINI, Ferizaj, 2024)

Leave a Reply

Your email address will not be published.