ARBËRESHI I DHIMBJES LIRIKE

Në poezinë që ia kushton Podrimjes, autori ia del të krijojë shëmbëlltyrën e lindjes së Kosovës duke luajtur njëkohësisht si me krijuesin ashtu edhe pushtuesin

Rei HODO

Bazuar në atë çka thotë Pipa (Skicë e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun)“gjeniu dhe shoqëria kushtëzohen reciprokisht dhe plotësojnë njeri-tjetrin: gjeniu është ndërgjegjia e caktuar e shoqërisë në një moment historik, ai nuk mundet të bëjë vepra të mrekullishme, përpos kur shpreh nevojat e thella të masës në lëvizje.” Nga kjo lëmshnajë mrekullore fonemash mund të nxjerrësh padiskutim përfundime që do të ishin krejt me vlera për t’i dhënë përgjigje çështjeve konkrete që lidhen me letërsinë e poezinë mbi gjithçka. Është tashmë praktikë e njohur që midis të njëjtit lloj, pra midis shqiptarësh të kemi dëshirën për të mos qenë fort të predispozuar për mirë ndaj tjetrit. Përpos këtij mentaliteti krejt infantil, të shkuar kohe dhe mediokër, në duar gjeta një vëllim krejt të veçantë me poezi që prejardhjen e kishin nga ajo Shqipëri e largët, e cila duket se në betejë me kohën, me ligjin e pashkruar të zhvillimit dhe të nevojës për ta drejtuar vëmendjen drejt problemeve më të ngutshme, krijon hapësirat e nevojshme edhe për artin e poezisë. Zgjedh ta bëjë këtë ndoshta për të dëshmuar qenësinë, për të provuar dhe promovuar vlerën apo edhe për të kërkuar një vëmendje të munguar, krejt e denjë për ta pasur. Tani është hera e të huajit e ndesh menjëherë në të pasmen e ballinës së vëllimit “Pasqyra dhe hija” të arbëreshit Mario Bellizzi. E jam i bindur se kjo është mjaftueshëm e shenjtë sa, në mënyrën e saj, të detyron të bëhesh pjesë e atij grumbulli poezish.

Janë mësuar, e them me bindje se kanë qasje të gabuar, ta shohin poezinë si udhën e duhur drejt lirizmit dashuror, epshor, erotik apo diç tjetër duke harruar kësisoj një mision krejt të një dimensioni tjetër që e mbart në embrionin e saj pikërisht poezia. Sipas Poradecit (Lasgushi më ka thënë), “krijimi i një poezie është metafizikë e tërë e pashpjegueshme” e rrjedhimisht ajo rreket të trajtojë në të optikën filozofike të materies, ngjarjes, apo konceptit. Në këtë rreth vicioz edhe autori zgjedh të argëtojë fjalët e tij, rreshtuar në vargje, duke i mbështjellë ato me nuanca kuptimore filozofike e që sjellin, sipas tij vetë, tokën e huaj të mërgimit, shtegtimin, shpërnguljen por sigurisht edhe dashurinë. Sikurse edhe në fillim, edhe vetë autori duket se i dorëzohet misionit të poetit duke parashtruar se “poetët me gjasë në një luftë të pabarabartë, nga ajo atmosferë shqetësuese mundohen të gjejnë mbetje lirike për të thurur përsëri të pranishmendhe të ardhmen”.

Dashuria

Duke e bashkëshoqëruar me gjithësinë, të përjetshmen e asaj që e mund pikërisht këtë të fundit, autori na e sjell dashurinë të konturuar në figurën e trëndafilit. E duke mos u mjaftuar me kaq, ai arrin ta shpërndajë pikërisht atë në disa destinacione, së pari duke e ngarkuar me barrën e rëndë të misionarit e së dyti duke u përpjekur ta vendosë atë në botëkuptime të larmishme. Si p.sh. “i pari trëndafil i është kushtuar myezinit / të mjerë, që në agim na pëshpëritë në veshë / nga maja e gjithësisë”; “të dytin trëndafil / e mbajta për sytë e mi të trishtuar”; “Trëndafili i tretë ishte një uratë për ty” (fq. 83, Pasqyra dhe hija).

Ballkan

Nëse do të duhej të konfigurohej në hartë e gjithë krijimtaria e poetit, padyshim që gjurmë e madhe do të shtrihej mbi Ballkan, mbi atë që do dëshiroja të quaja plagën shpirtërore të poezisë së tij. Një Ballkan i gjymtuar që sillet, sikurse shprehet vetë Bellizzi “rreth Çmendurisë së kufijve të shteteve” (fq. 77, Pasqyra dhe hija). Në art, padiskutim edhe në poezi, njeriu dhe ngjarja duhet të pasqyrohetrreptësisht njeri dhe ngjarje, aspak diçka tjetër. E duke ndjekur këtë parim krejt themelor, kujdeset të përshkruajë Ballkanin si vijon: “Në këtë esplanadë koreografike me shtatore e shatërvanë / u vu në skenë përfaqësimi i historisë dhe konflikteve / me restorantin “Anija e çmendurisë” / që hodhi spirancën përgjatë lumit Vardar / në pritje të përhershme si ambulanca e Historisë” (fq. 104, Pasqyra dhe hija). Përpos misionit poetik, duke kompozuar dëshmitë historike e politike, autori ia del të formësojë një tablò të plotë të asaj që Londo do të quante “E zeza tragjike e Ballkanit”.

Dhimbja

E konturuar bukur në portretin e Kosovës, poeti përshkruan tej vargjesh atë histori që ndoshta një morì brezash do ta kenë disi të turbullt. Në krijimin me titull “Dita e Ballkanit”, pikërisht në poezinë që ia kushton Podrimjes, autori ia del të krijojë shëmbëlltyrën e lindjes së Kosovës duke luajtur njëkohësisht si me krijuesin ashtu edhe pushtuesin. “S’qe ende i kënaqur / u mendua mirë të endë një petk / me një mijë ngjyra / aty këtu, sumbulla ari e argjendi. / … Po më të bukurat, më të shkëlqyerat / i vuri në gjoksin e Prekazit” (fq. 70, Pasqyra dhe hija). Nga sa më sipër, por edhe duke e lexuar me vëmendje gjithë krijimin, zbatohet saktë parimi i kontemporaniteti dhe universalitetit. Sërish duke i besuar fjalëve të Poradecit, “poezia duhet të ketë universalitet nëpërmjet konteporanitetit, se kur vdes kontemporanteti ngordh edhe vlera e asaj poezie.”

Arbëria

Padiskutim palca e krijimtarisë i takon shtratit shpirtëror të poetit, Arbërisë. Por edhe këtu, ai përpiqet të arrijë diçka më tepër, të shohë përtej asaj që i ofrohet gjithsecilit prej nesh. Poezia nënkupton një palcë të tërë përqendrimi e bazuar këtu, në pak fjalë, autori ngre dilemën ndoshta më të qëndrueshme të krijimtarisë e të jetës “Të bukurën More / kërkojmë ende unë dhe Zefi” (fq. 168, Pasqyra dhe hija). Ndoshta priremi të besojmë se ka të drejtë të mallkojë vuajtjen pikërisht ai që shtypet nga ajo. Në gjithë poezinë që i kushtohet pikërisht Moresë, arrin të kuptosh se shpirti është më shumë se jeta e jeta është më shumë se materia.

Në çka mund të lejojë kjo sasi rreshtash, le të shihet si një përpjekje fillestare për të qëmtuar, për të arritur deri në gjenezë poezinë e Bellizzit. Një krijimtari e ngarkuar emocionalisht, me karakter lirik për atdheun, për të kaluarën, për heroin e që në mjaft raste të kujton Holderlingun. Ndër të tjera, poezia mbetet hyjnore. Duke qenë veçse realiste, poezia s’mund të bëjë pa shpirtin e njeriut, pa njeriun vetë. Kësisoj, autori ka derdhur mbi varg shpirtin, njeriun e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.