“E ÇUDITSHMJA” SI FRYT I VETËDIJES

Në veprat surrealiste do të mbetej ajo që në fantastiken e shekujve të kaluar nuk ishte e theksuar si shkalla e parë e dënimit, edhe pse çdoherë dilte në dukje “befasia

Sherif SELIMI

(fragment)

Edhe pse mendohet se surrealizmi dhe fantastikja janë të ngjashme apo të përafërta, marrëdhëniet e tyre janë shumë më të ndërlikuara sesa ajo që duket në shikim të parë. Nëse i qasemi nga aspekti letrar, surrealizmi e trajton të çuditshmen si formë letrare të imagjinatës, e cila buron më shumë nga thellësia e pavetëdijes njerëzore sesa nga fantastikja. Sipas surrealistëve, “e çuditshmja” është shumë më tepër një fryt i vetëdijes, pra, ajo ndërtohet në mënyrë të vetëdijshme. Breton shprehet shumë qartë në lidhje me këtë në parathënien e antologjisë së Pjer Mabij, “Pasqyra e mrekullive”: “Të çuditshmen–nuk do të dinte ta përcaktonte askush më mirë (si Pjer Mabij), duke kundërshtuar kështu “fantastiken”.

Lidhjet mes fantastikes dhe surrealizmit

Fantastikja, thuajse përherë, paraqitet si një kategori e trilluar e pa pasoja, ndërsa e çuditshmja del nga thellësia e brendshme e botës shpirtërore të njeriut dhe kap krejt atë që është e ndjeshme, emotive. E çuditshmja nënkupton ekzistencën e plotë të një bote paralele me realen, e mbështetur në disa rregulla; kurse fantastikja është e lidhur në mënyrë të pandarë me botën reale. Kështu, paraqitja e të mbinatyrshmes te fantastikja mbart çdoherë një parashenjë negative, kurse te e çuditshmja, e mbinatyrshmja del me pasoja negative, por edhe pozitive. Megjithatë, nuk duhet të mendohet se letërsia fantastike është e pavlefshme, por kur flasim për të çuditshmen mund të themi se ajo e paraqet në mënyrë shumë më të hapur dhe më të lirë lëvizjen e imagjinatës në pakufizueshmëri. Pikërisht për këtë arsye, surrealistët do t’i trajtonin si vepra që u paraprijnë, duke filluar nga “Një mijë e një net”, apo“Rrëfimet” e Sharl Peros; për të vijuar me krijuesit anglezë të romanit “gotik” – Ana Retklif, Metju Luis, Çarl Robert Metjurin – autorët e tregimeve magjike nga fillestarët e romantizmit gjerman- Ahim Arnim, Zherar de Nerval me prozat poetike-delirike si “Aurelia” etj; deri te romani i popullarizuar “Misteret e Parisit” të Ezhen Si dhe “Fantomas” të Marsel Alenit dhe Pjer Suvetr. Por në këtë mënyrë, ata hedhin në tërësi krejt përfaqësuesit e linjës së fantastikes së vërtetë, veprimi i së cilës (sipas formulës së romanit të romantikut gjerman), zhvendoset në kornizat reale të një rrethi të përcaktuar qartë. Duke pasur parasysh këto elementë, surrealizmi dhe fantastikja në letërsi jo vetëm që nuk mund të jenë të ngjashme, por përkundrazi, paraqesin polarizime të ashpra në konceptet dhe veprimet e tyre.

Ndërkohë në artin figurativ, lidhjet mes fantastikes dhe surrealizmit janë të ndryshme, në krahasim me ato që dalin në fushën e letërsisë. Para së gjithash, këtu surrealistët nuk bëjnë dallim mes fantastikes dhe të çuditshmes, dallim i cili realisht është i pamundur të bëhet në artin figurativ. Në një nga numrat e revistës “Literatura”, në tetor të vitit 1923, në artikullin me titull “Erutarettil” (“Letërsia në të kundërtën), janë shkruar emrat e atyre që konsiderohen me shumë rëndësi për surrealistët, pasi janë një tregues i ekzistencës së një lloji të traditës surrealiste. Midis tyre është edhe emri i një piktori të vetëm, që njihet si vizatues i metamorfozave jo të rëndomta të shekullit XIX,  Zhan Isidor Grandvil (vepra e të cilit shumë vite më vonë do të vlerësohej negativisht nga ana e Andre Bretonit, për shkak të asaj që paraqet: “argëtuese që kërkon qëllimisht të çuditshmen”). Në “Manifestin e surrealizmit” të Andre Bretonit, që doli në tetor të vitit 1924, ndodhet edhe lista e shkrimtarëve nga e kaluara të cilët “nuk janë përherë surrealistë”, por në disa vepra të caktuara të tyre paraqiten elemente të ngjashme me botën e ndjenjave që janë të përafërta me konceptet e surrealistëve. Te kjo listë në një shënim në fund të faqes, janë vendosur edhe emrat e piktorëve. Nga e kaluara përmenden: Paolo Uçelo, Zhorzh-Pjer Sera dhe Gustav Moro, kurse prej bashkëkohorëve: Anri Matis, Andre Deren, Pablo Pikaso, Zhorzh Brak, Xhorxho de Kiriko, Paul Kle dhe anëtarët e ardhshëm të lëvizjes: Marsel Dishan, Fransis Pikabija, Man Rej, Maks Ernst dhe Andre Mason. Në të njëjtin vit u botua edhe libri me ese kritike dhe polemike të Bretonit “Hapat e humbur”, ku në njërin nga shkrimet me titullin“Distanca”, autori përmend piktorë të realizmit dhe impresionizmit që janë tepër të lidhur me materien, meqenëse u mungon thellësia shpirtërore, ndërkohë që trajton si “përfaqësues të tendencës së kundërt” piktorë të tillë si: Gustav Moro, Pol Gogen, Zherar-Pjer Sera, Odilon Redon dhe Pablo Pikaso.

Që në fillim,vëmendjen e Bretonit dhe surrealistëve në përgjithësi e tërheqin vetëm dy piktorë të fantastikes: Moro dhe Rodin. Në librin “Surrealizmi dhe piktura” (1928), Bretoni flet për situatat aktuale, duke mos e kthyer shikimin nga e kaluara. Revista “Minotaur” që filloi të botohej në vitin 1931, do të tregonte interesin e surrealistëve drejt artit të popujve “primitivë”, por piktura fantastike evropiane do të ishte ende jashtë interesit të hulumtimeve të hapura të këtij formacioni.

Kthesa ne lidhje me këtë tendencë do të ndodhte në dhjetor të vitit 1936, kur Muzeumi i Artit Modern në Nju Jork, me iniciativën e drejtorit të saj Alfred H. Bar, nxjerr në vitrinë për reklamim veprat (kryesisht riprodhime) të Hans Baldung Grinit, Albert Direrit, Hieronimus Boshit, Xhuzepe Arçimboldit, Martin Shongauerit, Xhovani Batist Piranezit, Ruso “Doganjerit”. Një tjetër sallë e emërtuar “Hulumtuesit e shekullit XX” ekspozon veprat e Mark Shaqal, Paul Kle, Pablo Pikasos, duke vazhduar me përfaqësuesit e Dadizmit dhe të Surrealizmit. Në mesin e surrealistëve më të pikasur gjendet Maks Ernest me 43 vepra të ekspozuara aty. Në sektorin “Artistët e pavarur të Dadas dhe Surrealizmit” bëjnë pjesë: Aleksandër Kalderi, por edhe Volt Dizni. Më tutje, nën emërtimin “Dokumente krahasuese”, janë vizatimet e fëmijëve, të të sëmurëve mendorë apo artistëve“ naivë”. Më tutje vazhdojnë pjesët “Objektet e ndryshme me karakter surrealist” dhe “Arkitekturat fantastike”. Autori i parathënies së katalogëve “Dada” dhe “Në shkëlqimin e surrealizmit” është surrealisti francez Zhorzh Inje.

Një iniciativë e tillë do të ndikonte në nxitjen e idesë për lidhjen e ngushtë të surrealizmit me fantastiken nga e kaluara. Prej këtij momenti kjo ide do të ngrihej në një nivel më të lartë dhe do të bëhej më e hapur, duke i shikuar gjërat në kontekst më të gjerë, që është karakteristike për krijuesit e surrealizmit, por kuptohet që këtu hyjnë edhe piktorët që i përkasin këtij formacioni.

Duke i shikuar më me përpikëri ngjashmëritë mes surrealizmit dhe fantastikes në artet figurative, gjegjësisht në pikturë, do të shohim një rritje të numrit të pararendësve. Në këtë sferë, është shumë i rëndësishëm numri i paraqitur në dy lista, njëra e Maks Ernstit, tjetra e Andre Bretonit. Në vitin 1941, në revistën “View”, Ernsti nxjerr listën me titull “Piktorët e përkëdhelur të së kaluarës”. Kjo listë, ashtu si dhe ajo e botuar te revista“Letërsia”, emrat e artistëve i paraqet të shtypura me madhësi të ndryshme të shkronjave sipas rëndësisë. Ajo fillon me Hieronimus Boshin dhe Piter Brojgelin, duke vijuar më tej me piktorët gjermanë: Matijas Grineveld, Albert Altdofer, Hans Baldung Grin, Lukas Kraneh, Niklaus Manuel Dojç. Është për t’u habitur pasqyrimi në këtë listë i një numri të madh të piktorëve italianë të periudhës së Rilindjes: Paolo Ucelo, Pjero dela Françiska, Xhovani Belini, Vitore Karpaço, Leonardo da Vinçi, Kozmo Tuira, Piero di Koimo, Karlo Kriveli dhe Françesko dela Kosa. Prej të kaluarës së afërme renditen Vinsent van Gogu, Zhorzh Pjer Sera, Ruso “Doganjeri” dhe Xhorxho de Kiriko. Por, kuptohet se jo të gjithë piktorët e lartpërmendur janë në linjën e fantastikes. Prej piktorëve të Rilindjes italiane, i vetmi në listën e Ernstit është Piero di Kozimo, i cili me skemat e veta mitologjke mund të konsiderohet si pjesë e pikturës fantastike evropiane. Një befasi në këtë listë është mungesa e romantikut gjerman Kaspar David Fridrih, i cili në fakt e zotëron gjithashtu këtë afri ideologjike.

Pikturat fantastike

Listën tjetër e harton Andre Bretoni më 1953, në revistën “Mediumi”, duke e titulluar “Rruga mbretërore e pikturës”. Pjesë e kësaj liste, ndër emrat e artistëve nga e kaluara renditen: Hieronimus Bosh, Paolo Uçelo, Matijas Grinevsld, Leonardo da Vinçi, Piero di Kozmo, Albert Direr, Hans Baldung Grin, Fransisko Goja, Viljam Blejk, Johan Hajnrih Fisli, Gustav Moro, Odilon Redon, Pol Gogen, Sharl Filizhe (një simbolist francez shumë pak i njohur), Zhorzh Pjer Sera, Ruso “Doganjeri”, Eduard Munk dhe Alfred Kubin. Kurse nga artistët bashkëkohorë numërohen: Vasilij Kandiski, Fransis Pikabija, Marsel  Dishan, Xhorxh de Kiriko, Zhan Arp dhe Pablo Pikaso. Në të vërtetë, lista e emrave e hartuar nga Bretoni është shumë më afër fantastikes sesa ajo që ka përgatitur Ernsti. Edhe pse Leonardo da Vinçi duket se është shumë larg shijes surrealiste, as Ernsti dhe as Bretoni nuk mundën ta largojnë (ndoshta për shkak të vijës psikoanaliste të Frojdit që shfaqet në pikturat e tij). Ndërsa në pamjet nga plazhi të post-impresionistit Sera, ku stilizimi i siluetave të shëtitësve bën më shumë përshtypje sesa figurat në një teatër që shndritin në hije, ata ndoshta mund të dallonin një lloj paraqitjeje të formës metafizike të De Kirikos.

Në gjysmën e dytë të shekullit XX, thuajse të gjitha pikturat fantastike nga e kaluara do të trajtoheshin si trashëgimi që vijnë nga surrealizmi. Në planin e artit figurativ surrealistët gjithnjë e më tepër do të mësonin prej mjeshtërve të dikurshëm të fantastikes. E gjithë linja e përshkrimit narrativ të pikturave surrealiste do të afrohej gjithnjë e më tepër me vizionet e pararendësve, ndonjëherë të lidhur drejtpërdrejt me disa skena dhe motive veçanërisht të njohura, prej veprave që kanë mbetur nga e kaluara. Lidhja specifike e erotikës dhe pamjeve mizore që dalin nga kolazhet e Ernstit paraqitet shumë e afërt me ilustrimet e romaneve “gotike” të fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. Po ashtu, mund të themi se vepra “Një panik nëmesjetë” e Rene Magrit, ku paraqiten disa trupa të ndërlidhur në mënyrë befasuese me njëri-tjetrin, tregon afërsi më të madhe me gravurat manieriste të autorëve të njohur holandezë të shekullit XVI. Mënyra e paraqitjes së formës së kompozuar, shfrytëzimi i një arkitekture të shpikur si dekor që thekson veprimin jo të rëndomtë, lojërat me zëvendësimin e vendeve mes origjinales dhe të ngjashmes së vet, mbizotërimi i territ, ku kuptimi fshihet dhe është i paqartë, paraqet çrregullime të rënies në një botë të panjohur të elementeve që nuk mund të lidhen me strukturën dhe logjikën e tyre. Të gjitha veprimet që ekzistojnë në figurën fantastike nga e kaluara, përjetohen që prej fillimit në veprat surrealiste. Në dallim nga fantastikja e dikurshme, në pikturën surrealiste mungojnë temat që dalin nga ikonografia e krishtere: gjykimi i rreptë, vallëzimi i skeletëve, apo paraqitja e vdekjes si paralajmërim për jetëshkurtësinë. Megjithatë, sërish ekziston një përjashtim, i cili në shikim të parë të befason: tema e joshjes së Shën Antonit, e përpunuar nga mjeshtrit e mëdhenj të fantastikes, veçanërisht të shekullit XV dhe XVI (Bosh Brojgel, Grinevald, Shongauer etj.) do të ishte tema e veprave të shumë piktorëve surrealistë. Paraqitja e kësaj teme në pëlhurat e surrealistëve, thuajse pa përjashtime antireligjoze por kundër moralit katolik në veçanti, e ka sqarimin shumë banal. Pas Luftës së Dytë Botërore, një producent amerikan kishte idenë e xhirimit të një filmi bazuar në veprën e Mopasanit “Bel Ami” (1885). Në këtë roman, një vepër artistike luan rol të rëndësishëm në veprim: skenaristi zgjodhi që ajo të jetë një pikturë në të cilën do të paraqiten joshjet e Shën Antonit. Shpallet një konkurs i veçantë në të cilin ftohen dymbëdhjetë piktorë – përfaqësues të lëvizjes surrealiste, ose të përafërt me ta, që të realizojnë piktura me këtë temë, mes të cilëve Salvador Dalin, Maks Ernstin, Pol Delvon, Leonora Karingtonin, Leonora Finin, Doroteja Tamingin etj. Në përfundim të konkursit, fitues del Maks Ernsti. Vepra e realizuar për këtë rast do të reklamohej në vitrinat e Brukselit, gjatë vitit 1947. Duke u marrë me paraqitjen e temave të mitologjisë së krishterë, krahas nxitjes së anës financiare, surrealistët do ti tërhiqte mundësia për të luajtur me provokimin erotik dhe me lënien në liri të qenieve të pabesueshme, që ishin të vendosura në terrin e pavetëdijes.

Bashkërisht me temat që dalin nga etika dhe filozofia e krishterimit, gjatë kalimit nga fantastikja tradicionale drejt surrealizmit, bien të gjitha përpjekjet e moralizmit përmes simbolikës, të trupores si rast ofendues, apo të kanosjeve me dënim pas mëkateve. Kështu, në veprat surrealiste do të mbetej ajo që në fantastiken e shekujve të kaluar nuk ishte e theksuar si shkalla e parë e dënimit, edhe pse çdoherë dilte në dukje “befasia”. Tashmë në surrealizëm befasia bëhet qëllim në vetvete, i cili theksohet vazhdimisht, edhe pse ka përjashtime. Kjo dukuri jep mundësinë për hapjen e dyerve për t’u çliruar nga ajo hapësira e ngushtë e mbështjellë nga gëzhoja e rëndomtë, rutina e përhershme. Befasia te surrealistët është çasti i daljes për kërkimin e rrugëve të reja (duke pasur parasysh problemet që ndjekin çdoherë ekzistencën njerëzore), drejt ndryshimeve për ndjeshmërinë e botës dhe të vetë botës…

Leave a Reply

Your email address will not be published.