BETEJA ME KOHËN KRONOLOGJIKE

Krijuesit i duhet komoditeti si buka. Sigurisht ky komoditet nuk nënkupton ndonjë farë luksi banal, por një hapësirë lirie për ta tejbartur veten në hemisferat e bukurisë së artit

Bardhyl ZAIMI


Një krijues gjithnjë është në një lloj procesi, në një lloj shqetësimi të përhershëm për të kapur partiturat e vlimit të shpirtit të tij. Është një betejë e përhershme pavarësisht se në çfarë rrethanash ndodhet. Realiteti dhe krijimi gjithnjë ndodhen në një betejë të përjetshme që shpeshherë prodhon krisje ontologjike, krisje në kuptimin e dyzimit, sepse edhe krijuesi si gjithë njerëzit e tjerë me njërën këmbë është në realitetin e përditshëm, ndërsa me tjetrën në ato hemisfera që thjesht janë gjendje e pastër e kulluar krijimi, që i tejkalon çdo trysni të realitetit. E thotë Eliot “ koka ime nuk duron kaq shumë realitetit”. Një shpirt krijues gjithnjë është një shpirt i lirë, një shpirt që synon hapësira tjera, hapësira tjera lirie, që nuk i duron ngushtitë e realitetit.
Për momentin jam në përfundim e sipër të librit të ri me tregime “ Avlëmendi i pritjes”. Jam pranë finalizimit, por fjala “pranë” në procesin e formësimit të një libri gjithnjë mund të duket tepër e largët, pambarimisht e pasigurt në gjithë ato trandje ontologjike që mund t’i kesh përderisa përpiqesh të rrokësh esencat e vetes tënde, në fakt gjithë atë galeri pamjesh dhe personazhesh të pafundëm që vijnë me praninë e vetë të të thonë se “dëshirojmë të shfaqemi”, mjaft qëndruam në botën abstrakte të asgjësë. Në fakt, e thotë edhe Malarme se “bota ekziston për t’u shfaqur në një libër”, por ky proces i “shfaqjes” nganjëherë mbetet kaq i komplikuar dhe me kaq dilema shpeshherë asgjësuese për krijuesin. Tregimi mbetet zhanër i vështirë, por në esencë tepër joshës për t’u përhumbur në ato përftesa tjetërsie që vijnë si fragmente, që vijnë si frekuenca botësh dhe jetësh të pavërejtshme, që në një farë mënyre është transkriptim i thellë i shpirtit tënd, i shpirtit njerëzor në pentagramin e pazakonshmes. Dhe gjithë kjo është një shtjellë e përshpirtshme që e kërkon lirinë krijuese, që e kërkon me çdo kusht bartjen e qenies tënde në momente ontologjike që zakonisht përshkruhet si frymëzim.
Pa diskutim, mendoj se krijuesit i duhet komoditeti si buka. Sigurisht ky komoditet nuk nënkupton ndonjë farë luksi banal, por një hapësirë lirie për ta tejbartur veten në hemisferat e bukurisë së artit ku zakonisht mund të pengojë nganjëherë çdo gërvishtje e realitetit, sidomos bruto gjendjet që nuk përfaqësojnë asgjë. Jo detyrimisht duhet të kemi komoditet në kuptim klasik të fjalës. Më tepër këtë duhet kuptuar si ngeshmëri, apo një lloj ngadalësimi, ashtu siç e definon Kundera formësimin letrar. Urgjencat, kufijtë e mbijetesës në kuptimin social, e vrasin artin. Krijuesit i duhet ajo ngadalësi për të cilën flet Kundera për të rrokur plotninë e shfaqjeve njerëzore, për të proceduar me një lloj poetike të brendshme që shkon përtej skemave të realitetit, përtej algoritmeve të gjithëpranueshme që ravijëzojnë njëtrajtshmëri, ekzistencë uniforme njerëzore. Një krijues i çon përtej kufijtë e lojërave të lirisë, duke fluturuar lart si Albatrosi i Bodlerit në qiellin e kaltër të ekzistencës së tij, ose duke zbritur poshtë në rrënojat lirike, në kalbëzimet, në harresën, në pluhurin e asaj që ishte dhe që pavërejtshëm iku, ndërkohë që duhet të rikrijohet në gjithë bukurinë e vetë, gjithnjë me grimcat më të fundit melankolisë që sillen së andejmi. Jo rastësisht Bodleri thoshte se “ I vetmi ton legjitim i poezisë është melankolia”.
Filozofi, Nikolaj Berdajev thotë se krijimi ndodh në kohën ekzistenciale. Një krijues gjithnjë është në betejë me kohën kronologjike, sepse kjo kohë tërësisht kërkon ta skematizojë, ta shndërrojë në karikaturë të realiteti. Është liria krijuese ajo që e katapulton në hemisfera tjera, në dimensione tjera ku gjallojnë ndjeshmëri, personazhe, me një fjalë botë që ngulmojnë të shfaqen. Dhe përpjekja për ta sjellë “ një botë në një libër” gjithnjë është një oksimoron fatal, një ekzaltim, delir frymëzimesh dhe një torturë pakënaqësie dhe pasigurie vrastare. Secili krijues nga pak është Kafkë, që heziton dhe që dëshiron ta zhbëjë atë që ka krijuar.
Personalisht kam jetuar dhe vazhdoj të jetoj nën hijen vrastare të urgjencave. Mbase kjo ma ka pamundësuar t’i shkuli nga vetja ime ngeshëm fragmentet e botëve që “kërkojnë të shfaqen”. Sikurse Cioaran, gjithnjë kam besuar në fragmente. Për më tepër, duke u vënë përballë lirisë krijuese, dëshiroj ta përsëris atë që kam thënë në një intervistë për “Brezi 9”: “Jam një krijues që gjallnoj nën rrënojat e gazetarisë”, ndërkohë që po përpiqem t’i jap kuptim ekzistencës sime duke shkruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.