Me veprat e pavdekshme të Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit lindi, u krijua, u perfeksionua dhe fitoi vlera gjithëkohore tragjedia antike e klasike
Luljeta ISAKU
Shpalosja e madhështisë dhe e begatisë së kulturës shpirtërore, përmes përfytyrimit të botës mitike, erdhi si rezultat i ndërgjegjësimit për ndërlikueshmërinë e ekzistencës dhe ballafaqimit me kundërthëniet e vazhdueshme shoqërore. Në këto suaza me veprat e pavdekshme të Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit lindi, u krijua, u perfeksionua dhe fitoi vlera gjithëkohore tragjedia antike e klasike. Këto tragjedi shënojnë kohën e botëkuptimeve etike të lidhura me religjionin dhe religjiozitetin. Kur rendi moral filloi të perceptohej si gjendje nën mbrojtjen e perëndive dhe si imperativ socio-etik, u shpërblye e mira duke e ndëshkuar të keqen. Vetëdija morale si produkt i jetës sociale të kohës në poetikën e tragjedisë, është në lidhje të ngushtë me vetëdijen religjioze. Nga ky këndvështrim perënditë homeriane marrin konotacione të personifikimeve dhe simbolizimeve të transformuar të njerëzve “gjithëkohorë”. Kuvendi i perëndive të Olimpit është pasqyrë e hiperbolizuar e organizimit dhe pasioneve të popullit helen që tejkalon fuqinë e mundësive njerëzore, dhe si gjakim për ta arritur të pamundshmen.
Raporti i Perëndisë supreme Zeusit ndaj perëndive tjera, mund të përkthehet në raportin e sunduesit suprem ndaj vartësve të tij, që mund të mbështetej në drejtësi, por edhe në padrejtësi. Tragjedia antike greke është ndërtuar në konceptin e këtyre raporteve të ndërvarësisë. Perënditë vitale dhe gjithnjë të rinj, kuvendojnë në Olimp, të rrethuar nga shkëlqimi, drita dhe bukuria, duke u ushqyer me ambrozi dhe duke pirë nektar. Atyre ju shërbejnë Heba, Ganimedi dhe Irida me këshillin e ngushtë në të cilin marrin pjesë edhe nimfat. Kjo hierarki në fakt, është pasqyrë e kuvendit të organizuar në mënyrë shembullore, në të cilin vetëm kohë pas mund të dëgjohen zëra rebeles (si ai i Posejdonit në Olimp).
Kuvendi i Olimpit personifikon formën madhështore të hierarkive të rregullimit të një bashkësie të cilën e drejton udhëheqësi suprem. Asnjëherë nuk vihet në anën e akejve e as në anën e trojanëve, por kujdeset që të sendërtohet fati i predestinuar, me qëllim që të mos ndodh asgjë jashtë asaj që është paracaktuar. Përveç tij në tragjeditë antike do të veprojnë edhe e shoqja Hera, mbretëresha e qiellit, Athina, e bija, Apolloni, i biri i tij dhe Letes, Artemida, motra binjake e Apollonit, Aresi, hyji i tmerrshëm i luftës, Afërdita, hyjnesha e bukurisë dhe më e bukura e Olimpit, gruaja e Hefestit dhe e ëma e Eneut, të cilin e ka lindur me Onkisin, Hefesti, i biri i Zeusit dhe Herës, Posejdoni, i vëllai i Zeusit dhe hyji i deteve.
Të gjithë këta e luajnë rolin ndërmjetësues mes hyjit suprem dhe njerëzve, si arketipa të princërve. Në këtë hierarki të organizimit gjejmë edhe hyje gati të pavarur dhe jo rrallë neutral si Helioni, hyji i diellit, Demetra, hyjnesha e bujqësisë, frutave dhe plleshmërisë dhe sidomos Oqeani dhe nëna e madhe Tetia që janë burim i çdo gjëje, bile edhe i të gjitha perëndive. Kur hyjet nuk e kishin formësuar akoma fizionominë e tyre të plotë, ato simbolizojnë një lloj parareligjioni.
Paralelisht me hyjet paraqitet fati si instancë e fundit dhe më e lartë se hyjet, të cilit i nënshtrohet edhe vet Zeusi. Fati mbetet koncept i fuqishëm dhe madhështor, si anticipim poetik i ligjeve të caktuara të pandryshueshme të natyrës, të rendit dhe unitetit. Veçantitë me të cilat hyjet ngrihen mbi njerëzit janë jeta e begatshme, fuqia dhe pavdekshmëria, por jo edhe përsosmëria morale. Për shkak të pasioneve të ngjashme me ato të njerëzve, vuajnë si njerëzit.
Hyjet i drejtojnë njerëzit siç duan ata, dhe në mënyrë dinjitoze i gjykojnë sipas meritave. Shpesh nuk pajtohen ndërmjet vete, por në të shumtën e herave bëjnë kompromise. Shoqërohen dhe miqësohen me heronjtë që i duan. Shprehin tërë ashpërsinë, urrejtjen dhe tradhtinë ndaj armiqve dhe njerëzve si pushtetmbajtës të fateve njerëzore. Prandaj, njerëzit, të keqen me të gjitha pasojat e saj, ua përshkruajnë perëndive.
Vend me rëndësi në tërë poetikën e tipit homerian të tragjedisë klasike zë përfytyrimi eskatologjik i jetës pas vdekjes. Për helenët vetëm jeta e këtejme ishte vlerë sendërtuese, sepse nuk njiheshin shpërblimet apo ndëshkimet në botën e përtejme. Natyra e këtij njeriu është hedoiste dhe i përmbahet aksiomës, se jeta është e shkurtër por e bukur. Prandaj përqendrimi është ekskluzivisht në jetën e këtejme. Motivet më të fuqishme në jetë janë gjakimi për lavdi dhe erotikë. Rruga e arritjes drejt tyre është nderi, dinjiteti dhe drejtësia.
Ngjarjet e natyrës shoqërore dhe politike, si rezultat i organizimeve të forcave të brendshme, kishin ndikuar që në Greqinë antike të shekullit VII të merrte hov kulti i Dionisit, i cili nuk i përkiste hierarkisë së perëndive të Olimpit, sepse ju përgjigjej shtresave më të ulëta
Herodoti e më vonë edhe Pindari theksojnë se artisti nga Metina Arioni, i pari kishte zbuluar formën tragjike, duke formuar korin dhe duke kënduar dithirambe në ç’mënyrë kishte ndërtuar shfaqjen në të cilën kori këndonte ndërsa satirët recitonin vargje. (Satyros-sipas mitologjisë greke hyjni e ulët, e shthurur dhe me këmbë dhije, demonë leshatuk me kaçurrela, me hundë të shtypur e të zvarur, me veshë të mprehtë e me bisht kali apo cjapi, me kurorë në kokë, kurse në duar mbanin tirsin e mprehtë-skeptrin (shkop i çmuar) i Dionisit).
Në këto kontekste, fillimisht ditirambet nga të cilat lindi tragjedia, e kanë imituar fatin njerëzor dhe duke qëndruar në suaza të gjykimit të arsyeshëm kanë respektuar fuqishëm ndenjat njerëzore. Struktura përmbajtësore ditirambike përshkohej nga kulti (dionisian) dhe miti. Brenda këtyre suazave heronjtë lëviznin të ledhatuar, të këshilluar dhe të udhëzuar nga hyjet apo profecitë. Ata kultivonin ndjenja dashurie ndaj atyre që frikësoheshin nga mëkatet. Për hir të lumturisë luteshin te perënditë, që drejtësia dhe ligjet t’ju kthehen të drejtëve dhe t’i braktisin të ligët.