Hajdegeri artin e definon përmes estetikës ontologjike, ngjashëm me Nikollaj Hartmanin, i cili duke e ndarë veprën artistike në dy plane, material dhe metafizik, themeloi estetikën ontologjike
Afrim REXHEPI
Me vetë faktin që u kthye të studiojë filozofinë dhe estetikën parasokratike, arriti të afrojë filozofinë dhe estetikën metafizike më afër ekzistencës. Është merita e tij, që arriti ta definojë hermeneutikën si strukturë e qenies që realizohet apo vetëpozicionohet përmes gjuhës, përmes asaj gjuhe të thjeshtë, pragmatike, të gjallë. Estetika e Hajdegerit, në thelbin e saj është antiestetikë në raport me estetikën subjektiviste të Kantit. Sipas tij, arti është poezi, kurse poetikja është diktati i qenies që ndodhet në gjuhë. Në projektin e tij për desubjetkivizimin e shijes, Hajdegeri distancohet nga nocionet thelbësore të estetikës subjektiviste: shprehja e përvojës dhe afektiviteti. Në fakt, nocionet shënojnë konfrontimin pozitiv midis gjuhës së poezisë dhe ekzistencës së subjektit. Formula e tij, Unë nuk e flas gjuhën, por ajo më flet, më shpreh mua, e kupton faktin që gjuha nuk është shprehje e subjektit, por i paraprin subjektit. Pra gjuha është fenomeni më i rrezikshëm që lidh skajshmërisht, tokën / qiellin, kaosin / kosmosin etj. Pra, një lidhe oksimoronike, e që realizohet përmes një përplasje sublime të të kundërtave, zbulon të vërtetën e objekteve, të fshehtën e qenies, apo të fshehtën e të fshehtës, siç do të thoshte Lasgushi. Në kontekst, Hajdegeri, i ka interpretuar ata poet të cilët mendojnë (Helderlini, Rilkem Rembo etj.), ata poet që në veprat e tyre, poezia ishte problemi më i madh. Me të drejtë Çabej, në tekstin e tij për Lasgushin, shprehet se ai i ngjan poetëve si Helderlini, Rilke, Trakël etj.
***
Në fakt, Hajdegeri artin e definon përmes estetikës ontologjike, ngjashëm me Nikollaj Hartmanin, i cili duke e ndarë veprën artistike në dy plane, material dhe metafizik, themeloi estetikën ontologjike. Dallimi qëndron në faktin se Hajdegeri veprën e ndan në dy plane. Planet nuk lidhen njëra me tjetrën, por përplasen dy faktorë fundamental: toka dhe bota apo tek Lasgushi toka dhe qielli, së bashku kaosi dhe kozmosi. Gjithnjë sipas Hajdegerit, vepra artistike është zbulimi sublim, në të cilën zhvillohet përplasja midis kategorive të kundërta. Ngjashëm me Heraklitin, i cili logosin e definon si një shkrirje funksionale e të kundërtave. Pra, arti krijohet në kalimin e çastit sublim, duke zbuluar ndritësimin e gjërave të fshehura, kur materia kalon, shndërrohet në energji. Në këtë mënyrë, zbulohet e vërteta e të vërtetës, në përplasje, në dridhje, në tension të thellë, ndritësohet fshehtësia e qenies. E vërteta është objektive dhe ekziston si e tillë. Pra, sipas Hajdegerit, poezia është gjuha e parë e popujve, e poetët barinj që ruajnë qenien. Poetët jo vetëm që janë në ekzistencë, por ata ndodhen në fillet e saj. Në kontekst, parashtrohet pyetja, Kush e krijon të vërtetën apo fshehtësinë e fshehtësisë? Të vërtetën nuk e krijon poeti, sepse poeti është subjektiv, e vepra artistike nuk është objekt por është vepër arti në të cilën e vërteta ndodh krejt spontanisht, si proçes natyror. Që do të thotë se vepra e artit nuk është shprehje e artistit por shprehje e të vërtetës që natyrshëm vendoset në vepër. Hajdegeri mendon që artistët e mëdhenj, thjesht shkrihen me artin e tyre, sa që vepra shndërrohet në një lloj depersonalizimi, indiference. Pra, arti është ontocentrik. Me vetë faktin që ne pozicionohemi para imazhit, e vërteta ontologjike, si akt sublim, ndodh midis ne dhe veprës. Kështu ne përfitojmë bindje më të thella për ekzistencën, për gjërat që janë ç’do ditë me ne.
Në fakt, realizimi i kritikës subjektiviste në Estetikë, funksionalizohet përmes tre elementeve kyçe të subjektivitetit që janë: përvoja shqisore, kënaqësia dhe e bukura. Tendenca e Hajdegerit është që elementet kyçe të distancohen nga arti, e të vijë në shprehje pastërtia ontologjike e gjërave. Ideja fenomenologjike e Huserlit “kthimi kah bota e jetës”, kah e vërteta e të vërtetës, është në funksion. Kjo është kështu, sepse në estetikën tradicionale, ndodh hegjemonia e subjektit. Desubjektivizmi i shijes, realizohet duke i mohuar nocionet kyçe të estetikës subjektiviste: shprehja e përvojës së shijes, e përjetimit dhe afektiviteti. Kështu funksionalizohet përvoja e të vërtetës, që në fakt ndryshon nga përvoja metafizike, dominantë kjo e estetikës subjektiviste. Në kontekst, forca e poezisë së Poradecit, është në gjithpraninë apo në plotninë e saj në raport me konkreten në të cilën shfaqen përjetësia e të kundërtave ekstreme, siç janë: toka – bota te Hajdegeri, toka – qielli te Lasgushi, apo ke të dy së bashku, kaosi – kozmosi, pikëllimi – gëzimi etj. Për shembull, figura e Nositit, që ngërthen në vete simbolikën, sinestesionin, është një figurë (metaforë) semiotike e gjallë, që nuk pranon diktatin e metafizikës ndaj materies apo objektit. Perceptimi i kësaj figure vet-flijuese, nuk mund të jetë subjektive apo psikologjike. Figurën e Nositit, nuk mund ta perceptojmë si një të vetme, të bukur. Estetikisht mund ta perceptojmë në lëvizje apo vetëm si një figurë oksimoronike që manifeston lidhjet. Në dukje pikëllimi dhe gëzimi:
Pa nis ah! gjirin t’a godas…
Dh’ e hap ah!-gjirin më një ças…,
Dh’ i nginj ah! zogjtë-e vdes me gas!…
Pra, jo si figurë metafizike, por si figurë që krijohet nga tensioni, si figurë sublime dhe historike.
Antiestetizmi i Hajdegerit, është ngushtë i lidhur, në kuptimin që është problematik me nocionin percepsion estetik (aisthesis). Duke e përjashtuar një nocion të tillë, ai distancohet nga disa “modernist”, të cilët veprën artistike e perceptojnë si fenomen subjektiv, atë estezis të pastër, thellë të inkorporuar në rrafshin shqisorë të artit. Nëse estetika bazohet në kategorinë perceptim, përjetim, atëherë përveç recipientit, duhet të funksionalizohet edhe ekzistenca e subjektit krijues. Në shkrirje të ekzistentëve, rezulton relativiteti kohor, ku arti humb në aktualitet. Që do të thot se arti ngadalë por sigurt vdes në kohë, por mbetet funksionale vepra në përjetësi. Pra, arti nuk mund të ekziston në formën e dhënë të objektivitetit historik. Në kontekst, parashtrohet pyetja, Çfarë ndodh me artin, me poezinë , kur kategoria e saj thelbësore percepsioni, përjashtohet nga modusi i saj? Ç’ka nëse vepra dislokohet nga elementet e subjektivitetit, pra nga krijuesi, recipienti dhe perceptimi? Ndodh funksionalizimi i ontocentrizmit, ku shijuesi tërhiqet nga akti sublim, nga e vërteta e të vërtetës apo nga fshehtësia e fshehtësisë. Zbulohet qenia për tjetrin dhe qenia në lidhje me tjetrin, si përjetësi historike.
Bashkohesh brenda me përjashtësi/
Bashkohesh jashta me përjashtësi/
Bashkohesh tretesh me përjetësi.
Me të drejtë, shkruan Moikom Zeqo, që vepra e Lasgushit, është unikale, e paprekshme dhe jashtëkohore. Pra arti është fenomen i tillë, që vetvetiu e vendos të vërtetën e qenëzuar. Ç’ndodh me poetin. Poeti e tejkalon subjektivitetin përmes ekstazës. Edhe pse shndërrohet në një lloj transmetuesi, përsëri mbetet pjesë integrale e të vërtetës objektive. Interpretimi i estetikës së Hajdegerit në poezinë e Lasgush Poradecit, tregon në faktin që:
– janë ekzistente impulset e para të estetikës fiziologjike;
– përforcon bindjen e Çabejit që poezia e Lasgushit ka një emocion shpesh të përafërt me ekstazën;
-përforcon bindjen atë të Moikom Zeqos që Lasgushi e ka emancipuar poezinë shqipe ndërmjet një estetike, si pakkush në të gjithë shekujt letrarë të Shqipërisë.