LETËRSIA DHE SHKRIMTARI

Historia e popullit shqiptar, kur pushoi të ishte histori politike, pasqyron një shoqëri individësh anonimë, që s’mendonin për gjë tjetër, veçse për bukën e gojës, për shtëpinë e tij brenda. Mungonte ideali, e pra mungonte ndjenja. Mungonte letërsia

Musine KOKALARI

Letërsia është mjeshtëria e të shkruarit në mënyrë artistike, duke pasqyruar jetën shoqërore në mënyrë objektive. Shkrimtari është ai mjeshtër që ushtron letërsinë në dobi të njerëzimit, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, me anën e pendës. Ai bën përgjithësime mbi botën, mbi njerëzit dhe mbi gjithçka, që është lidhur me njerëzit dhe gjithë popujt, për zgjimin e tyre, për lumturinë e tyre. Shkrimtari riprodhon jetën me anën e përgjithësimeve artistike, që quhen figura artistike.

Figurat artistike shprehin ndjenjat, mendimet, qëllimet, dëshirat e personazhet, nga këndi me të cilin shkrimtari e shikon jetën pra shkrimtari është luftëtar i pendës, i cili me armën e tij të fuqishme mban qëndrim aktiv progresiv militant me një qëllim e objektiv të caktuar. Flas gjithmonë për shkrimtarin përparimtar. Për shkrimtarin trashëgimtar që në rrjedhën e shekujve ka mbrojtur anën progresive, traditat e vendit të popujve të shtypur kundër forcave regresive. Shkrimtarin që me armën e tij të fuqishme ka mbrojtur lëvizjen patriotike, për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Për shkrimtarin që ka mbrojtur kulturën kundër obskurantizmit, pasojë e pushtimeve dhe e shtypjes që mbante në këmbë paditurinë. Për shkrimtarin që është vënë në shërbim të luftës së kulturuar dhe në formimin e njeriut parimor. Qëndrimin që mban shkrimtari ndaj personazheve, ndaj problemeve, ndaj marrëdhënieve shoqërore, ideve dhe perspektivës. Të gjitha këto përcaktojnë përmbajtjen ideologjike, rolin pozitiv që luan ai, si njeri përparimtar.

Mendimi që e përshkon veprën, qëllimi që mbron ai, përcaktojnë pikëpamjet e tij politike. Kjo arrihet, bëhet e dobishme në sajë të gjuhës së shkruar, të gjuhës amtare, si mjet komunikues midis njerëzve.

Shkrimtari, si luftëtar i pendës, lufton për gjithçka është në dobi të njerëzimit, duke filluar nga atdheu i tij. Vepra e tij është pasqyrë e realitetit shoqëror. Sa më afër interesave patriotike dhe shoqërore, sa më i gjerë dhe i thellë horizonti i tij dhe njohja e jetës, sa më e fuqishme të jetë ideja emocionale, aq më shumë ndikon ai në njerëzit, për ecjen e tyre përpara. Letërsia, duke mbrojtur njerinë e punës, lot një rol pozitiv në jetën e individit, si qenie shoqërore, në lidhje me interesat e përbashkëta kombëtare dhe progresin shoqëror.

Pra, letërsia përmbledh gjithë rregullat letrare dhe njohurinë e veprave të gjinisë së saj. Estetika, si teori e së bukurës, të dobishmes, me anën e artit bën përpjekje për të pasqyruar realitetin objektiv shoqëror sa më të gjallë dhe sa më parimor.

***

Prodhimi letrar nisi që në fillim kur zuri të hidhte çapet e para e dashurisë. Pra është pasqyra e vërtetë dhe besnike jo e ngjarjeve të kohës historike e të lëvizjes kombëtare, po vetë ndjenja e atdhedashurisë që qe qëllimi kryesor i lëvizjes.

Historia e Shqipërisë është pak e njohur, e errët. Para shekullit 15, ka formën e një legjende. Çdo gjë me hamendje. Pas këtij shekulli, më tepër se njoftime dhe burime historike është mungesa e një studimi serioz, e një punimi siç duket, gjë që mungon ende tek ne, se deri më sot kemi pasur jo vetëm bashibozukë të luftës, dhe bashibozukë të kulturës.

Sa e errët është historia, aq më shumë mungon zhvillimi i letërsisë ose më mirë përveç këngëve popullore, s’ka pasur gjë tjetër. Lëvizjet kombëtare tronditën shoqërinë. U-trondit shoqëria, u- zgjuan shpirtrat. U-zgjuan shpirtrat, u-ndie nevoja e buçimit të ndjenjës, të vuajtjes, të dhimbjes, të shpresës – lindi letërsia.

Letërsia shqiptare nuk mund të ndahet dhe as që mund të kuptohet e vetëm mund të çmohet po ta lidhësh ngushtë me ngjarjet politike edhe me shkallën e shoqërisë që përfaqësonte. Njëra pa tjetrën janë të cekëta.

Historia e popullit shqiptar, kur pushoi të ishte histori politike, pasqyron një shoqëri individësh anonimë, që s’mendonin për gjë tjetër, veçse për bukën e gojës, për shtëpinë e tij brenda. Mungonte ideali, e pra mungonte ndjenja. Mungonte letërsia.

Çdo ngjarje historike, çdo lëvizje kombëtare kundër zaptonjësit të mëmëdheut ka qenë vetvetiu një lëvizje shoqërore, një kryengritje ku gjendja ekonomike, po e ndërgjegjësonte. Gjendja ekonomike e varfër si pasuri në vetvete, e varfër nga mjetet që ta shtojmë atë, kanë qenë shkaqet e para të politikës shqiptare: mbështetja te një tek një shtet m’i madh – robëri si përfundim. Mungesa e vetëbesimit kombëtar. Po kjo e metë është edhe në letërsinë që s’kemi bërë gjë tjetër, veçse ta marrim nga të huajt, ta kopjojmë nga të huajtë, ta përshtatim si të huajt.

Mungon me të vërtetë, si në prozë, po edhe në poezi psikologjia kombëtare. Ndjenja kombëtare e poezisë së lehtë ose më mirë të vjershës, që ka mbushur revista të shumta nuk pasqyron shoqërinë shqiptare, po ndjenjën, nuk është fruti i psikologjisë, ngjarjeve e tronditjeve të shpirtit të shqiptarit, po ëndrra që ushqente. Kjo varfëri duket më tepër në prozë. Novela e varfër nuk pasqyron tipin shqiptar. Romanci mungon fare. Ende nuk është formuar kultura shqiptare.

Shqiptari jashtë atdheut të tij ka bërë shumë punë, ka arritur në shkallë të lartë, kurse në vendin e tij aspak. Horizonti i vogël, i varfër, lufta e jetës, e punës, melankolia e madhe. Nerva të dobëta që bie në gjumë. Shpirti oriental. Mungon shpirti i kritikës me vend. Mjerë ay shqiptar që do të bëj diçka, në çdo lëmë. Kush pyet për Shqipërinë? E kush e mësonin në gjuhën shqip? Kush e përkrahnin Shqipërinë politikisht? Asnjeri. Jeta e jonë: ngjan pellgut me ujëra të kulluar në fillim e pak nga pak zë një cipëz dhe fle. Qelbet më në fund. Kështu ne vdesim për së gjalli.

Leave a Reply

Your email address will not be published.