Nëse filmi i Saimir Kumbaros “Vdekja e kalit” e hapi këtë epokë të re, filmi “Këtu vallëzohet me hijet”, shënon një gur kilometrik dhe nisjen e asaj që quhet epoka moderne e filmit shqiptar
Kliton NESTURI
Të përballesh me të shkuarën e panjohur është shumë e vështirë, madje ndonjëherë edhe tragjike, sidomos kur ajo të shfaqet befas, në një vend ku me përjashtim të sistemit politik, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar; gjithçka është si më parë. Dhe në këtë rast njeriu është i detyruar të bëjë zgjidhjen që dëshiron. Por, nuk është kaq e thjeshtë. Për të arritur në përfundimin e duhur, njeriu duhet të kalojë në një kalvar dilemash, pështjellimesh dhe përpëlitjesh brenda vetes, ku monologët e fortë me veten dhe bisedat me të tjerët e shtyjnë gjer në fund të udhës së duhur. Një udhëtim, i gjatë, ndoshta sa edhe sa një jetë, aspak i lehtë. Kudo dhe në çdo hap të presin përplasjet. Vetëm dashuria, lutja dhe mirësia, ashtu siç na e dëshmon edhe Nënë Tereza, janë ato që e bëjnë më të fortë shpirtin e njeriut, më të madhe zemrën e tij. Vetëm kështu mundet të ecim përpara, duke i lënë hijet e së shkuarës të vdesin e të shuhen në heshtje. Ky është filli filozofik, sipas meje, që përshkon filmin “Këtu vallëzohet me hijet”, vepra më e fundit e regjisorit Pluton Vasi.
Një subjekt i thjeshtë në dukje, mbart shumë dramë dhe filozofi njëkohësisht. Një vajzë e cila rikthehet pas shumë vitesh në qytetin e saj për të realizuar një dokumentar për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri, në vitin e largët 1989, befas ndeshet me historinë e familjes së saj gjatë periudhës së diktaturës, histori prej së cilës lindi edhe vet ajo. Përballë saj shfaqet dhe qëndron vazhdimisht njeriu që i ka survejuar familjen (nënën), e që njëkohësisht është edhe babai i saj biologjik. Tronditëse. Kur mendon se ajo kurrë nuk e ka njohur babain realisht, por vetëm nëpërmjet përshkrimeve të nënës së saj, ka arritur të krijojë brenda vetes tjetër përshtypje dhe imazh, ndonjëherë të shpërfaqur ëmbël dhe bukur nëpër ëndrrat e fëmijërisë e më tej. Ka vetëm rrëfim. Nuk ka pendesë, e kësisoj nuk ka as falje. Në fund të fundit asaj nuk i mbetet gjë tjetër veç se të bëjë një zgjidhje të saj, atë që do ta bënte të ndihej më e qetë në vetvete. Nëse do ta vështrojmë në thellësi, drama në këtë film nuk është thjesht familjare, por ajo është dramë që buron krejtësisht prej një sistemi, i cili survejon, shtyp dhe përçudnon njerëzit me shpirt të lirë. Veçmas në retrospektivë, takohen personazhe, fatet e të cilëve, pamje të parë, janë të ndryshme por në thelb të njëjta.
Njësoj si sot. Asgjë nuk ka ndryshuar, po të vështrojmë zhvillimet globale që përjetojmë. Në këtë kontekst, “Këtu vallëzohet me hijet” merr një dimension më të madh se sa ai shqiptar. Filmi flet dhe komunikon me një gjuhë universale. Është një dramë që shpërfaqet në të gjitha skenat e filmit, tek të gjithë personazhet që mbajnë peshë në të. Ndërtuar përgjithësisht në skena të vogla, intime, ky film dominohet nga një dialog i ngjeshur, solid, sa njerëzor aq edhe filozofik, përcjellë në mënyrë brilante nga kasti i aktorëve, ku secili ka krijuar plotësisht një karakter më vete, sidomos Rovna Lule, Karafil Shena, Eri Shuke, Eni Shehu, Neritan Liçaj, etj. Për Rovena Lulen mund të thuhet se në mënyrë të plotë ka realizuar në këtë film rolin më të vështirë të saj në film, ndërsa për Karafil Shenën, roli që ai sjell përpara nesh, mund të jetë më i miri në të gjithë karrierën e tij.
“Këtu vallëzohet me hijet” është një film i realizuar plotësisht në standarde të larta profesionale artistike, teknike dhe estetike. Të gjithë komponentët tjerë të filmit duke nisur që nga skenari i Bashkim Hoxhës, kamera e Spartak Papadhimitrit, muzika e Hajg Zaharian, skenografia e Adnand Kastratit, montazhi i Gjergji Panos, etj, janë në një nivel shumë të lartë dhe qëndrojnë në harmoni me njëra-tjetrën, duke bërë kështu që kjo vepër filmike të konkurrojë denjësisht në arenën ndërkombëtare. Gjatë tre dekadave të fundit, filmi shqiptar ka mundur të krijojë një epokë të re, duke u shkëputur nga kinematografia e realizmit socialist. Kjo i ka dhënë atij më shumë frymëmarrje, ku kanë spkatur mjaft vepra cilësore dhe individualitete artistike. Përballja me kinomatografitë e vendeve të tjera, në këtë periudhë ka qenë një sfidë e madhe e të gjithë regjisorëve të filmit shqiptar. Kjo epokë është ndoshta më e veçanta. Nëse filmi i Saimir Kumbaros “Vdekja e kalit” e hapi këtë epokë të re, filmi “Këtu vallëzohet me hijet”, shënon një gur kilometrik dhe nisjen e asaj që quhet epoka moderne e filmit shqiptar.