Donika Dabishevci “E gjithkohshmja Andërr”, botoi Shtëpia Botuese “Littera” Prishtinë, 2024
Kemajl ALIU
Libri “E gjithkohshmja Andërr” i Donika Dabishevcit i imponohet fuqishëm lexuesit, në radhë të parë jo vetëm për shkak të trajtimit të temës së luftës, por shumë më tepër, për shkak të qasjes dhe diskursit të saj, ku nëpërmjet një gjuhe të drejtpërdrejtë, të sensiblizuar dhe përplot emocione të thella, arrin ta poetizojë dramën psikologjike të njeriut e cila është e determinuar nga absurdi i luftës.
Libri shquhet për shtrirje dhe koherencën kontinuele të idesë, për vargun uniform dhe të niveluar, të karakterizuar edhe për ritmin spontan narrativ (madje edhe të parimuar), që mundëson shprehjen e mendimit dhe emocionit jashtë formave ngurtësuara poetike, të cilat marrin dimensione zgjerimi dhe përjetimi shtesë, edhe përmes interpunksionit.
Vëllimi poetik “E gjithkohshmja Andërr”, kronologjia narrative e të cilit sistemohet në pesë cikle, fillon me poezinë “Granatimi”, si një prolog, për të vazhduar më pastaj me poezitë vijuese – bërthama të situatave dhe të trajtave të luftës si njësi ciklike, mes të cilave ekziston një korrespondim maksimal jo vetëm tematik, por edhe kompozicional.
E veçanta e këtij libri është diskursi poetik i poetes Dabishevci që për epiqendër të narratives poetike ka luftën, me gjithë tmerrin e saj si dhe vdekjen, që e personifikojnë në njërën anë, ATA të cilët janë gjithkund;“…Bombavënësit, masakruesit, xhelatët. Në rrugë në spitale, emergjencë. N’tokë, qiell, në ajër kudo”. Poezia “Alo 112”, fq. 71, dhe në anën tjetër ka NJERIUN e zakonshëm, të pauniformuar dhe duar bosh në luftë: (nëna, nënëzeza, gruaja, pleqtë, vasha fëmija, nëna me foshnje etj).
Në librin “E gjithkohshmja Andërr” të D. Dabishevcit, shpërfaqet e gjithë psiko-drama e njeriut në luftën ku ai është i pabarrikaduar, është pa istikam, dhe i pa front…është NJERI, sall një njeri duarbosh që përballet me luftën e cila i ndodhë në shtëpi, në oborr të tij, në rrugë, në kolonë… Në kolona të përcjella nga hije vdekjet – me forma njeriu, që vështrojnë me sy të përgjakur dhe të ngrirë sikur nga akulli i vdekjes, duke i depërtuar duart e tyre të zeza në mes zërave të lutjeve të përgjakura të nënave dhe fëmijëve, për t’i rrëmbyer djelmoshat, vashat dhe burrat prej kolonës, e cila personifikon shpresë dhe një mundësi jetese. Por jo, kolona do të shtyhet me tyta të vazhdojë rrugëtimin nëpër golgotën e saj, deri në aksin tjetër, që për njeriun duar bosh është aq afër, si vet vdekja e cila është më afër se këmisha e trupit.
Këta njerëz i janë ekspozuar një gjendjeje terrorizuese permanente dhe gjithëpërfshirëse, ku siç ka vërejtur me të drejtë Gëzim Aliu, “sulmohen nga ajo në çdo qelizë të jetës…”, “E gjithkoshmja Andërr”, fq. 8.
Gjithçka copëtohet prej predhave të granatës, shtëpitë, çerdhet, tempujt fetarë dhe kullat: “Kur kulla shkoklue granatash/ Loton gjak prej frëngjish/ “Rrethuem katëran’sh”, fq. 39, pas rrafshimit të së cilës shpërfaqen… ATA: /i hekurti lloz shembet përtokë. Thyhet shkërmoqet/ Dyert e bodrumit të errët çahen dysh prej shqelmave / ”T’shtana batare” fq. 41. Ata vijnë për një përjetim të vdekjes së tjetrit, sepse granata dhe plumbi nuk ngopin dot epshin, e vrastarit /…Dhëmbët ju xixëllojnë/ Gojët e jargavituna dojnë gjak/ Lypin gjak/ …/ Llava e papërmbajtshme/ kapërdin edhe foshnjat n’djep/ ../ e kur asgja ma s’pipëtin/ kris humori e nis gajasja/ gjuhë t’huej” fq. 42. Vijnë ata sepse e duan vrasjen – duan jetën e njerëzve duarbosh ta marrin ndër duar e tyre, ku deri në fundin e saj do të ndiejnë përpëlitjet e tyre, lutjet, vajin e foshnjave, fundin e fytyrës së trishtë të nënës që as qyqe nuk mund u bë… kanë ardhur sepse vetëm dora e tyre përçon deri në honet më të errëta të shpirtit vrasës të epshit të tyre, lemerinë e nënës dhe buzëqeshjen e ngrirë të foshnjës nga plumbat.
Nuk kalon shumë kohë dhe prapë ia beh vdekja… Kësaj here shfaqet në formën e plumbit, dhe më nuk duket asgjë, vetëm njeriu i zhytur në pellgun e gjakut të tij. Por, kur heshtin granatat midis intervaleve kohore, tani drama do të vazhdojë me aktin tjetër të saj, me atë të simfonisë të zorrëve “Oborri asht ba pus me kositë s’ka ma as hitha e barnishte / Tana jeshillëqet që mund të hahen janë ngranë/ ../ barqet e t’urituna e shumë zorrë/ tuj folë njëherësh / K’nohet zija e ujës…
Simfonia e zorrëve ndërpritet-këputet rrufeshëm nga vdekja që vjen si plumb, si shpërthim granate, predhat e së cilës marrin dy tre, dhjetë… jetë. Asgjë nuk duket më, askush nuk është përveç vdekjes. Vdekja me fytyrë plumbi, vdekja me fytyrë granate… Sytë e çakërdisur nga tmerri kot sforcojnë bebëza shikimi deri në dhimbje për ta fiksuar njeriun e uniformuar, i cili nuk duket askund …. Dhe për të ikur pak nga vend vdekja, nga ai pellg gjaku…njerëzit prapë ecin, lëvizin mbi këmbë që u hepohen majtas dhe djathtas… ecin si mbi këmbë të huaja, pa ditur as vet kah… “Ata ik e deka njek! (Fq,36. Poezia “Tuj ikë dekës”)
Por ajo është kudo, është në ajër, është në tokë, është nën këmbët e tyre…”Ke shkelë n’katrorin e gabuem-/ s’je ma!/S’janë as ata që ishin deri para një sekonde/ rreth teje-/ N’secilin hap bie ndonjë fluturimthi! “Tuj ecë n’mina, (fq. 37).
Përditshmëria e të jetuarit me vdekjen, sikur i mëson ata, që u dërmuan në lëvizje të panumërta, pa cak dhe pa adresë. Është luftë, por lufta më e madhe zhvillohet në kokat e tyre, prandaj krejt esëll njeriu tashmë i zhveshur nga çdo frikë nga të panjohurat e vdekjes, para plumbit ndjehet me fat, sepse është i çliruar nga metamorfozat e fatkobit, Prandaj; / i shndritën sytë/ ../ i vizlluen/ ../ I përzgjedhun u ndje!? /Çfarë vrasje e përzemërt!, poezia,/ “Tuj lutë për dekë prej plumbi” (fq. 87, 88).
Vdekjet fytyrë plumbash dhe granatash nuk ndalen. Në batërdinë e jetëve të shuara, trupa të pakokë, pa këmbë, sy dhe duar dergjen nën pellgje gjaku. Aty tek shpërthejnë britmat, vajet, e atyre që shpëtuan me frymë që patën fatin këtë herë, do të shfaqen ATA – vrasësit që ende mbajnë forma njeriu. Kulmi i dramës jetësore i situatës do të arrijë “N’atë zezëdite…”, ndër poezitë që shpërfaqë majën e absurdit të luftës, kur ndodhë ploja familjare. Baba zhvishet nga burrnia për t’u mveshur me petkun e vdekjes. Nanzeza është dëshmitare e krejt kësaj tragjedie: /duke i ndie grahamat e fundit të djalit /”…tek po e furnin me brekë të gjakosuna/ t’motrës s’dhunueme…/ (fq.43). Nuk kaloi dot tek ATA as lutja e babës, e nxjerrë nga thellësia e shpirtit, lutja veç për një vdekje…për vdekjen e tij.
Këto situata identike me holokaustin, nuk marrin fund dot…nuk mund të harrohen kurrë. Prandaj nobelisti Eli Vizeli (Elie Wiezel), në librin “Nata” duke përshkruar holokaustin në mesin e të tjerave thotë; :”Nuk do t’i harroj kurrë të gjitha këto edhe sikur të jem i dënuar të jetoj aq gjatë sa vet Zoti, kurrë”!
I preokupuar me frikën nga mohimi, harresa e këtyre ngjarjeve dhe situatave tragjike të luftës analogjikisht ka menduar dhe është shprehur edhe poeti i ynë Ali Podrimja, i cili në poezinë; “POEZIA QË NUK DO TA KRYEJ KURRË” thotë: /Dhe do të vijë dita kur do të thonë hordhitë serbe kur kanë kaluar/ Dhe asgjë nuk do të besohet/ Prandaj këtë poezi nuk do ta kryej kurrë/ është i tmerrshëm fundi i saj”, “ Vepra V”, (fq. 86).
Marrë në përgjithësi libri “E gjithkohshmja Andërr” si i tillë ngërthen në vete një dimension narracioni për luftën, gjegjësisht kryekëput për absurdin e saj i cili determinon edhe psiko-dramën e njeriut tonë… Lexuesi që në fillim sikur shket në një thellësi për të vazhduar thellësive të pambaruara të mëtejme, ku do të ndeshet me momentet më dramatike të jetës njerëzore, e cila ngrihet mbi shkallë absurditeti.
Në këto rrathë të ferrit ku dramaciteti dhe tragjedicitetit janë të paralelizuara, ndërsa në anën tjetër vet jeta artikulohet nga thellësitë e të qenmes njerëzore, ku vullneti i të jetuarit kapet dhe mbahet edhe për instinkte… ani pse “Simfonia …” (fq, 22)/ me zorrë që flasin, gërgasin, bërtasin/ dhe /kursi i gjithçkaje rritet përditë-/ krahas vorreve/ “Matrapaztë”, (fq. 26)…sepse fund e krye ai udhëhiqet nga e gjithkohshmja andërr!
Mbi luftën deri më tani janë shkruar mjaft libra, por që në pjesën më të madhe të tyre karakterizohen me narracion dhe koncepte të klishetizuara, sofistikim të ideshmërisë së paracaktuar dhe epilog identik.
Në këtë aspekt duhet të theksojmë se poetja Dabishevci, me librin “E gjithkohshmja Andërr”, duke trajtuar tematikën e luftës, manifeston një qasje dhe perceptim mjaft novator, që apriori ka për synim poetizimit e dramacitetit psikologjik të njeriut nëpër shkallët e absurditetit të luftës, prandaj si e tillë kjo poezi dëshmon edhe një dokument artistik të mirëfillte të kohës sonë, që shquhet gjithsesi edhe për kah vlerat ideo estetike.