DETI DHE RRËFENJA

Kontributet dhe arritjet letrare të autorit Bardhyl Xhama shpërfaqen veçanërisht në dy rrafshe: në zhanrin fantastike-shkencor dhe në zhanrin e rrëfenjës

Xhahid BUSHATI

Bardhyl Xhama (1933-2022) ka botuar veprat: “Përrallat e detit”, përralla, 1975; “Zhytësit e vegjël të thellësive”, novelë, 1977; “Ekspedita e kaltër”, roman fantastike-shkencor, 1980; “Zjarrëfiksi i pyllit”, përralla, 1987; “Tërfili me katër fletë”, novelë e përralla, 1989; ribotim, 1999; “Pse qau delfini?”, 50 rrëfenja, 1996; “Në kthetrat e piratit”, roman, 1997; “Lejleku me akullore”, 20 përralla, 1998; “Djaloshi që kapte rrufetë”, 60 rrëfenja, 2000; “Djali me tre brirë, përralla, 2002; “Tre vëllezërit”, novelë, 2003; “Arratisje nga kafazi”, përralla e rrëfenja, 2007; “Pëllumbi me fjongo të kuqe”, 60 rrëfenja për fëmijë e prindër, 2007, Shtëpia pa libra si trupi pa shpirt, 32 rrëfenja, 2012, etj.

Përmendja e veprave të mësipërme flet për një kontribut të vlefshëm dhe që ka lënë shenjë në fushën e letërsisë për fëmijë. Shkrimtari Dritëro Agolli bën një cilësim të tillë: “… Bardhyli ka dhënë një kontribut të shquar në lëmin e letërsisë për fëmijë, që nga libri i parë “Përrallat e detit” e deri te “Djali me tre brirë” i vitit 2002. Me këto ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndezjen e fantazisë së fëmijëve për animizmin e sendeve, që t’i bëjnë sendet e kafshët të flasin si njerëz, të nxjerrë në dukje aksionin, që u pëlqen tepër fëmijëve. “Përrallat e detit” kanë lindur… edhe nga eksperienca e tij, sepse ka qenë zhytës i shkëlqyer e notar shumë i mirë dhe jo vetëm se ka lindur e është rritur në bregdet, por është vetë person i tillë. Se ka njerëz që lindin në bregdet, por mbyten në një legen me ujë.”  Gjithashtu na duket me interes edhe ky mendim i shprehur për librin “Përrallat e detit”, ku thuhet: “Teksa ribotohej vëllimi me përralla “Përrallat e detit”… nga Shtëpia Botuese Extra, pas gati tridhjetë vjetësh, lexuesit e moshës që kishin shijuar stilin e shkrimtarit patën mundësinë të transmetojnë atë stil dhe ato vlera edhe tek brezi tjetër. Fundja një letërsi e shëndoshë këtë kërkon, interesimin dhe ribotimin. Dhe “Përrallat e detit” kështu morë udhë-jetën e re të shkrimtarit që takonte lexuesit e tij në kohë, hapësirë e dimension tjetër lëvizjesh.”

Duke iu rikthyer biografisë artistike të shkrimtarit Bardhyl Xhama, mendojmë që kontributet dhe arritjet e tij letrare shpërfaqen veçanërisht në dy rrafshe: në zhanrin fantastike-shkencor e në zhanrin e rrëfenjës. Le t’i themi dhe ça fjalë për zhanrin e parë, më shumë në aspektin e këtij zhanri duke parë prirjet e lëvrimit të krijuesve drejt kësaj letërsie. Me të drejtë studiuesi Astrit Bishqemi, duke marrë si bazë përmbajtjen e krijimit artistik-shkencor, qëllimet e tij, shkallën e fantazisë, etj., bën dy ndarje të këtij zhanri: a) degëzimi njohës-shkencor dhe b) degëzimi fantastike-shkencor. Duke qenë njohës i krijimtarisë së Bardhyl Xhamës, vërej se, dukuria e tij më e shumtë është drejt degëzimit të parë. E dyta zë më pak hapësirë. Assesi nuk është mangësi; kjo është e lidhur me parapëlqimet vetjake të shkrimtarit, me komunikimin artistike-shkencor të tij me lexuesit e vegjël.

Në vitet ’80, shkrimtari Bardhyl Xhama boton veprën “Ekspedita e kaltër”. Një roman fantastiko-shkencor. Nuk ishte rastësi dhe as e papritur. “Shenjat” e para autori i kishte dhënë që me novelën “Zhytësit e vegjël të thellësive”. Romani “Ekspedita e kaltër” (lëvron për herë të parë këtë gjini) plotëson më tej portretin shkrimtarit dhe është një mbarësi për të në sprovën e tij në këtë gjini të rëndësishme. Duke qenë një zhanër të ri në fushën e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, dhe për vetë letërsinë ishte një zhvillim i ri, romani “Ekspedita e kaltër” theu disa tabu e klishe që mbartte politizimi i asaj kohe në lidhje me problematikat që trajtonte. Autori i shmangu me mjeshtëri. Vepra fitoi vlera se autori e njihte mirë detin dhe botën nënujore. Ajo, (“Ekspedita e kaltër” – nënvizimi im Xh. B.) kërkesat e artit i shkriu natyrshëm me informacionin shkencor. Subjekti është interesant e tërheqës, ku veprojnë një numër personazhesh të realizuar artistikisht dhe bartës konfliktesh të shumëllojshme. Aso kohe vepra solli kërshëri e interes tek lexuesit e vegjël. Romani përmendet jo vetëm si arritje e autorit, por edhe si arritje e vetë zhanrit në letërsinë shqipe për fëmijë. Duke mos harruar se, është koha, kur ky zhanër ka një rrugë e përvojë modeste, endet përmes një kohe të politizuar e disa veprave tejet të politizuara e skematike, siç e përmenda më lart. Me këtë vepër dhe me guximin e tij krijues, shkrimtari Bardhyl Xhama çel një udhë të re shikimi në zbulimin e mistereve të detit, sjellë informacion të ri e të panjohur shkencor (të botës nënujore); njëkohësisht plotëson dhe zgjeron më tej larminë në individualitetet krijuese që merren me këtë zhanër, por duke ruajtur gjithnjë veçantitë e profilit të tij.

Rikujtojmë se, në këtë zhanër, kontributi i shkrimtarëve Flamur Topi, Alqi Kristo, Astrit Bishqemi, Ali Eltari, Niko Deda, Thanas Qerama, Bedri Dedja, Konstandin Leka, Ario nHysenbegasi Thani Naqo etj, është i rëndësishëm. I jep jetë, zhvillim dhe arritje. Lë shenjë dhe vlera të vërteta. Përvoja dhe ndihmesa e tyre (e bashkëngjitur me fantastiken dhe artistiken) është e dukshme dhe përcaktuese në  njohje të mëtejshme në disa fusha të ndryshme të shkencës, ku ata, krahas problematikave e tematikave të trajtuara paraqesin edhe profilet e tyre si krijues.

“Ekspedita e kaltër” vjen me një tematike të veçantë, jo e përsëritur nga autorë të tjerë. Ngjarjet vendosen dhe zhvillohen në një të ardhme. Ka një përcaktueshmëri viti dhe kohe. Është fjala për një marrëdhënie të kësaj date me autorin, edhe pse me largësi kohe, autori sikur vë veten në provë në realizimin e “ëndrrave” të tij, për atë çfarë dëshmon në këtë roman. Ka meritën, siç thotë shkrimtari Thanas Qerama, se “… arrin t’i mbajë në një lidhje të shëndoshë ngjarjet e së ardhmes me ato të sotme, me traditën në përgjithësi, duke nënvizuar idenë se e ardhmja do të jetë vazhdim i të sotmes”. Ngjarjet e kësaj vepre lidhen me një grup fëmijësh, të cilët udhëhiqen nga inxhinier Gëzim Shkëmbi, profesor i shkencave hidraulike. Realja dhe fanta-shkenca janë në funksion të ndërtimit të maketit të hidrocentralit. Dhe për të realizuar këtë maket nis udhëtimi-studimor i quajtur “Ekspedita e kaltër”.

Dukuritë e ndryshme shkencore që përshkruhen në raport me detin kanë një lidhje jo të zakontë me autorin. Kjo është e lidhur edhe me një veçori, i cili i zë vend dukshëm në autobiografinë e tij: “Hobi i tij i veçantë, që e ka shoqëruar tërë jetën, ka qenë peshkimi dhe noti. Ai është zhytur në thellësinë e shumë deteve të kontinenteve të botës. Kjo i ka dhuruar atij mundësi e ndjesi për të njohur të fshehtat e detit, të cilat i ka sintetizuar në shumë vepra të tij artistike për detin, aq sa kritika letrare, Bardhylin e ka quajtur “Shkrimtari i detit”. Deti për të i ngjan një dielli, që nuk njeh perëndim. Janë të shtrenjta dhe Fterra, vendlindjen e shtrenjtë të autorit dhe Sarandën e tij të dashur janë emblema e kësaj dashurie. Simbolika e detit, ku më shumë e ku më pak është e pranishme në gjithë krijimtarinë e tij, sepse është pjesë e identitetit të tij, është vetvetja, ku i shëtit shpirti dhe i rreh zemra. Deti për autorin është metaforë fëmijërie, metaforë ëndrre, metaforë dashurie, metaforë e kthimit në vendlindje. Kjo metaforë me emrin det, që në faqet e romanit na paraqitet si një mrekulli më vete, mbart një anije, ku fëmijët hipur mbi të ndërmarrin një udhëtim studimor. Sipas studiuesit Astrit Bishqemi: “personazhet-fëmijë bëhen ri zbulues të dukurive të detit.” Kjo marrëdhënie, në roman, zë një vend të dukshëm. Do të thosha se, këto janë skenat më të bukura, më magjepsëse, më mahnitëse, më poetike, sa reale aq dhe fantastike, që vetëm Bardhyl Xhama i njeh në shpirt, dhe me talentin e tij prej prozatori i pikturoi si një artist i vërtetë; gjë që veprës i dhanë vlera të veçanta, një poetikë të papërsëritshme, e cila të bën edhe sot ta lexosh me një kënaqësi dhe vëmendje të veçantë. Dhe, mbase nuk mund t’i harrojmë dhe duhet t’i rikujtojmë: enigmën e kaltërsisë së detit, lumenjtë pa brigje që rrjedhin në detin Adriatik dhe detin Jon, forcën e dallgëve, konfiguracionet e tabanit të detit, mineralet e tretura në ujë, etj., etj. Mendoj që, shkrimet kritike që janë marrë me analizën e kësaj vepre, në këtë rrafsh duhej ta përqendronin optikën e vështrimit  studimor dhe vlerësues, si një vepër që edhe sot nuk e ka humbur aktualitetin. Gjithashtu mendojmë se, nga ripunimi i herë pas hershëm që autori i ka bërë veprës së tij, ka eliminuar edhe disa disproporcione që janë vënë re në ndërtimi kompozicional të romanit.

Teksa “shikoja” me ëndje këto piktura mbresëlënëse të skenave të romanit, m’u kujtua një shkrim nga shkrimtari Andrea Morua. Ai në mes të tjerave thoshte: “Tani që po shkruaj këto radhë, jam 78 vjeç dhe shpresat për një të ardhme të largët s’janë për mua. Por ja që kemi një dëshirë të pashuar të mendojmë për të ardhmen dhe ta përgatisim këtë të ardhme.” Dhe këtu duhet t’i kërkojmë arsyet, pse autori Bardhyl Xhama, i vendosi dhe i trajtoi në një të ardhme, ngjarjet e romanit të tij “Ekspedita e kaltër”. Dhe për një çast, le të takohemi me ngjarjet që flasin për ardhmërinë e romanit. Kështu, Saranda, ku nisin ngjarjet e kësaj vepre, tashmë është bërë me të vërtetë një qytet me pallate shumëkatëshe e vila në gjithë kodrat, me Universitet, me hotele turistike, me portin e veçante të jahteve, etj. Bregdeti i Jonit dhe Adriatikut, që nga Butrinti deri në Durrës, është mbushur me hotele turistike e vila moderne, në Ksamil, Kakome, Bunec, Qeparo, Jal, Himarë, Dhërmi, Orikum, Pojan e me tej, janë ndërtuar e po ndërtohen qyteza e fshatra turistikë, ka gjetur rrugëzgjidhje “autostrada” në gjithë vijën bregdetare, deri në kufirin grek. Qendra turistike në Llogora dhe Orikumi, janë bërë të lakmueshme për vizitorët vendas e të huaj. Butrinti, që përshkruhet si një qendër muzeore botërore, ku organizohet dhe një simpozium shkencor i përvitshëm, sot i ka tejkaluar parashikimet e autorit. Dhe kështu mund të përmendnim dhe sa e sa parashikime fantastike e shkencore që përshkruhen në roman e që sot kanë gjetur zbatim. Kjo ia shton vlerën romanit dhe kam bindje se do t’u nxitë fëmijëve e të rinjve të sotëm  fantazinë dhe dëshirën për të kërkuar e eksperimentuar, për të zbuluar e ndërtuar vepra të reja për të ardhmen e vendit. Është një roman që gjithmonë ruan pamje të re me një vazhdimësi kohore. Shumë nga parashikimet fantastike që autori i ka parashtruar me imagjinatë  që në vitin 1980, sot janë bërë realitet e disa janë vënë në rrugën e zgjidhjes. Kështu, duke u pozicionuar nga një lexim i sotëm, do të kuptojnë pse kjo vepër nuk i ka humbur vlerat e saj dhe bashkëkohësinë. Dhe kjo nuk është pak, është meritë e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.