A ËSHTË REALIZMI SOCIALIST METODË LETRARE E ARTISTIKE?

Funksioni qëllimor i teksteve të socrealizmit është krejt i ndryshëm nga funksioni qëllimor te letërsia e romantikëve energjikë, apo edhe te letërsia realiste me sfond të fortë shoqëror

Yzedin HIMA

Pothuajse përherë, kur flitet pëe realizmin socialist, emërtohet si: metoda letrare e artistike e realizmit socialist. Mendoj se ky përcaktim është i gabuar, sepse realizmi socialist, i importuar nga Bashkimi Sovjetik, nuk është metodë letrare e artistike, përderisa parimet dhe kanunet e tij nuk të çojnë në krijimin e një teksti me funksion estetik, por pikërisht, kanonizojnë devijimin nga funksioni themelor  i tekstit letrar, duke e zëvendësuar funksionin estetik të tekstit me funksionin thelbësisht a tërësisht qëllimor, gjë që e shndërron tekstin letrar në një tekst me funksion praktik, duke goditur letraren dhe duke përftuar një tekst propagande:

Lavdi për ty, Parti

Çaje tynelin me vërtik
Malin e Shqipërisë
Edhe vërsho tej, në të ik,
Hekurudh’ e rinisë
Sos janë male vetëm gur;
Po janë krom e bakër plot,
Thesare plot.
Mbi male sot jam zot,
I lirë e lavdiplotë.
Lavdi për ty, Parti!

                             Dh. Sh.

Ky tekst nuk ka asgjë letrare. Është propagandë e pastër. Shkrimtari është në rolin e caktuar nga metoda aestetike e realizmit socialist, si ndihmës i partisë për edukimin e masave me partishmërinë proletare. Nuk është e mundur që këtij teksti t’i bëhet një koment letrar, sepse aty mungon letrarja. Teksti fillon si një marsh luftarak, vazhdon si një pohim se “malet nuk janë vetëm gur, por krom e bakër” dhe përfundon me një parullë: “Lavdi për ty Parti!”

Autori, në këtë rast, është pjesë e korit të shkrimtarëve entuziastë, të cilët gëzonin kolektivisht, ndjenin kolektivisht, këndonin e “krijonin” kolektivisht, duke u shndërruar në një turmë, ku nuk mund të flitej për individualitet, nuk bëhej fjalë për stil (Stili është vetja- thotë Bualo), nuk bëhej fjalë për letërsi, por thjesht për propagandë.

Natyrisht, autori nuk është një rishtar në krijimtari. Ai ka studiuar në një universitet perëndimor për filozofi, ka shkruar poezi në vitet ‘30 të shekullit XX. Ja një tekst poetik i Dh. Sh., i shkruar në vitin 1933:

KUMBONA
N’qiellin plot dritë e gaz, kur e lëshove,
kumbonë, hymnin e naltë të lindjes s’re
un me nji shpresë të re që në shpirt më zgjove,
e ngrita kangën teme për në re.

Po sa i shkurtën gëzimi qenka në dhe !

Kumbona shpejt lajmoi të zezën zi !
Shif ! në ktë ditë të qeshun ti këndon
mbasandaj qan e qesh e prapë vajton
Kumbonë ! Sa fort ngjan me i shpirt të ri !

1933

Autorit të ri nuk i mungon talenti letrar dhe ky tekst duket se është nyjëtuar nën ndikimin e estetikës simboliste. Nga krahasimi i dy teksteve shohim se parimet e socrealizmit, të zbatuara me rreptësi vrasin shkrimtarinë dhe si rrjedhoje edhe letraren te teksti. Po si ka ndodhur ky shndërrim?! Autori me vetëdije i ka shkruar këto vargje sipas kërkesave të metodës aestetike të regjimit. Mendoj teksti “Lavdipër ty, Parti” nuk e ka mundësinë për të devijuar shijet estetike të lexuesit, qoftë ky edhe me përvojë të paktë leximi. Natyrisht, teksti krijon shije vulgare dhe keqkuptime te nxënësit e vegjël, nëse lexohet dhe komentohet në orë mësimi dhe nëtekste shkollore, për rrjedhojë ky tekst nuk shkakton dëmin që shkakton një tekst ku krijuesi krahas shtyllës së funksionit qëllimor, ngre paralelisht edhe shtyllën e funksionit estetik.  Edhe krijuesit me talent letrar, kanunet e socrealizmit i detyronin të braktisnin letraren dhe te hidhnin në letër vargje propagandistike, krejt si parullat që shkruheshin me gurë në faqe malesh dhe me bojë të kuqe në faqe muresh. Në një tekst të F. Gj. kjo dukuri ndodh brenda një teksti:

Dimri i dyzet e katrës

Kishin ikur zogjtë shtegtarë

E kish ardhur një dimër i marrë

Qefinin kish hedhur mbi male

Dimri i zi, i kuq e i bardhë!

Po ne këndonim Internacionalen,

Këngë për Stalinin dhe Enverë

Dhe si lulet rriteshim në pranverë…

Katër vargjet e parë të tekstit e kanë të pranishme letraren: kemi epitetet i marrë, i zi, i kuq, i bardhë dhe metaforën qefinin. Katër vargjet e parësjellin imazhe poetike si zogjtë shtegtarë që ikin, dimri i marrë që vjen, qefinin që kish hedhur mbi male. Kemi ngjyra si: e bardha, e zeza, e kuqja. Pikërisht pas katër vargjeve, “vritet letrarja”, flaket tej funksioni estetik i tekstit dhe teksti vazhdues  banalizohet në propagandë si: Po ne këndonim internacionalen/ Këngë për Stalinin dhe Enverë/ Dhe si lulet rriteshim në pranverë./

Dhuna e kanuneve të socrealizmit, brenda një teksti kanë vrarë pa mëshirë artin, letraren, madje kanë sjellë edhe një varg të pakuptimtë, fëminor: /Dhe si lulet rriteshim në pranverë/ duke harruar se pakëz më lart flitej për dimrin. Natyrisht, në tekst ka ndërhyrë dhunshëm parimi i partishmërisë proletare.

Ka autorë pararendës të epokës së romantizmit, poetët e famshëm romantikë energjikë, të cilët krijuan një poezi me funksion qëllimor, por falë mjeshtërisë së tyre ruajtën funksionin estetik. Shkrimtarë të tillë si; Hygo, Bajroni krijuan tekste me nivel të lartë estetik dhe ideor, por funksioni i tyre qëllimor ndryshonte kryekëput nga funksioni qëllimor i teksteve të shkrimtarëve të socrealizmit. Ata synuan përhapjen e mesazhit të lirisë individuale dhe lirisë së njerëzve me tekstet e tyre, synim mjaft fisnik dhe i qëndrueshëm. Natyrisht, një pjesë e shkrimtarëve romantikë, ata që u quajtën romantikë sentimentalë, ata që synonin lirinë estetike, jo atë shoqërore krijuan tekste me nivel të lartë estetik. Blejk, Wordsëorth, Leopardi etj. Tekste si ky i Viktor Hygoit shkaktojnë habi ideoestetike:

Një mijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë,

Po edhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi;

 I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë:

E në mbettë veç një, – do të jem unë ai!

(“Ndëshkimet”)

Ndërsa tekste të tillë si “Poezia” e Uiliam Blejkut shkaktojnë mahni estetike:

Të shohësh një botë në kokërrizën e rërës

Dhe qiellin në një lule të egër,

Të mbash Pafundësinë në pëllëmbën e dorës

Dhe Përjetësinë në një çast.

Nëse do të krahasonim të dy tekstet, ata dallohen për mesazhet e fortë që përcjellin. Teksti i Viktor Hygoit për mesazhin kuptimor shoqëror, ndërsa teksti i Blejkut për mesazhin estetik.

Ndërsa te tekstet e poezisë së socrealizmit, në korin e shkrimtarëve të promovuar nga kritika zyrtare aksi estetik mungon. Këto tekste kanë krijuar shije vulgare te lexuesit e pasprovuar dhe janë refuzuar nga lexuesit sqimtarë.  Po krahas teksteve pa aks estetik, në letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit XX takon edhe teksteve ku dallohen të dy shtyllat e funksioneve të letërsisë, shtylla e funksionit qëllimor, ndikues dhe shtylla e funksionit estetik si këto vargje të poetit N. Gj:

Kur po plotësoja autobiografinë

Me shkrim të pastër dhe të bukur.

Më dukej sikur hidhnin valle gërmat dhe firma

Nën ritmet e zemrës sime të lumtur.

Pastaj kur më dhanë për herë të parë

Teserën e Partisë shokët e komitetit,

Më dukej sikur mbaja në dorë

Tërë peshën e shqetësimet e planetit.

Natyrisht, këto tekste e kanë të pranishme shtyllën e funksionit estetik. Letrarja aty është e pranishme. Ndikimi te lexuesit është më i ndjeshëm nga tekste të tillë e për rrjedhojë edhe dëmi është më i madh në deformimin estetik, shpirtëror dhe ideologjik se te tekstet që janë kthyer thjesht në propagandë.

Funksioni qëllimor i teksteve të socrealizmit është krejt i ndryshëm nga funksioni qëllimor te letërsia e romantikëve energjikë, apo edhe te letërsia realiste me sfond të fortë shoqëror. Në të shumtën e rasteve teksti nuk i shërben as lirisë individuale, as lirisë universale të njerëzve, as lirisë së njerëzve të privuar si te letërsia realiste. Në tekstet e socrealizmit tekstet shndërrohen në tekste ideologjikë dhe i shërbejnë urrejtjes së një pjese për pjesën tjetër, Pikërisht vështrimi klasor, d.m.th. lufta e klasave predikonte jo humanizmin, që është fija që thur tekstin, që nga Eskili me “Prometeun e mbërthyer”, por predikonte urrejtjen klasore.  As që mund të krahasohet letërsia qëllimore e ndikuese e të gjitha kohëve pararendëse me tekstet e socrealizmit.

Se cili është ndikimi i teksteve të tillë, natyrisht të shoqëruar edhe me propagandën edhe në fusha të tjera të artit, mjafton të shohim panoramën shqiptare menjëherë pasrënies së diktaturës. Njeriu i ri socialist, ose përbindëshi i rritur në në diktaturë, i rrethuar na telat me gjemba te kufijtë dhe me tela ideologjikë te mendja, i kalli datën qytetërimit europian me dhunën e egërsinë me të cilat u shpreh në liri. Gjënë e parë që bëri, dhunoi pjesën më të bukur, femrën, të cilën e nxori në tregun e mishit të bardhë në udhëkryqet e Europës, pastaj shkatërroi, pyjet, gjelbërimin, e gjithçka të mirë që kishte mbetur ende në natyrë. Pse? Sepse nuk e dallonte të bukurën, nuk e përjetonte atë, as që bëhet fjalë ta krijonte të bukurën. Krahas rritjes në tirani, mjerim e dhunë, një pjesë të meritës në formimin e përbindëshit e ka edhe teksti i helmuar nga ideologjia, me të cilin qe ushqyer gjatë viteve njeriu i ri. Për të sjellë një pamje më të qartë të dhunimit të tekstit letrar nga censura e autocensura, nga përqafimi me vetëdije i metodës aestetike të socrealizmit nga autorë të gjysmës së dytë të shekullit XX, po sjell një ragment teksti të shkruar në këtë kohë, por i shkruar jashtë shtrëngimit të kanuneve të socrealizmit. Autori është V. B.:

SAHARAJA

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.

Kur krahasojmë këtë tekst me tekstet e shkruar në të njëjtën kohë, dallojmë qartë dhunën e tmerrshme dhe plagët që ka shkaktuar metoda aestetike e socrealizmit edhe te autorë me talent letrar, ndaj me plot gojën pohojmë se ky tekst, i pandikuar nga socrealizmi, mund të pranvihet me poezinë më të mirë europiane dhe vështirë t’i gjendet shoqi në poezinë e kohës kur u shkrua, për nga niveli cilësor në planin artistik.

Natyrisht, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX u krijua edhe poezi e letërsi cilësore, e cila vuajti botimin, por kur u botua u mirëprit nga lexuesi. Teksti poetik i Dhori Qiriazit, i titulluar “Dikur në vjeshtë” është antologjik. Po kështu edhe mjaft poezi të  Ismail. Kadaresë, Fatos Arapit, Rudolf Markut, Petrit Rukës, Bujar Xhaferit, Sadik Bejkos, Skënder Rusit, Ndoc Gjetjes i kanë shpëtuar morsës së socrealizmit dhe kurrsesi nuk mund të klasifikohen si letërsi e socrealizmit. Në krijimtarinë e disave prej këtyre autorëve gjen edhe tekste me të gjithë tatuazhet e socrealizmit. Disa prej tyre kanë besuar te ideologjia e kohës dhe me vetëdije e kanë ngritur shtyllën e funksionit qëllimor, por falë talentit të tyre, i kanë thyer kornizat e ngurta të socrealizmit, dhe kanë nyjëtuar tekste me vlera të spikatura artistike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.