Arsimi i Ungarettit filloi në frëngjisht, në një shkollë zvicerane të Aleksandrisë. U njoh me parnasianizmin dhe poezinë simboliste, veçanërisht me Gabriele d’Annunzion, Charles Baudelaire, Stéphane Mallarmé dhe Arthur Rimbaud
Xhahid BUSHATI
Xhuzeppe Ungaretti ishte poet, gazetar, eseist, kritik, akademik dhe përurues i Çmimit Ndërkombëtar “Neustadter” (1970). Një përfaqësues kryesor i prirjes eksperimentale të HERMETIZMIT. Ishte një nga kontribuesit më të shquar të letërsisë italiane të shekullit të 20-të. I ndikuar nga simbolika, për një periudhë të shkurtër u përafrua me futurizmin. Si shumë futuristë, mori një pozicion irredentist gjatë Luftës së Parë Botërore. Ungaretti debutoi si poet, ndërsa luftonte në llogore, duke botuar një nga veprat e tij më të njohura “Gëzimi”. Pati edhe një lidhje, por të shkurtër, edhe me dadaistët; Ungaretti e pati dhe e zhvilloi hermetizmin, për një periudhë kohe, si tipar themelor të poezisë së tij. Pasi kaloi disa vite në Brazil, u kthye në shtëpi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Punoi mësimdhënës në Universitetin e Romës, ku kaloi dekadat e fundit të jetës dhe karrierës së tij. Vdiq, më 2 qershor 1970.
Ungaretti u lind më 8 shkurt 1888 në Aleksandri (Egjipt) në një familje nga qyteti toskan Luçça. Babai i tij punonte në Kanalin e Suezit, ku dhe pësoi një aksident fatal (1890). Nëna e tij e ve drejtonte një furrë buke (buzë Saharasë). U mor me edukimin e të birit.
Arsimi i Ungarettit filloi në frëngjisht, në një shkollë zvicerane të Aleksandrisë. U njoh me parnasianizmin dhe poezinë simboliste, veçanërisht me Gabriele d’Annunzion, Charles Baudelaire, Stéphane Mallarmé dhe Arthur Rimbaud. U njoh edhe me veprat e klasicistëve, si: Leopardi, Karduçi si dhe me shkrimet e Giovanni Pascoli. Kjo periudhë shënoi debutimin e tij si gazetar dhe kritik letrar. Në vitin 1912, 24-vjeçari Ungaretti u transferua në Paris (Françë). Gjatë rrugës u ndal në Romë, Firence dhe Milano. Ndoqi leksione në Kolegjin e Francës dhe Universitetin e Parisit. Kishte pedagog filozofin Henri Bergson, të cilin e admironte. Shkrimtari i ri u takua dhe u miqësua me Gijom Apolinerin, një promovues i kubizmit dhe pararendës i surrealizmit. Puna e Apolinerit pati ndikim të dukshëm në krijimtarinë e tij poetike. Botoi vëllimin poetik “Porti i varrosur” (1917). Ky libër u shkrua kryesisht në Frontin e Krasit. Edhe pse përshkruan vështirësitë e jetës së luftës, mbajti një qëndrim të kundërt me atë të shkrimtarëve të ‘Brezit të Humbur’.
Ungaretti shkon, përsëri, në Paris (1918). Boton librin poetik në gjuhën frënge “Lufta”, (1919). Në vitin 1920 u martua me francezen Jeanne Dupoix, me të cilën pati një vajzë, Ninon (lindur, më 1925) dhe një djalë, Antonietto (lindur, më 1930). Një vit pas martesës së tij, Ungaretti u kthye në Itali. Filloi punën si punonjës i Ministrisë së Jashtme. Në vitin 1936, u transferua në qytetin brazilian San Paulo. U bë profesor i italishtes në këtë Universitet. Aty, në vitin 1939, i vdes djali Antonietto. Në vitin 1942, tre vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Ungaretti u kthye në Itali. U emërua Profesor i Letërsisë Moderne në Universitetin e Romës. Vazhdoi të shkruante poezi, njëkohësisht botoi dhe një numër esesh. Në këto vite, hermetizmi kishte marrë fund (dhe Ungaretti, dhe Montale, dhe Quasimodo). Ungaretti, sikur u largua më pas dhe adaptoi një stil më formal në poezinë e tij.
Në vitin 1964, dha një seri leksionesh në Universitetin e Kolumbisë në qytetin e Nju Jorkut. Në vitin 1970, u ftua nga Universiteti i Oklahomës, ku u nderua me Çmim për librat e tij të botuara jashtë Italisë. Gjatë këtij udhëtimi të fundit, Ungaretti u sëmur rëndë. Deri në momentet e fundit ishte nën mbikëqyrjen mjekësore në Milano. U varros në Campo Verano (Romë).
Poezia “L’Allegria” e quajtur më parë “L’Allegria di Naufragi” ishte një moment vendimtar i historisë së fundit të letërsisë italiane: Ungaretti rishikon me vëmendje stilin poetik të poetëve të cilët krijonin (vargje të thyera, pa shenja pikësimi dhe ku shfaqej barazia midis vargut dhe një fjale të vetme). Mbeten mbresëlënëse vargjet e famshme të Matinës: “Më ndriço / e pamasë / Unë ndriçoj (veten time) / me pafundësi”.