DEKONVENCIONALIZMI I RRËFIMIT

(Bajram Sefaj, “Prozë urbane”, tregime, botoi Sh.B. “Faik Konica”, Prishtinë)

Ramadan MUSLIU

Bajram Sefaj si prozator që nga fillimet e tij është përpjekur të ndjekë një model narrativ, i cili synon të dalë jashtë konvencave të zhanrit. Edhe proza më e re e tij e përfshirë në vëllimin “Prozë urbane” është brenda këtij koncepti, të cilin vetë autori, në pjesën hyrëse të librit, “Prolog”, e cilëson si “Një lloj (gjini) shkrimi aq e afërt me gazetarinë. Një ngjizje, shkrirje, një udhëtim i të dyjave bashkë, mbi të njëjtin binar”. Duke ndërtuar një lloj specifik të rrëfimit autori veçohet nga rrjedhat e njohura të prozës shqipe: ai ndërton një lloj të veçantë të identitetit krijues, specifik edhe pikërisht në procedim, por edhe në përmbajtjet narrative. Ai dublim i prozës artistike me reportazhin, ngase libri “Proza moderne” është vëllim me tregime, përforcon bindjen se autori luan qëllimisht me zhanrin sepse synon të komunikoi me lexuesin, do që mesazhin e vet ta artikulojë me një gjuhë të komunikueshme dhe të perceptueshme nga të gjitha kategoritë e lexuesit duke sjell një perceptim konkret dhe artikulim transparent në dukje të parë. Tregimet e tij, prandaj, nuk mund të futen brenda një stereotipi narrativ. Këtë e dëshmon edhe përmes klasifikimit të tregimeve të librit në tre kapituj si tri modele tematiko-procedurale (“Tregime”, “Burrëri” dhe “Anekdotike”). Prej këtyre cikleve tregimtare, t’i quajmë kështu, autori specifikon modelet narrative, tregimin që synon nga klasikja, në kapitullin “Tregime” dhe fiksimin e narratives tek anekdotikja, si zhanër specifik që qëndron afër tregimit, por ka dallime thelbësore prej tij. Tregimet e kapitullit “Burrëria” përqendrohet në tematikën e veçantë, të cilën e vë në optikën e detabuzimit.

Në anën tjetër, gjatë komunikimit me tregimet e Bajram Sefajt, ai synimi që të ndërtojë një model narrativ ku klasikja e narratives të bashkëdyzohet me një gjuhë dhe perceptim repertoresk, gjithnjë e më shumë nxjerr në pah morfologjinë e rrëfimit. Tregimi i Sefajt është në thelb miks edhe si përmbajte, sepse syzheu tregimtar ndërtohet nga një përvojë vetjake, që është shpesh vjen nga një kujtim, një ngjarje reale e jetës, një insert nga një ngjarje e dikurshme e evoluar në një kohë tjetër, në të tashmen narrative, një anekdotë e rrëfyer, por edhe si një reminishencë që vjen nga një përvojë e njohur që më parë dhe e vënë në qarkullim, madje edhe në formën e një batute. Në përpunimin e këtyre përvojave autori mbështetet në detajizime aq sa edhe në trivializim të temës. Kështu libri fillon me tregimin “Miza ” që nuk është gjë tjetër pos një refleksion për një insekt, lirinë e tij, dallimet dhe specifikat në raport me njeriun. Ky refleksion projektohet jo si një ide e zhveshur, por i ilustruar me elementet e ambientit, ku detajet e eksterierit i japin një lëngshmëri rrëfimit. Edhe tregimet e tjera të afërta me këtë rrëfim vijnë si evokim përvojash, prekje e elementeve pikante të një ngjarjeje apo të nje vendi, duke e kontekstualizuar përmes personazheve përkatës. Në tregimin “Visoret” autori herë rrëfen për realen e herë kalon në legjendë, duke gërshetuar kështu imagjinarën me faktiken sepse diçka reale, siç është burimi i Drinit të Bardhë objekt i rrëfimit në tregim.

Pra, proza e Bajram Sefajt do që edhe ligjësinë e zhanrit ta kërkojë në procedime përkatëse, në teknikën me të cilën arrin ta transformojë një situate reale në një gjendje tjetër, sikurse që ndodhi me transformimin e legjendës, në tregimin e apostrofuar, në faktografi reale. Po të njëjtin procedim ndeshim edhe në shumë tregime të tjera, gjë që na bën të qartë natyrën e procedimit, përkatësisht teknikën që autori përdor për kalimin nga gjendja reale, nga faktografia konkrete, përkatësisht nga reportazhi si zhanër, që merret me këtë realitet apo edhe kujtimi, ditari dhe format tjera zhanrore që trajtojnë përvojat e realitetit, në trajtën e fiksionit, në imagjinaren, përkatësisht këto i kthen në tregim.

Bajram Sefaj në këtë transformim të narracionit, i cili del i dubluar, ka një arsenal të gjerë mjetesh apo mekanizmash, siç do të thonin narratologët. Në shumë tregime ky mekanizëm është ëndrra apo edhe një moment vegimi, një shpërqendrim i vëmendjes e cila e bën thyerjen e këtij kufiri. Ëndrra si mekanizëm i këtij konvertimi gjen shembull ilustrativ në tregimin e gjatë me të njëjtin titull, “Ëndrrat”, ku ndryshon vetëm ambienti, i cili është i hapësirave të ndryshme dhe multikolorite. Në këtë rrëfim edhe aspekti emocional i personazhit, të shumtën e herave është i identifikueshëm më vetë autorin, por jo deri në fund ngase do të humbte komponentja imagjinative, sepse hapësira tjetër dhe ambienti tjetër ka një realitet tjetër, i cili duhet të përthyhet në mendjen dhe emocionet e personazhit narrator. Në tregimin “Luiza”. i cili situatë iniciale e ka një gjendje reale, leximin e romanit “Një natë tek Luiza” të Arbër Ahmetajt dhe që gjithnjë duke ruajtur konturimin e zhanrit të reportazhit, përnjëherë bëhet një kthesë dhe kalohet në imagjinativen. Autori këtu fut në veprim gjendjen e përgjumjes, e cila i jep vegimet kontrastike, imazhin e Luizës në një moment dhe imazhin e një personazhi me dukje violente. Në rrëfim autori vegimin, ëndrrën, por edhe mjetet e tjera, qofshin të proveniencës artistike, si legjenda, ndonjë vepër letrare, por edhe ndonjë personalitet nga jeta e përditshme etj, të gjitha këto janë vetëm agjense që kanë funksione narratologjike. Pjesa e dytë e librit, “Burrërore” sikur krijon një kontrast më tregimet e parë të librit, ngase aty mbizotëron tema rurale. Cila është komponenta urbane që mundëson klasifikimin e këtyre, do t’i quaja, kallëzime, të kenë këtë status? Pozicioni i narratorit është garancia e statusit urban. Tregimet rurale, përjetimet dhe kujtimet nga fëmijëria në motivin e zoofilisë, rrëfehen nga një kontekst urban e ai kontekst është i plotësuar me akceptimin detabuizues. Te gjitha tregimet e kësaj pjese janë me motivin e zoofilisë dhe aty renditen përvojat e personazheve të ndryshme që janë vjelë nga jeta. Rrëfimi detabuizues është cilësia kryesore e këtyre tregimeve.

Ndërkaq në pjesën e tretë të librit “Anekdotike” janë përfshirë tregimet që vijnë si mbindërtime mbi anekdotat, mbi përvojat reale të cilat në vetvete përmbajnë ose një urti ose një gjendje komike. Edhe këtu anekdota është vetëm katalizator narrativ, iniciues dhe nxitës i rrëfimit. Edhe këtu bëhet një kalim nga përvoja reale në imagjinare apo, në disa raste, behën edhe analogji të gjendjeve në kohë të ndryshme. Aspekti urban i këtyre prozave mbështetet, jo ne detabuizimin e një qëndrimi tradicional ndaj një dukurie, çfarë dominon në pjesën ë dytë të librit, por në kontrastin e kohëve dhe përvojave të gjeneratave, në manipulim të opinionit apo edhe në tipe të tjera të intrigave. Bajram Sefaj edhe në këto tregime arrin ta transformojë anekdotën vetëm në agjens rrëfimi apo në katalizator të rrëfimit të një teme analoge apo edhe kontrastike. Edhe pse në shumicën e rasteve autori synon ta japë imagjinaren, kapërcimin e kufirit hapësinor të reales, megjithatë ai shpesh e më shpesh arrin të ruaj edhe disa tipare të anekdotës, humorin dhe gjendjen komike. Ilustrativ për këtë model narrativ janë tregimet “Njëherë”, Çuni” apo edhe “Gazmorja”. Bile tregimi “Gazmorja” është më tipik për të ilustruar një aspekt procedural të autorit. Në këtë tregim, i cili merr si situatë iniciale për rrëfim batutën mbi dykuptimësinë e emrit Sida, si sëmundje dhe si emër femre, për të kaluar pastaj në një rrëfim mbi një martesë gejësh, gjë që ka qenë dhe ka mbetur tabu te shumë popuj. E papritura dhe befasia është elementi më i shquar në rrëfim sepse bën konvertimin e një situate fillimisht komike, në atë tragjike.

Bajram Sefaj edhe në këtë pjesë të librit arrin ta zgjerojë lepezën narrative, duke kaluar kufirin e dy realiteteve, vetëm se këtu duke derivuar temën nga anekdota. Pra, Bajram Sefaj me temat urbane, me profilet e personazheve, ndonëse këtu personazhi kryesor është narratori, kurse autori mundohet të fusë në gracke lexuesin duke ia ofruar mundësinë identifikimit me vetë narratorin, por edhe me teknikat e rrëfimit, sidomos më gjuhën repertoreske, të komunikueshme deri në fund, por jo edhe njëdimensionale, arrin të imponojë modelin e vet narrativ, pa marrë parasysh se sa do të pranohet ai si i tillë nga klasifikuesit e dukurive estetike, shpesh dogmat dhe tradicionalistë të papërmirësueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.