Pjer Asulin para disa vjetësh shkruante te Le Monde: Zonja Bovari e vërtetë ekziston dhe … janë të shumta. Janë të gjitha ato lexuese që turbullohen, madje tronditen nga ky roman
Dashnor KOKONOZI
Thuhet se për librin e tij, Madame Bovary, G. Flober shkroi 4456 faqe, nga të cilat në vepër mbetën 470. Dhe kur flasim për personazhin e tij të famshëm si një refleks i kushtëzuar vjen shprehja: “Madame Bovary, jam unë”. Dhe kjo kudo. Në çdo vend të botës. Edhe në Francë. Pyetni francezin e parë që do të ndeshni në rrugë dhe ai do të hiqet sikur ju rrëfen një sekret të familjes se shprehja është tamam e Floberit.
E megjithatë, ai jo vetëm që nuk e ka shkruar, por ka të ngjarë që as e ka thënë një gjë të tillë. Është René Descharmes biografi i tij i parë, që e përmend një gjë të tillë, plot njëqind vjet më parë. Ai jep një burim të informacionit të tij. Flet për një grua që njihte, e cila nga ana e saj e kishte dëgjuar nga goja e Amelie Bosquet, një grua tjetër që kishte korrespondencë me Floberin, e cila nga ana e saj thotë se e kishte pyetur disa herë stilistin e madh se cila ishte personazhi i tij. Dhe ai i qe përgjigjur: “Zonja Bovari… jam unë ! … Sipas meje!”
Më 1935 historiani i letërsisë, Albert Thibaudet e rimerr këtë shprehje dhe e paraqit si të “sigurt”.
Një vit më vonë një studiues tjetër, J. Nathan shprehet se e ka gjetur këtë shprehje te korrespondenca e Floberit, por pa dhënë asnjë referencë. E çfarë të jepte, nuk kishte asgjë për tê dhënë.
Diku në mesin e viteve ‘80 André Maurois e paraqit thënien e përfolur si të vërtetë dhe në sajë të autoritetit akademik që gëzonte, askush nuk e vuri në dyshim.
Natyrisht, sot ka shumë që e dinë se nuk ka asnjë të dhënë të besueshme që shprehja t’i atribuohet Gustav Floberit, e megjithatë ajo vazhdon të përcillet nga antologjia në antologji.
Pierre-Marc de Biasi, mbase specialisti më i mirë i tij, njohës gjenetik i Floberit, siç e quajnë disa, përpiqet t’i gjejë një bazë logjike kësaj thënieje që bën jetë mondane planetare, kur thotë se: …Erotizmi i Zonjës Bovari që vjen duke u dobësuar (ai është i vetmi që ka kaluar me llupë çdo rresht të dalë nga dora e Floberit), duket i frymëzuar nga përvojat dashurore (të vërteta a të fantazmuara, është e vështirë t’i dallosh, shënim i PMB), të njeriut Gustav Flober…
Kaq mund t’i afrohesh këtij problemi, jo më shumë.
Së fundi më pëlqen të sjell këtu një shprehje të kritikut Pjer Asulin, që shkruante te Le Monde, para disa vjetësh: Zonja Bovari e vërtetë ekziston dhe … janë të shumta. Janë të gjitha ato lexuese që turbullohen, madje tronditen nga ky roman.
Pak cinik me gratë, por një mënyrë për të shprehur universialitetin e personazhit dhe dëshirën e atyre grave për t’u identifikuar me të.