DIEJ QË S’PERËNDOJNË KURRË

(Rreth librit “Ti je Dielli”, të autores Lindita Begolli)

Arjola KONDAKÇIU

“Ti je Dielli”, është si një motivim i drejtpërdrejtë ndaj vetes e të tjerëve, pikërisht në momentin kur mendon se po të fiken ëndrrat e shpresat. Por ja, sido që të na duken perëndimet, ka dhe diej që s’perëndojnë kurrë, sepse jemi po ne që duam t’i mbajmë gjithmonë ndezur me anë të burimit të dritës së mirësisë e forcës që na buron përbrenda, për t’i përçuar më tej edhe në formën e rrezeve ndër vargje me fjalë të arta, sikurse ka bërë edhe poetja. Lindita, me këtë emër tepër domethënës, e fillon rrezatimin e parë që në foton e kopertinës, ku nëpërmjet shikimit hyjnor dhe buzëqeshjes së çiltër na fton miqësisht që të bëhemi një kuptueshmëri e vetvetes nëpërmjet përballjes me tematikat e krijimeve me bazë jetësore, të cilat kanë marrë formën e stilit klasik duke u ndërthurur me elasticitetin e shijeve estetike të autores. Poezitë me larmishmëri gjatësie, që rendin pas vargut të lirë e tingëllues duke e freskuar herë-herë edhe me rimë, spikatin për: qartësinë e mendimit, thjeshtësinë e ngarkesës emocionale, për qëndrimin etik, për lirshmërinë e përdorimit të figurave letrare, e në veçanti për atë guxim real që i bën aq të besueshme e prekëse. L. Begolli, nëpërmjet krijimeve e nxit lexuesin që të meditojë e të arsyetojë edhe rreth esencialitetit filozofik, detaje të të cilit i ka përzgjedhur në morinë e jetës duke i shndërruar në fjalë të zhdërvjellta e koncize. Te një rreze dielli mahnitemi kur ia zbërthejmë bukurinë e ngjyrave, aspekt që autorja e ka përthithur në proces meditimi, për ta konkretizuar këtë zbërthim spektri në elementë figurative – human të ngjyrave letrare, edhe nëpërmjet grimcimit shijues në disa proza të shkurtra përfshirë brenda librit. Mes shqetësimeve e ndjesive të brendshme ajo zbulon shpirtin e femrës stoike, që duke u grimuar me fuqinë e dashurisë di të vlerësojë veten dhe të tjerët, e të triumfojë në vorbullën meskine të shoqërisë njerëzore, duke transmetuar mesazhe plot dinjitet. Prandaj, ndriçoftë kushdo që ngrohet nga copëzat e rrezeve të shpirtit poetik të Lindita Begollit, dhuruar me brishtësinë e ndjenjës, në librin me titull mos’harrues: “Ti je Dielli”!

Leave a Reply

Your email address will not be published.