Shkrimtari Murat Isaku (1928 – 2005) është vlerësuar si “babai letërsisë shqipe të shqiptarëve të Maqedonisë” apo si “plaku i letërsisë shqipe në Maqedoni”, që “nëpërmjet imagjinatës dhe koloritit të pasur gjuhësor e mjedisor, arriti që ta shkruante sagën e banorëve të trevës së tij të lindjes – Tetovës me rrethinë”.
Salajdin SALIHU
Murat Isaku u lind në fshatin Gajre të Tetovës, ku mësimet e para i mori në gjuhën serbe. Vazhdoi shkollimin në Normalen e njohur të Elbasanit, pastaj në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë. Kreu Shkollën e Lartë për Letërsi Botërore në Beograd dhe më pas Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, po aty, më 1953. Punoi si arsimtar në Gjilan, si mësimdhënës i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Tetovës, kurse më vonë punoi si gazetar dhe redaktor në Televizionin e Shkupit, derisa u pensionua. Në vitet ’60, me një grup intelektualësh, u dënua për shkak të bindjeve politike, kurse burgun e vuajti në Idrizovë pranë Shkupit.
Murat Isaku krijimet e para letrare i botoi në revistën e vetme letrare “Jeta e Re”, e cila drejtohej nga poeti Esad Mekuli. Vjershën e parë “Ajo” e botoi në vitin 1951, tregimin e parë “Oxhaku i një shtëpie” e botoi në vitin 1959, kurse përmbledhjen e parë poetike Zani i malit ia botoi Rilindja e Prishtinës më 1961.
Murat Isaku ka botuar përmbledhjet poetike: Zani i malit (1961), Buzëqeshjet e mesditës (1963), Kurora e trollit (1963), Drithma (1975), Blana (1982), Ngushëllimi i bukur (1989), Shtara (1994), Egjër (1998), Dikush gropon në ballin tim (maqedonisht, 1999), Dolli për gjërat e humbura (2000), Ngutem të marr një frymë (2001), M’i këpusin kokrrat e frymës (2008) dhe Mëkatet e falura (2008); romanet: Dielli e din rrugën e vet (1965), Gjaku i sharrëxhinjve (1966/67), Flaka e vonuar (1973), Plagët (1975), Rreckaj (1979), Etje (1982), Damkat (1986), Shtjella (1989), Rrengu (1991), Fatprerët (1995) dhe Banesa në katin e tretë (2001), si dhe përmbledhjet me tregime: Unaza e djerrinës (1971), Gërsheta (1978) dhe Sheshtina (1982).
Krijimtaria e tij letrare ka reflektuar te krijuesit tjerë shqiptarë, veçanërisht nga Maqedonia. MuratIsaku jetonte për letërsinë. Para se ta shkruante një vepër letrare vilte informacione për vendin dhe kohën ku e vendoste ngjarjen; imagjinonte në detaje botën ku do të gjallëronin dhe vepronin personazhet; detajonte itinerarin e lëvizjes së tyre nëpër kohën dhe hapësirën romaneske; studionte gjuhën që do ta flisnin. Në fletoret e punës gjejmë shumë fjalë që i kishte vjelë prej thesarit popullor, të përdorura dendur në romanet e tij. Kjo mënyrë pune na përkujton pohimet e Jan Parandovskit, sipas të cilit “romansieri mbledh materialin, ashtu sikurse shkencëtari, duke ia përshtatur temës që ka zgjedhur”.Umberto Eko thotë se ta krijosh një roman do të thotë ta sajosh e ta ndërtosh një botë, një botë më të saktë të mundshme. “Kjo botë, teksa e ndërton, pak nga pak, bëhet e jotja, të cilën ia rrëfen një tjetri ose një lexuesi të së ardhmes”, kurse “ky rrëfim bëhet nëpërmjet një stili të veçantë, pra me një stil që e kërkon pikërisht kjo botë e sajuar”.
Murat Isaku njihet si kërkimtar i “fjalëve plaka e të harrueme”, sikur thoshte Pjetër Bogdani, pra i fjalëve të rralla, që përdoren në trevat e vendlindjes së tij dhe në arealet tjera dialektore. Letërsia gojore i shërbeu si lëndë krijimi. Ai ishte njohës i mirë i gurrës popullore shqiptare dhe ballkanike, veçanërisht i folklorit të Malësisë së Sharrit, por edhe i thesarit gjuhësor të kësaj treve, të pasur me sentenca, njësi frazeologjike, arkaizma etj. Njihte psikologjinë e sharrjanëve, veset dhe virtytet e tyre, kodet e tyre identifikuese, virtytet dhe veset e tyre, prirjen e theksuar për rebelim, por edhe vullnetin për pushtet e nënshtrim. Krijimtaria letrare e Murat Isakut është ngjizje e përvojës jetësore dhe e përvojës së leximit. Përvoja e tij personale, veçanërisht nga jeta në burg, haset në shumë vepra të tij ku i paraqet raportet e individit me pushtetin, egërsinë e një sistemi totalitar me gjithë ingranazhet e tij.
Murat Isaku kishte kulturë të gjerë. Ishte njohës i madh i letërsisë, veçanërisht i asaj botërore, për të cilën kishte studiuar. Ai e kishte talentin e lindur, që kritika letrare e hetoi sapo i botoi krijimet e para letrare, por edhe përkushtimin e durimin për punë krijuese. P.sh. romanin Plagët e kishte rishkruar nëntë herë, derisa e kishte sjellë në fazën përfundimtare. Kur jemi te ky roman, duhet të shtojmë se ai ishte botuar edhe në Tiranë, gjatë periudhës komuniste, por me disa “ndërhyrje” të redaksisë.
Poezia
Murat Isaku e filloi veprimtarinë letrare si poet dhe e përmbylli opusin krijues me libër poetik. Për të poezia mbeti “dashuria e parë e paharruar”. E preferoi shkrimin e poezisë me ritëm e rimë, por shumë herë nuk i qëndroi besnik metrikës klasike dhe krijoi poezi me varg të lirë. Për Murat Isakun letërsia ishte frymëmarrje, religjion, magji gjuhësore, dashuri për njeriun dhe dialog me botën. Ai shkruante “për të mbetur njeri”, kurse shkrimi për të ishte “dhembje e ëmbël që provokon të gjitha qelizat e gjalla dhe krijon simfoninë e harmonisë”.
“Njeriun e dua mbi të gjithë, për atë shkruaj dhe jam gati të jap çdo gjë. Intensitetin e kësaj ndjenje e shpreh më mirë në poezi, sepse ajo m’i këndell nervat dhe më djeg (…) Fuqia e poezisë është fuqia shpirtërore e njeriut, ideali dhe ëndrra e tij për ta bërë botën më të këndshme, ku njerëzit do të thirren njerëz (…) Prandaj poezia nuk vdes para njeriut, për arsye se është nevojë e përhershme e orvatjeve të tij”, thoshte ai.
Te librat e parë me poezi, sikurse Zani i malit, Buzëqeshjet e mesditës dhe Kunora e trollit, dominojnë tonet neoromantike dhe fryma sociale e vjershërimit. Kemi aty thirrje për drejtësi, liri, triumf të së resë kundër paragjykimeve të së kaluarës apo “dregëzave të ndërgjegjes”, sikurse i quan. Te përmbledhjet poetike Drithma dhe Blana, poeti është më intim. Kemi refleksione mbi jetën, vetminë, dashurinë, vdekjen, qëndresën, njeriun. Në përmbledhjet e mëvonshme, sikurse: Shtara, Egjër, Dolli për gjërat e humbura, Ngutem të marr një frymë ose M’i këpusin kokrrat e frymës, mbisundojnë lirikat meditative, më pesimiste, ku nuk ka më ofshama dhe pasthirrma djaloshare.
Sipas studiuesit Ali Aliu, krijimtaria poetike e Murat Isakut pati karakteristika të caktuara përgjatë fazave të ndryshme të krijimtarisë së tij. Në fillim dominojnë tone të një euforie të përgjithshme, që ishin veçanti e letërsisë së kohës, ku preokupim kryesor artistik mbetet ekzistenca apo qëndresa kolektive nëpër histori, si dhe reflekset sociale. Te këto poezi, sipas tij, haset ngjyrimi emocional dhe entuziast, “që ngjizen mbi kujtimin dhe vatrën e fëmijërisë, historikun dramatik të rrethit familjar, të ngushtë dhe të gjerë, real dhe metaforik”. Aty kemi edhe “bredhjet dhe fluturimet intime, që kanë ngjyrimin dhe shijen e së kaluarës dramatike, ngarkesën e një dëshpërimi dhe zymtie, shijen e hidhur të fatit, njësoj siç e kanë brumosur dhe të lindur vetvetiu edhe një besim të thellë, një horizont të hapur dhe shpresëdhënës, drejt së nesërmes”.
Më pas, nga vitet e shtatëdhjeta e këtej, dominojnë poezitë refleksive mbi iluzionet e dikurshme dhe zhgënjimet aktuale, “me besim-mashtrimet, shqetësimet që lidhen me kuptimësinë dhe pakuptimësinë në jetën tonë, me paradokset, misteret dhe brutalitetin e përditshmërisë, shqetësim që lidhet me krizën e vlerave dhe vërshimin e jovlerave, shqetësim nga zhurma e shpifësve dhe denoncuesve, që është gangrena më dramatike e aktualitetit të sotëm shqiptar, të gjitha këto dhe të tjera të ngjashme do të jenë tani shtigjet e pagjumësisë poetike të Murat Isakut…” Në përmbledhjet e fundit të tij, sipas Aliut, dominojnë lirikat meditative, që kanë një qetësi të brendshme dhe “një ekuilibër ndërmjet ndjenjës dhe urtësisë, një mall për motet e kaluara, për plagët e mbetura hapur, teksa shpresa dhe besimi i dikurshëm ka një shije të hidhur, madje, nuk mungon ironia ndaj një vetëbesimi të dikurshëm”.
Tregimet
Murat Isaku është dëshmuar edhe si tregimtar. Ai botoi tri përmbledhje me tregime: Unaza e djerrinës (1971), Gërsheta (1978) dhe Sheshtina (1982). Disa tregime të tij janë shpërblyer me çmime kombëtare dhe janë botuar në gjuhë të huaja. Tregimi “Çalamani” është nderuar me çmimin më të lartë të jurisë, në konkursin e Rilindjes; “Thuthuqi i pavijonit numër katër”, u shpërblye si tregimi më i mirë merastin e 30 vjetorit të revistës letrare “Jeta e re”.
Murat Isaku, sipas studiuesit Hasan Mekuli, ishte i veçantë edhe si tregimtar. Sipas tij, Isaku, në lëmin e tregimit kishte kontribuuar “që gjatë procesit të transformimit dhe emancipimit tonë shoqëror e kulturor të pasurohej praktika e tejkalimit të raporteve dhe trajtave të vjetra të jetës, të viheshin në pah mbeturinat e së kaluarës, por me masë – pa fushatë dhe pa krijuar dogma”.
“Isaku vë në pah shumë tablo të së kaluarës, të evitimit të veseve dhe të prapambetjes, të personazheve karakteristikë, me të cilët, në veçanti, realizohen qëllimi dhe atmosfera, ngase ata, kryesisht, janë bartës tipik të kohës dhe të zakoneve dhe raporteve të së kaluarës, pra domosdoshëm si dikush e diç që do kapërcyer, e pastaj të vihen lirisht në pah dhe të mund të përqafohen më dendur idealet dhe synimet e përgjithshme humaniste”, thotë Mekuli.
Pas një leximi të kujdesshëm të tri përmbledhjeve me tregime do të shohim se krijimtaria e tij tregimtare, në vazhdimësi, shënoi ngritje cilësore për sa i përket mbarështimit kompozicional, frymës psikologjike që sjell dhe rrëfimit klasik, por me tendenca për një rrëfim modern. Hapësira ku vendosen ngjarjet zakonisht është ambienti rural, pa munguar edhe ai urban. Për sa i takon kohës, shkrimtari herë pas here i zhvendos ngjarjet në të kaluarën më të largët, por nuk është e vështirë të tërhiqen paralele me ndodhitë e kohës aktuale.
Përmbledhja e tretë me tregime është më e realizuar se sa dy të parat. Këtë e ka pasur parasysh edhe autori, i cili përfshiu në kompletin e veprave vetëm përmbledhjen me tregime Sheshtina, megjithëse,në këtë përbërje, mund të ishin edhe shumë tregime nga përmbledhjet e para të tij, veçanërisht tregimi “Usta Rrahmetullahu”, ku paraqitet një pamje groteske e një realiteti konkret historik. Aty njeriu dëshiron të çlirohet nga e vjetra, por i mungon sensi kritik ndaj mënyrës së re jetësore.
Romanet
E njëjta gjë ndodh edhe me krijimtarinë prozaike, pra në romanet dhe tregimet e tij. Te romanet e parë të Isakut del në plan të parë besimi për një botë më të mirë, më të drejtë, më të fisme, kurse në romanet e mëvonshme, kur autori arrin një pjekuri artistike, nëpërmjet zhvendosjes së ngjarjeve në një kohë më të largët historike, krijon një botë artistike e cila qëndron në opozitë me botën artistike të krijuar në fazën e parë. Në këto vepra kemi refleksione filozofike mbi jetën, dashurinë, egërsinë njerëzore dhe shtetërore, pendesën apo vdekjen…
Murat Isaku në fillim të viteve të ’60-ta e ndoqi rrugën dhe metodën e shkrimtarëve paraardhës dhe prirej drejt krijimtarisë me frymë sociale dhe porosi humane. Prosedeu i veprave të para prozaike të MuratIsakut, sikurse janë: Dielli e din rrugën e vet, Flaka e vonuar, Gjaku i sharrëxhinjve, është i ngjashëm me atë të veprave, të themi kushtimisht, të fazës së parë të Pasluftës së Dytë Botërore. Me romanet e mëvonshëm Isaku i përsosi teknikat rrëfimtare, strukturën romaneske, kapi dimensione të reja ekzistenciale brenda një mjedisi të caktuar. Kryesisht në krijimtarinë e Murat Isakut tragjikja zë vendin kryesor. “Tragjikja është më e fortë se lumturia, sikurse edhe dhembja më e fortë se gëzimi”.
Tragjikja, si kategori estetike, dominon përgjatë gjithë krijimtarisë së tij, qoftë poetike apo prozaike, veçanërisht në romanet me temë nga burgu, që janë kulmet e krijimtarisë së tij letrare. Më shumti është i theksuar në romanet: Plagët, Rreckajt, Banesa në katin e tretë, Rrengu dhe Fatprerët.
Në krijimtarinë e Murat Isakut bien në sy personazhet memecë, sikurse Xhela Preja, që rrugëton mes heshtjes dhe shpresës së thyer, Eng Humballaqi apo i Dyti i qelisë së burgut, që vuante së bashku me studentin shqiptar, por pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Ata janë të fisëm, të ditur, që vuajnë dhe dënohen padrejtësisht.
Krijimtaria e Murat Isakut, shikuar si tërësi, është shumëdimensionale, shumëplanëshe, e shkruar me mjeshtri dhe kreativitet, me magji rrëfimi, mjeshtri sajimi të subjekteve romaneske, thurje inventive të kompozicionit. Si e tillë është sfiduese për një analizë shumëplanëshe shkencore. Krijimtaria letrare e tij është pasuruar vazhdimisht me ide të reja dhe është zgjeruar në planin tematik. Në romanet e fundit përqendrohet më shumë te problemet ekzistenciale, te tronditjet e brendshme shpirtërore dhe psikologjike të personazheve.